Mbështetja për Kosovën, rritja e bashkëpunimit mes 2 vendeve dhe rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dominuan takimet që Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, zhvilloi ditën e sotme me Presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama, gjatë vizitës së tij zyrtare në Tiranë.
Në deklaratën e përbashkët pas takimit, Begaj falënderoi Lituaninë për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke e cilësuar atë një partner të rëndësishëm në një moment kyç për negociatat me BE-në.
“Shqipëria dhe Lituania gëzojnë marrëdhënie shumë të mira, të bazuara në besim reciprok, respekt të ndërsjellë dhe vlera Euroatlantike. Sot rikonfirmuam angazhimin tonë për forcimin e mëtejshëm të dialogut politik dhe zgjerimin e bashkëpunimit tone në fusha me interes reciprok.”, tha Begaj.
Kreu i shtetit u shpreh se Shqipëria ka hyrë në një fazë të rëndësishme të procesit të anëtarësimit dhe do të vijojë me reformat për të përmbushur objektivin strategjik të anëtarësimit në BE. Ai shtoi se pret që edhe gjatë presidencës lituaneze të Këshillit të Bashkimit Europian në gjysmën e parë të vitit 2027, politika e zgjerimit të mbetet prioritet.
"Shpreha mirënjohjen time për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur që Lituania i ka dhënë Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Vlerësojmë mbështetjen e Lituanisë në një moment kaq të rëndësishëm të procesit tonë të integrimit. Jemi të bindur se edhe gjatë Presidencës lituaneze të Këshillit të Bashkimit Evropian në gjysmën e parë të vitit 2027, zgjerimi do të mbetet një prioritet i rëndësishëm në agjendën evropiane. Shqipëria do të vazhdojë me vendosmëri reformat e nevojshme për të avancuar drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian" tha Begaj
Një pjesë e rëndësishme e bisedimeve iu kushtua edhe zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor. Begaj kërkoi që Lituania të vazhdojë mbështetjen për Kosovën në organizatat ndërkombëtare dhe në procesin e integrimit euroatlantik.
“Në këtë kontekst, ritheksova rëndësinë e integrimit Euroatlantik të Kosovës. Falënderova mikun tim, Presidentin Nauseda, për mbështetjen që Lituania i ka dhënë Kosovës dhe kontributin e saj me trupa në KFOR, votës pro anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës dhe i kërkova që kjo mbështetje të vijojë edhe në të ardhmen”, deklaroi ai.
Përveç çështjeve politike dhe të sigurisë, dy presidentët diskutuan edhe për rritjen e bashkëpunimit ekonomik. Begaj tha se ka ende hapësira të mëdha për investime dhe bashkëpunim në sektorët e teknologjisë, digjitalizimit, energjisë, turizmit, bujqësisë dhe inovacionit.
Ai veçoi gjithashtu rritjen e numrit të turistëve lituanezë që po zgjedhin Shqipërinë si destinacion pushimesh, duke e konsideruar këtë një tregues të afrimit të mëtejshëm mes dy vendeve.
Si vende anëtare të NATO-s, Shqipëria dhe Lituania ndajnë të njëjtat qëndrime edhe për sigurinë europiane. Begaj vlerësoi kontributin e Lituanisë në mbrojtjen e krahut lindor të Aleancës dhe ritheksoi mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën.
“Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për Ukrainën, sovranitetin dhe pavarësinë e saj. Ne besojmë se një Evropë e sigurt dhe e qëndrueshme kërkon një përgjigje të bashkuar ndaj çdo kërcënimi ndaj vlerave demokratike”, tha Presidenti.

Kryeministri Edi Rama priti sot në një takim në Kryeministri, Presidentin e Lituanisë, Gitanas Nausėda.
Takimi pati në fokus forcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, mbështetjen e Lituanisë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë Presidencës së Lituanisë në Këshillin e Bashkimit Evropian në gjashtëmujorin e parë të vitit 2027.
Më herët gjatë ditës së sotme, Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nausėda, u prit në takim edhe nga Presidenti Bajram Begaj.
Mbështetja për Kosovën dhe rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dominuan takimin mes Presidentit Bajram Begaj dhe homologut të tij lituanez, Gitanas Nauseda, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë.
Komente








