Bejko: Instituti i Monumenteve
përfaqëson privatët

Bejko: Instituti i Monumenteve<br />përfaqëson privatët
Jemi në zemër të Akropolit të Kalasë së Lezhës. Tashmë aty kanë nisur disa projekte të paligjshme që kanë ndërhyrë në historinë dhe proceset restauratore sipas tekave të ndërtuesve. Ndërtimi i këtyre infrastrukturave përbën një nga shkeljet, jo vetëm të kartës shqiptare të restaurimit, por në gjithçka që lidhet me restaurimet në vlerë ndërkombëtare. Arkeologu Lorenc Bejko dhe shumë të tjerë ngrenë zërin që të ruhet peizazhi historik dhe të mos pushtohet nga ndërtimet siç është bërë me qytetin antik të Lezhës, jashtë rrethinave të kalasë.

Gjatë kësaj vizite dëgjova se specialistët dhe arkeologët janë kundër kësaj ure të derdhur në beton, e cila lidh një pjesë të Kalasë. Çfarë është bërë keq. Si duhet të ishte?
-Bërja e rrugës për të ardhur deri në kala është një investim i domosdoshëm, sepse prezanton sitin arkeologjik, por kjo ura e gurit dhe e betonit që është vendosur mbi murin antik është një përdhosje e vlerës autentike të murit helenistik dhe padyshim që ka një ndikim të madh në marrëdhënien me vlerat antike, duhej një urë e lehtë prej druri ose me një skelet të thjeshtë hekuri. Mendoj se ajo duhet hequr si një gjë që shëmton relievin autentik të Kalasë.

Sot ju vetë pse gjendeni në Kalanë e Lezhës?
-Ajo që pamë deri tani është një peizazh historik jashtëzakonisht intim, jashtëzakonisht informues, edukues, edhe formues për njerëzit. Mjafton hyrja nga një mjedis kaq agresiv jashtë mureve të kalasë për në parkun arkeologjik brenda mureve të kalasë dhe sheh se ke kaluar pragun e dy botëve të ndryshme që duhen lënë pa u prekur në këto marrëdhënie që kanë. Këtu është vlera e vërtetë e Kalasë së Lezhës. Është vlera e një mënyre tjetër të menduari në antikitet, e një tjetër mënyre të vepruari. Është ai raporti që ajo shoqëri vendosi me mjedisin. Pra është një respekt që duhej të jetë shumë më i spikatur sesa qëndrimi që kemi sot ndaj mjedisit. Të ndërtosh brenda Kalasë së Lezhës. Të shkatërrosh vlerat arkeologjike mjedisore që kemi sot, kjo është dhe arsyeja për të cilën vijmë në Lezhë, është e pakonceptueshme e patolerueshme.

Autorët e Projektit të Rijetëzimit, pretendojnë se do ta kishin shpëtuar rënien e murit?
-Ky është një argument qesharak. Askush deri më sot nuk ka kërkuar mosndërhyrjen me restaurim të murit rrethues. Nuk duhet pritur një projekt privat që të ndërhyhet në restaurimin e mureve rrethuese. Kjo është një qendër historike me vlera të jashtëzakonshme dhe shteti shqiptar mund të bëjë shumë më tepër për rijetezimin.

Pse është kjo luftë e privatëve që kërkojnë ndërhyrje me Institutin e Monumenteve
-Nuk është luftë. Instituti i Monumenteve përfaqëson interesin e privatëve. Në luftë në thonjëza është shoqëria civile me qëndrimin indiferent të këtij instituti ndaj prishjes së vlerave, kur duhej të ishte ai që të interesohej për këto vlera. Institucionet e kulturës dhe Instituti i Monumenteve duhet të luftonin shumë më tepër për të frenuar oreksin e ndërtuesve për të shkatërruar monumentin e Kalasë ë Lezhës.

Mendoni se ndikon prirja për të marrë tender si kudo në këto projekte?
-Në këtë rast nuk ka histori tenderësh, është interesi i caktuar i privatëve që duan të ndërtojnë hotele dhe restorante dhe institucionet e shtetit në vend që të shohin interesin e vlerës kulturore, në radhë të parë, bëhen palë me interesin ekonomik të një individ të caktuar

Nëse ky apel juaji nuk funksionon, do të kërkoni një mbështetjeje ndërkombëtare?
-Padyshim ne kemi pasur më parë dhe jam i bindur se do të kemi edhe tani mbështetjen e UNESKO-s, të qendrës ndërkombëtare për ruajtje e Monumenteve dhe Siteve Arkeologjike IKOM-s, si dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare. Të gjitha këto janë krejt të habitura me këto gjëra e “rijetëzime” siç thuhet këtu.

Mund të konsiderohen de facto nga ligji si shkelje këto ndërtime?
-Padyshim me ligjin e sotëm të Trashëgimisë Kulturore vërtetohen si shkelje dhe ky është absurditeti më i madh.

Cilit nën apo ligj duhet t’i referohemi për ta verifikuar këtë?
-Mjafton ët shihni kartën shqiptare të restaurimit, e cila është rregullorja Këshillit të Ministrave që buron nga ligji për Trashëgiminë kulturore. Është rregullorja që rregullon mënyrën sesi ndërhyhet në qendra historike të kësaj natyre. Ajo e thotë në mënyrë të shkoqur e të qartë, që ndalohet.

(dhh/im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Propozimi i PS, a na duhet një reformë e re anti-korrupsion?



×

Lajmi i fundit

‘Wom Travel’: Shqipëria, destinacioni me plazhet më të bukura në Evropë

‘Wom Travel’: Shqipëria, destinacioni me plazhet më të bukura në Evropë