Beja: Kufiri me Greqinë
pa ligj s'ka negociata

Beja: Kufiri me Greqinë <br />pa ligj s'ka negociata
TIRANE- Ish-komandanti i forcave detare, kreu i grupit të ekspertëve negociues për ndarjen e kufirit detar me Italinë, Vladimir Beja thotë se pa ligj për kufirin nuk mund të ketë negociata për ndarjen e detit me Greqinë. Ai thotë se për emërimin e komandatit të forcave detare, është shkelur ligji duke shmangur Presidentin.

Eshtë bërë një emërim i kohëve të fundit nga ministri i Mbrojtjes Arben Imami në komandën e forcave detare, ku nuk është marrë dekreti presidencial, komenti juaj?
Me sa di unë baza ligjore përcakton qartë se komandatët e forcave detare, ajrore dhe tokësore, janë kompetencë e Presidentit të Republikës si komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Ka një problematikë që unë dua ta sqaroj. Ministri i Mbrojtjes mund ta komandojë dhe komandantin e forcave detare, pra në formën e urdhërit të komandimit, afatet ligjore të këtij komandimi nuk jam në dijeni se sa mund të shkojnë, por emërimi sipas bazës ligjore të komandantit të forcave detare, është kompetencë e Presidentit të Republikës.

Po ka pasur argumentime se me gradë më të ulët janë kompetencë e ministrit...?
Termi që po përdoret, jo nuk është kolonel, është kapiten i rangut të parë dhe është kompetencë e ministrit të Mbrojtjes, mund të them se nuk ka të bëjë grada me emërimin. Eshtë përcaktuar qartë që komandantët e forcave detare, ajrore dhe tokësore i emëron Presidenti i Republikës. Komandanti i forcave detare mund të jetë dhe nënkolonel, kolonel dhe kjo nuk ka të bëjë me detyrën apo funksionin. Në ligj është përcaktuar qartë, pa u përmendur grada, që komandantët e këtyre forcave i emëron Presidenti i Republikës.

Eshtë debatuar shumë në lidhje me shkrirjen e bazës së Bishtpallës. Si e vlerësoni një ndërmarrje të tillë?
Sëpari duhet të pyesni komandant Kudret Çelën, sepse ai është më i freskët në këtë detyrë, pasi unë jam larguar nga Flota që në vitin 1998. Ai ka informacion më të saktë, por gjithsesi gjatë këtyre viteve të fundit kam ndjekur dhe strategjinë që është përdorur për zhvillimin e forcave detare të Republikës së Shqipërisë. Heqja e një baze ushtarako detare dhe ndryshimi i destinacionit të saj është plan që hartohet nga strategjia, nga Shtabi i Përgjithshëm dhe miratohet përsëri nga Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare. Pasi drejtimi i ushtrisë është kështu sipas shkallës herarkike, por dhe në kuadër të anëtarësisë në NATO janë më të përcaktuara se sa planet e zhvillimit afatgjatë të ushtrisë. Në rastin konkret, baza ushtarake e Bishtit të Pallës nëse është gjykuar se nuk është më funksionale, me sa di unë s'është funksionale, do të ndryshojë destinacion dhe do jetë kompetencë e këtyre instancave përkatëse në bazë të Kushtetutës.

Rikthehemi përsxëri tek ndarja e kufirit detar me Greqinë. Ju keni qënë në vitin 1992 kryesues i grupit të ekspertëve negociatorë për ndarjen e kufirit me Italinë. Si e shihni ecurinë e zhvillimeve për ndarjen e kufirit me fqinjin tonë jugor?
Kam qënë kryetar i komisioinit të specialistëve që kemi bërë ndarjen e kufirit ujor me Italinë. Bisedimet kanë filluar para meje dhe kanë përfunduar në janar të vitit 1993 ku çdo gjë është bërë konform konventave ndërkombëtare dhe marrëveshjeve mes palëve Shqipëri-Itali. Është një ndarje rreth 65 përqind të kufirit tonë detar. Nuk bëhet fjalë vetëm për kufirin territorial që përcaktohet në konventat ndërkombëtare që e lënë ta përcaktojë shteti me ligj, pasi në atë kohë ne kishim ligj për kufirin. Ndërsa për marrëveshjen me Greqinë unë do të thoja që, tashmë opinioni është njohur dhe me problematikat që hasi kjo marrëveshje. Sëpari për mungesën e transparencës së bërjes së kësaj marrëveshjeje. Së dyti vetë gjykimi që iu bë kësaj marrëveshjeje jo vetëm nga opinioni civil por dhe opinioni profesional jashtë strukturave shtetërore, bëri atë që kjo marrëveshje të bindë Kushtetuesen, që ajo ta shpallë nul atë.

Po vlerësimi juaj për negociatorët....?
Marrëveshja me Greqinë, e cila u tentua të bëhej marrëveshje pasi u rrëzua, ishte një turp profesional, për të mos thënë dhe më gjërë në elementin e saj. Së dyti tashmë marrëveshja me Greqinë duhet të fillojë nga e para. Një vendim i Gjykatës Kushtetuese të detyron qartazi që kjo marrëveshje është hedhur poshtë totalisht nga gjithë anëtarët e kësaj gjykate, 9 me 0, qeveria jonë dhe ajo greke e kanë tagrin të zbatojnë jo vetëm legjislacionin kombëtar të të dyjka vendeve por dhe atë ndërkombëtar.

Po pse nuk fillon tani negociimi zyrtar, ka ndonjë pengesë...?
Kemi një pengesë, mungesën e ligjit shqiptar për kufirin. Kjo bën që shteti shqiptar, aktualisht qeveria shqiptare të mos jetë e gatshme për të zhvilluar negociatat e reja me Greqinë. Pa patur një ligj për kufirin detar, i cili në bazë të legjislacionit kombëtar dhe ndërkombëtar është obligim i vetë shtetit shqiptar nuk mund të ketë marrëveshje. Aktualisht ne nuk e kemi këtë ligj. Pa përcaktuar këtë ligj, nuk mund të fillojmë negociatat.

Vetëm me Greqinë kemi problemin e ndarjes së kufirit...?
Do të thoja që ndarja e kufirit nuk ka përfunduar edhe në Veri, me Malin e Zi. Eshtë një etapë tjetër ku përsëri shteti shqiptar, qeveria shqiptare me qeverinë e Malit të Zi duhet të fillojnë negociatat për të qënë në rregull qoftë me legjislacionin kombëtar ashtu dhe konventat ndërkombëtare. Ka pasur pengesa, por do të thosha që pengesa kryesore është mentaliteti i vetë shtetit shqiptar, i cili pak është i orientuar nga deti dhe pasuritë që ofron ky.

Greqia po e respekton vijën imagjinare të kufirit, duke arritur derisa të bllokojë dhe peshkatarët shqiptarë. Asnjë reagim nga shtetit shqiptar, si e shpjegoni këtë heshtje?
Shqetësimi duhet të jetë nga pala jonë, se përse shteti ynë nuk përcakton qartë me ligj kufirin e tij detar e pas kësaj t'i thotë shtetit fqinj që të respektojë kufinjtë reciprokë. Shqetësimi i peshkatarëve dhe shqetësimin e të gjithë atyre që merren me detin, administrata detare, komanda e rojes bregdetare si dhe drejtoria e kufirit, unë e quaj të ligjshëm dhe shteti shqiptar, qeveria dhe autoritetet institucionale, përfshi këtu kapitenerinë e portit, të mos e fshehin kokën si struci, por të propozojnë draftin për të përcaktuar saktë kufirin detar. Këtë draft dhe këtë ligj që do të dalë më vonë tua japë peshkatarëve, të cilët krahas shqetësimit që kanë për të mbijetuar në biznesin e tyre të peshkimit që është fitimprurës, por që çuditërisht për shqiptarët nuk del i tillë, pasi ngarkohen me taksa por dhe me elementë të tillë siç është rasti i Sarandës që gjobiten nga pala greke.

Pra pala jonë ka një pjesë të fajit...?
Eshe njëherë e shoh shqetësimin tek pala jonë, te institucionet tona shtetërore të cilat duhet të jenë të përgjegjshme dhe të bashkëpunojnë si në kuadrin kombëtar ashtu dhe në kuadrin e marrëveshjeve dypalëshe me fqinjët për të përcaktuar kufirin. Peshkatarëve u duhet shpjeguar qartë se ku janë kordinatata që lejohen dhe ku nuk duhet të lejohet peshkimi. Ashtu sikurse dhe roja jonë brengdetare duhet të jetë shumë e rreptë ndaj anijeve greke dhe të huaja që guxojnë të futen duke shfrytëzuar këtë okazion apo boshllëk ligjor shqiptar për të peshkuar në ujrat tona.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Zelensky thirrje Perëndimit të lehtësojë kufizimet për sulmet ukrainase brenda Rusisë

Zelensky thirrje Perëndimit të lehtësojë kufizimet për sulmet ukrainase brenda Rusisë