Behar Gjoka: Veterinierë në
Qendrën e Albanologjisë!

Behar Gjoka: Veterinierë në <br />Qendrën e Albanologjisë!
Rreth degradimit të Akademisë së Shkencave, pas ndarjes së saj në Institute Studimore, prej ditësh janë shtuar replikat dhe debatet në gazetën Shqiptaraja.com. Ky debat nisi javën e kaluar nga akademiku R. Memushaj, i cili shkroi artikullin "QSA, reforma që shkatërroi institutet shkencore". Këtij mendimi i është bashkuar edhe vetë nënkryetari i Akademisë së Shkencave, Dr.Myzafer Korkuti, i cili është shprehur me bindje se "Ndarja në institute është dëmi më i madh shkencës së albanologjisë shqiptare". Pas një reforme të katër viteve më parë, që duket qartë sesi ka dështuar, çështja e Akademisë së Shkencave është dhe mbetet një nga çështjet që kërkon zgjidhje. Si punohet në Akademinë e Shkencave dhe sidomos në njërin prej departamenteve të rëndësishme të saj, në Institutin e Gjuhësisë, studiuesi i letërsisë Behar Gjoka e përcjell me disa argumente e fakte flagrante në intervistën e mëposhtme.

Sa e vërtetë është që punonjësit me merita të Akademisë së Shkencave u hodhën në rrugë?
-Në fakt Akademia e Shkencave ishte zhbërë para se të zhbëhej nëpërmjet një të ashtuquajture reformë. Kur them të ashtuquajtur kam parasysh që në fakt kërkimi shkencor që pritej të rritej nuk është se ndodhi. Atëherë i bie të bjerë vështrimi mbrapa mbi faktin që kjo akademi pothuajse ishte asfiksuar dhe mbi atë se çfarë mori përsipër të sendërtonte në një situatë krejt tjetër të saj. Mendoj se duke menduar një riorganizim, sendërtim, në fakt ne tani kemi pothuajse një akademi inekzistente dhe një QSA që pothuajse nuk di se ç'bën në raport me Albanologjinë. Kur them kështu, mendoj dhe kam parasysh atë nivel që nuk e di se ç'epitet t'i vëmë Institutit të Studimeve Gjuhësore. Kështu, kam parasysh edhe nivelin studimeve letrare, po ashtu kam parasysh të gjitha aspektet e tjera të Albanologjisë. Pra, sipërmarrja për të bërë një QSA, një Qendër të Studimeve Albanologjike me përjashtim të emrit që është mjaft i diskutueshëm, ka dhe një aspekt tjetër për t'u trajtuar siç është programimi për të shpallur Dr. Profesor me shumicë. Kjo gjë solli shumë më pak kërkues, por nuk çoi në ndonjë rezultat tjetër.

Dolëm tek fakti që mungojnë kërkuesit shkencorë, por edhe tek mungesa e punonjësve nëpër institute...
-Kam përshtypjen që është punuar "sistematikisht" që të ndodhte kjo gjë, sepse tek e fundit fare prania e kërkimit shkencor nuk ka pse të lidhet vetëm me Institutin e Gjuhësisë, as vetëm me Institutin e Historisë, por duhet të përfshijë patjetër gjithë kontributet albanologjike brenda dhe jashtë Shqipërisë. Akademia duke u urdhëruar nga idetë burokratike, duke u udhëhequr nga dija e tyre shumë e diskutueshme dhe e papranueshme si dije, duket se është një situatë që kaq të rëndë sa tashmë po hedh vështrimin nga "profesione të tjera". P.sh, tani ka futur edhe veterinerë në institutet akademike. Po fusin kërkues që nuk kanë të bëjnë me albanologjinë etj, etj. Jemi në një nivel mediokër, ku po t'i kundrosh nga titujt akademikë ata i kanë, por nëse i kundron nga titujt shkencorë është shumë e lehtë të kuptosh që situata e Institutit të Albanologjisë është në një nivel shumë të diskutueshëm.

Probleme pezull janë edhe ato të gjuhës së sotme shqipe. Po hyjnë në gjuhën zyrtare fjalë të huaja, zhargone, përzierje pa gramatikë të njehsuar të dialekteve. Ç' qëndrim mban shkenca gjuhësore, ç'po bëjnë punonjësit aktual?
-Unë do të thosha se punonjësit e Institutit të Gjuhësisë duhet të hapin të paktën mendjen që problemi i gjuhës shqipe nuk është as vetëm te dialektet, as vetëm te letërsia e standardit; që letërsia as nuk fillon e mbaron me Kadarenë, por është edhe në mjediset e tjera. Të kuptojnë se studimi i letërsisë synohet në kërkimin shkencor, sepse ende vazhdohet të lexohet letërsia si mishërim tematik, si lexim tematik dhe kjo është falë "kontributit" të fakultetit ose "kontributit" të institutit të gjuhësisë. Gangrena më e madhe e gjuhës sot është futja e termave të huaj, dhe asgjë nuk bëhet, asgjë nuk merret në konsideratë nga Institute i Gjuhësisë. Punonjësit atje janë (po përdor një term të Sosyrit) "si gardianë që të përzënë të gjitha vlerat e tjera" gjuhësore që gjenden te arbërishtja, te gegërishtja apo të folmet e tjera. Detyra e institutit është që të hapë mendjen dhe të shikojë prirjet, të shikojë dukuritë dhe të shikojë përpara.

Akademik R. Memushaj thotë se disa kultura të gjuhës nuk lëvrohen më dhe pothuajse terminologjia e saj vjen duke u shuar. Cili është mendimi juaj?
-Pothuajse jemi në një fazë që tashmë po mbrohen profesione jashtë profesionit për të mbuluar atë që është shumë më e specifikuar. Studimi i gjuhës në diakroni e në sinkroni nuk vijon më.

Kush duhet ta bëjë kërkimin, kur nuk ka më studiues shkencorë të gjuhës, a thua janë zhdukur gjuhëtarët me përvojë?
-Unë mendoj se deri tani ka vetëm profesorë që kanë tituj, por kërkimi shkencor i tyre nuk e di se ku gjendet, nuk ka një vepër që të tregojë se kërkimet. Them nuk e di se ku gjendet, sepse unë jam përpjekur të kërkojë një libër të botuar me kërkime bashkëkohore rreth zhvillimeve të gjuhës dhe nuk ekziston.

Keni kërkuar në institucionin përkatës?
-Unë mendoj se nuk ke çfarë e ku kërkon, kur institucioni është thjesht për të graduar e për të zhgraduar njerëz dhe do të thosha se me kërkimin shkencor nuk kanë dëshmuar se kanë të bëjnë.

Është edhe kjo një akuzë që i bashkëngjitet asaj të akademikut R. Memushi që thotë se institucionet shkencore janë mbushur me shtabe militantësh. Sa evidente është kjo?
-Unë do të thosha që çlirimi nga botëkuptimi i panevojshëm, pra nga botëkuptimi jashtë shkencor, militantesk është pjesë e çdo institucioni, por kjo është më e theksuar edhe te Albanologjia. Nuk mendoj se Albanologjia fillon e mbaron me gjuhën e kosovarit, ose fillon e mbaron me gjuhën e para 90-s, por do të duhet të përshijë gjithçka që përshkruhet ën shqip, ose në gjuhë të huaj në lidhje me këtë problematikë. E vetmja dëshmi që ne na dëshmon se ne ekzistojmë si komb është gjuhësia, është albanologjia, është letërsia. Këtë dëshmi në fakt nuk po dimë se çfarë mund të bëjmë me të.

Po ju si mendoni se është më mirë që institutet t'i rikthehen akademisë, apo të lulëzojnë në mënyrë të pavarur?
-Mendoj se nëse ka akademi shqiptare, nuk është e varur nga QSA APT a po diçka tjetër. Akademia është e vetëmjaftueshme për të thënë që kërkimi shkencor ka një kupolë, kupolë që tashmë gjendet e varur në sallonet e QSA-së.

E kisha fjalën se cila rrugë duhet zgjedhur, t'i rikthehen akademisë institutet apo të integrohen si autonome në departamentet gjegjëse të universiteteve?
-Unë mendoj se në të dyja rastet do të bëjmë atë që bëjmë gjithmonë ne shqiptarët. Do të kthehemi te raporti i interesave, e kishim Akademinë. Bëri ç'bëri derdhi një monument që për interesa të caktuara të dilte jashtë loje. Të kthehej atje ku ishe nuk është normale. Por po ashtu unë e shoh me dyshim edhe faktin që të atashohesh në universitete. Në fakt universitet mund të bëjnë atë që mund të bëjë QSA-ja apo Instituti i Gjuhësisë. Ato gradojnë, emërojnë profesorët e radhës, por kërkimi shkencor i tyre lë shumë për të dëshiruar. Kërkimi shkencor nuk mund të jetë vetëm zyrtar, nuk mund të jetë vetëm në disa emra, sepse kërkimi shkencor nuk mund të jetë së pari do të duhet të merret problemet që do të duhet të japësh zgjidhje dhe të japësh zgjidhje në gjuhësi do të thotë: të prekësh plagët në të cilat gjendet gjuha shqipe sot, që bashkë me standardizim ka sjellë edhe një humbje të jo pak shenjave gjuhësore të dialekteve, bashkë me do të thosha me pranimin e fjalëve të huaja ,jo më pak humbje të shenjave gjuhësore të dialekteve, do të thosha se gjuha shqipe duket sikur është shumë -shumë e varfër.

Janë zhdukur data beiz, kompjuterë, arkiva, ç'dini ju vetë për këto?
-Këtë nuk e di, por në qoftë se ka ndodhur të gjendet përgjegjësia. Sepse të gjitha ato studime të bëra më përpara 90-s në fushën e gjuhësisë, të dialektologjisë, fonetikës, bëhen pjesë e fondit dhe të paktën ato nuk duhet të humbasin.

Studimet albanologjike shtrihen në gjithë hapësirën mbarëshqiptare, nëpër diasporat, sa e lidhur është QSA me to?
-QSA komunikon me vetveten. Harron se ka mjedise të tjera, ka hapësira kërkimi dhe komunikimi shkencor.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja