Bashkimi Europian kërkon të krijojë një aleancë anti-terror me vendet Arabe për të rritur bashkëpunimin dhe ndarjen e informacioneve, pas javës së sulmeve intensive në Paris dhe arrestimeve të njëpasnjëshme në të gjithë Europën.
 
Përfaqësuesja e politikës së jashtme europiane, Federica Mogherini, theksoi se tema e diskutimit në samitin e zhvilluar në Bruksel, ku u takua me me ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian, ishte nevoja e krijimit të një aleance dhe rritja e bashkëpunimit me vendet arabe për të luftuar më efektivisht terrorizmin.
 
Në takim u morën vendime të rëndësishme mbi bashkëpunimin e vendeve të Bashkimit Europian me ato të ligës Arabe, me monitorimin e listave të pasagjerëve që udhëtojnë mes këtyre vendeve si dhe në bashkëpunimin mbi nivelin e sigurisë në parandalimin dhe monitorimin e rrjeteve terroriste.
 
Një çështje e rëndësishme është dhe vendimi për krijimin e zyrave të posaçme delegacionesh për të bashkëvepruar në mënyrë të kordinuar mes të gjitha vendeve europiane në shkëmbimin e informacioneve dhe praktikave të hetimit të të dyshuarve si terroristë.
 
Mogherini u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës Arabe, Nabil al-Araby, ashtu si dhe me ministrat e jashtëm të BE-së të cilët po përgatiten për samitin e liderëve Europianë në shkurt, që do të fokusohen sërisht në luftën kundër terrorizmit. Mogherini tha gjithashtu se Bashkimi Europian do të apelojë një vendim gjykate që vendos për heqjen e grupit Palestinez Boko Haram nga lista e zezë e terrorizmit në BE. Ajo tha se nuk duhen lejuar që të ashtëquajtura shtete të marrin nën kontroll e të qeverisin pa rregulla e kompetenca ligjore.
 
“Shqetësohemi vetëm për viktimat në Europë, por e dimë shume mirë se ata që vuajnë më shumë janë vendet arabe dhe myslimanët, që janë të shënjestruar nga këto grupe terroriste e kontrollojnë territore të mëdha.”- tha Mogherini.
 
Shumë ministra europianë theksuan rëndësinë e të punuarit sëbashku me vendet myslimane, në vend që t’i akuzonin ata për këtë problem, pasi të dy palët në këtë rast, si shtetet islamike ashtu dhe vendet e Bashkimit Europian kanë nevojë për mbrojtje nga terrorizmi. Ministrat e jashtëm të BE-së, të mbledhur në samitin mbi terrorizmin, nisën punimet duke mbajtur një minutë heshtje për viktimat e 7 janarit në Charlie Hebdo.

 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)