Behar Gjoka: Arsimi, duhet
ti jepet fund stolisjes me tituj

Behar Gjoka: Arsimi, duhet<br />ti jepet fund stolisjes me tituj
TIRANE - Në shtator do të kemi një tjetër emër në krye të dikasterit të arsimit dhe një tjetër forcë politike që e ka kontestuar mënyrën se si janë orientuar politikat e arsimit deri me tani, sipas jush, kjo do të sjellë një stepje sërish të reformave në arsim, apo ka gjëra që më të vërtetë duhen zhbërë??

Rezultati i zgjedhjeve të 23 qershorit solli në pushtet PS e padyshim, siç është paraqitur në fushatë, do të ketë një vizion tjetër, për politikën arsimore. Ministria e Arsimit, gjendet përpara sfidash jetike për arsimimin bashkëkohor. Është sfidë qëndrimi që do të mbahet ndaj arsimit publik dhe privat, në të gjithë nivelin e arsimimit. Është po ashtu sfidë, më vete dhe e rëndësishme, ringjallja e arsimit profesional, që do të kërkonte kontribute më të gjera se sa vetëm të këtij dikasteri.

Është sfidë e paimagjinueshme nxjerrja nga ngujimi i nxënësve të zonave të ndryshme të vendit, si dhe i përpjekjeve për të frenuar analfabetizmit real dhe funksional, ku ky i fundit ka të bëjë me pajisjen me diploma, por me mungesë dije të theksuar. Sfidë më vetë është edhe rregullimi i masivizimit absurd të pajisjes me tituj, të një mase njerëzish, të cilët sërish nuk përfshihen në kërkimin shkencor, vetëm sa stolisen më tituj pafund.

Po kaq është sfidë e jashtëzakonshme, e shkollimit të të gjithë niveleve, vetë procesi i mësimdhënies, i programeve dhe teksteve, i marrëdhënies gati të ngrirë me prindërit dhe komunitet e tjera, pra detyrimisht me të gjithë faktorët që janë të interesuar për shkollën. Shkolla, më tepër se problem i politikës arsimore të një qeverive, apo të partive të ndryshme, është problem kombëtar dhe shoqëror, sepse dihet që shkolla bart tharmin e ndryshimit për sot dhe nesër, madje mund të thuhet se si është shkolla sot, do të jetë shoqëria nesër. Shkolla shqiptare e të gjitha niveleve, ka probleme, të shumta dhe të ndryshme, thelbësore dhe dytësore, dhe prandaj edhe zgjidhja e tyre, nuk ka gjasa që të vijë rrufe dhe me një të rënë të lapsit.
 
Pritet që të ndryshojë struktura e arsimit 9-vjeçar, fillorja nga 5 vite të bëhet 6 vite. Qeveria socialiste a duhet të ecë në këtë linjë, pra, ashtu siç ishte parashikuar të ndryshohet struktura e arsimit 9-vjeçar, strukturë që në fakt nuk e ka asnjë nga vendet e rajonit tonë, apo është më mirë të ruhet kjo aktualja, 5+4?
Çështja e strukturës së arsimit fillor, pamëdyshje që është nga më jetiket, sepse qysh në këtë cikël vihen bazat e rrugëtimit që bën individi në shkollë, e mandej në të gjitha nivelet. Prandaj në hapësirat që lejon koha, si përmasë fizike, së paku deri në fillimin e vitit të ri shkollor, si dhe nëse ka një ide dhe mendim tjetër, është koha dhe momenti i duhur që të hapet një debat i gjerë, pa vënë limite dhe prita burokratike, me specialistët, eksepertët, me komunitetin e gjerë të arsmitarëve dhe të prindërve, në mënyrë që gjatë kësaj kohe, të arrihet në një përfundim logjik dhe të dobishëm, por edhe që të përputhet me politikën arsimore të kësaj qeverie, si dhe në mënyrë të veçantë me trendin ku lëviz shkolla dhe arsimi sot në botë. Në fund fare, simbas bindjes time, struktura me 5 apo me 6, përveç parapëlqimit, avantazheve dhe dizavantazheve, nuk është se bart magjinë e zgjidhjes së problematikave, të shumta dhe të shumëllojta, që kanë përfshirë shkollën shqiptare, qysh me fillimin e viteve ’90 të shekullit të kaluar.
 
Një pjesë e madhe e kurrikulave kanë ndryshuar, po me to çfarë duhet të ndodhë?
Për këtë vit shkollor, edhe sikur të duam nuk ka shumë hapësira për të ndodhur shumëçka, sespe bazuar në kurrikulat, tashmë janë hartuar tekstet, pasi janë përcaktuar linjat programore, dhe mbi të gjitha viti i ri shkollor po troket. Ndërsa për vitin tjetër, gjithnjë dhe vetëm në varësi të politikave arsimore, e sidomos të interesit të reformës arsimore, ka jo pak mundësi për të parë, rregulluar dhe përsosur, por megjithatë çdo shikim i tyre duhet bërë me kujdes, në përputhje me trendin e reformës të nisur prej kohësh, me synimin që shkolla të jetë avangardë e lëvzijes për në botën e qytetëruar.

Po kaq, sa më parë që të jetë e mundur, duhet shmangur tentativa që është vënë re në lëndët gjuhë dhe letërsi, që hartuesit e kurrikulave, pothuajse të jenë edhe tekstebërës, që përplas interesa të caktuara, e mbi të gjitha vështirëson rrethanën e verifikimit të secilës pjesë, të kurrikulave dhe teksteve. Kurrikulat, në të gjitha rastet, janë atribut i dikasterit të arsimit dhe nuk ka akademik apo shef katedre, që mundet ta vërë në dyshim këtë aspekt. Kjo sepse ministria ka obligimin kushtetues dhe detyrimin ligjor për të hartuar, udhëhequr dhe kontrolluar procesin mësimor, po ashtu edhe të realizmit të teksteve, ku nuk harrohen prirjet dhe rrethanat ku gjendet shoqëria dhe qenia shqiptare
 
Alterteksti nisi mirë, por tashmë edhe botuesit, edhe MASH janë të pakënaqur pasi ka një mbipopullim, ku për një titull teksti ka deri në 12 alternativa, a ka nevojë për reformimin alterteksti?
Alterteksti, vetë numri 12 tregon se ka një mori problemesh, që do të kërkonin kohë dhe mendim për të gjetur zgjidhje logjike dhe në përputhje me pikësynimet e reformës arsimore. Së pari, duhet të qartësohemi se cili është qëllimi i tekstit alternativ, së dyti, që alterteksti, ka dy anë të medaljes, tekst për mësuesin dhe për nxënësin, së paku si një përvojë e përbotshme, së treti, mbase duhet vënë trau i doganës mbi personat që mundet të merren me hartimin e teksteve alternative. Një tekst alternativ, mundet që të realizohet me kualitet nga kombinimi i përvojës së arsimtarit, i dijes së studiuesve të gjuhës dhe letërsisë, por edhe të secilës lëndë, si dhe nga botuesit që kanë përvojë në këtë aspekt. Njëra nga këto hallka të mungojë, teksti nuk është më për nevojat e shkollës, por përfaqëson interesa të tjera.

Mënyra se si do t’i qaset ministria, po kaq edhe të gjithë institucionet e varësisë, vetë opinioni publik, problematikave të mprehta të arsimit, është jetike, e cila fillimisht do të duhet të frenojë rënien e lirë të shkollës shqiptare, për në humnerën e padijes dhe të daljes nga funksioni i të nxënit të dijeve. Është momenti për thellimin e reformave arsimore, për ndërrimin e kursit të marrjes përsipër të përgjegjësive, e sidomos të ritmit logjik dhe të përshpejtuar të tyre, në mënyrë që të kapin stacionin e fundit për Europë, sepse promotorr për të mbërritur atje, është dija dhe shkolla.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 18.08.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Mosbindja civile e demokratëve ndaj Berishës

Mero Baze: Mosbindja civile e demokratëve ndaj Berishës