"Bashkimi Evropian ka vëzhguar zgjedhjet parlamentare në Kosovë dhe ka qenë i kënaqur me mënyrën fer dhe transparente në të cilën u mbajtën ato", thuhet në një Deklaratë të përbashkët nga Përfaqësuesi Special i BE-së dhe Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë dhe shefat e misioneve të shteteve anëtare të BE-së në Kosovë, e cila sapo mbërrin te korrespondenti i ATSH në Prishtinë.

"Ne po ashtu jemi duke e përcjellë procesin demokratik të konstituimit të Kuvendit si hap i parë që të pasohet me formimin e një qeverie legjitime. Ne vazhdojmë që me vendosmëri t'i përmbahemi parimit që të mos ndërhyjmë në këto procese, që janë çështje e brendshme e Kosovës dhe që duhet të adresohen e të zgjidhen nga përfaqësuesit e zgjedhur të Kosovës", thuhet më tej.

Ne, vijon deklarata, tashmë kemi shprehur dhe përsërisim shpresat tona se së shpejti do të formohet një qeveri ashtuqë të adresojë sfidat e shumta me të cilat përballet Kosova, si qeverisja ekonomike, rritja e standardit të jetesës, përmirësimi i sundimit të ligjit, ndjekja e axhendës evropiane dhe vazhdimi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

"Në këtë kontekst, ne e përsërisim rëndësinë e madhe të vazhdimit të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, në nivel politik e teknik, në mënyrë konstruktive dhe të orientuar në rezultate, duke çuar në normalizim të qëndrueshëm të marrëdhënieve me Serbinë. Ky përkushtim, siç është theksuar qartë në Marrëveshjen për Stabilizim Asociim të inicializuar së fundmi, ka ndikim të drejtëpërdrejtë në rrugën evropiane të Kosovë dhe kësisoj është në interesin vital të Kosovës", theksohet në deklaratë.

Ne, përfundon deklarata, presim që qeveria e ardhshme e Kosovës të vazhdojë të implementojë marrëveshjet si dhe të përkushtohet dhe angazhohet për ta çuar normalizimin përpara.z.t/ATSH/