Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë kërcënon qeverinë shqiptare për Belerin, teksa nuk i eci me gjyqësorin, që është pushtet i pavarur.
Nënkryetari i Komisionit Evropian, greku Margaritis Schinas, ka shprehur “shqetësim serioz” për burgosjen e Fredi Belerit. Në një letër drejtuar komisionerit për Zgjerimin e BE-së, Oliver Varhelyi, Schinas thotë se Shqipëria, e cila kërkon hyrjen në BE, duhet të përballet me pasoja nëse kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri vazhdon të pengohet të marrë detyrën. Madje burgosja e tij, thotë nënkryetari i Komisionit Europian, është shkelje e procesit të rregullt ligjor dhe mund të interpretohet si një përpjekje për të frikësuar votuesit. “Është e qartë se Bashkimi Evropian nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj kësaj situate, efektet e së cilës janë shumë më të gjera se rasti individual i Fredi Belerit. Siç nënvizohet nga Parlamenti Evropian në rezolutën e tij të miratuar së fundmi për raportin e vitit 2022 për Shqipërinë, "kjo çështje lidhet me respektimin e përgjithshëm të të drejtave themelore, pezullimin me pronat e anëtarëve të pakicës etnike greke në zonën komunale dhe kategoritë të cenimeve ndaj shtetit”.
Greqia e di mirë se për Belerin OK-in për trajtim të barabartë të kandidatit për kryetar bashkie të Himarës me shtetasit shqiptarë, erdhi nga SHBA-ja. Kjo sepse Beleri është shtetas shqiptar, që konkurron për kryetar bashkie në një njësi territoriale shqiptare, Himara (“Ekziston edhe një krahinë, Himara, ku populli është i lirë, që quhet Shqipëria e Vogël (flet edhe greqisht)” në tekstin “Historia e Rusisë që nga kohët më të lashta”. Libri XIV. Vitet 1766-1772, faqja 476].
Më duket i çuditshëm fakti që Greqia i kërkon shtetit shqiptar që Qeveria të anulojë vendimin e Gjykatës.
Për më tepër që qysh në vitin 1971 Kolonelët nuk kishin rivendikime territoriale ndaj Shqipërisë kur nënshkruan rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
11 vjet më parë (1960) ushtria italiane e NATO-s kishte shpërndarë një njoftim se Shqipëria shtrihej deri në Artë, gjë që i ngriti nervat Athinës.
Po sikur tani Shqipëria të kërkojë ringritjen e çështjes çame!
Grekët, kur nuk u ecën me gomarin, i bien samarit, thuhet në një idiomë shqipe!
Diplomacisë dhe mediave te Athinës, që po përvëlohet nga zjarret, po u kujtoj një fakt historik:
In 1965, US President Lyndon B. Johnson said to the Greek ambassador Alexandros Matsas when he objected to American plans in Cyprus, "Fuck your parliament and your constitution. America is an elephant. Cyprus is a flea. Greece is a flea. If these two fellows continue itching the elephant they may just get whacked by the elephant's trunk, whacked good"
Në vitin 1965, presidenti i SHBA-së Lyndon B. Johnson i tha ambasadorit grek, Aleksandros Macas, kur ai kundërshtonte planet amerikane në Qipro, "Në djall – fuck - parlamenti dhe kushtetuta tuaj. Amerika është elefant. Qiproja është plesht. Greqia është plesht. Nëse këto dy shokë vazhdojnë ta kruajnë elefantin, ata thjesht mund të goditen nga trungu i elefantit, të prerë mirë"
Info
Sipas autorit britanik Ouen Pirsën (Owen Pearson në librin “Albania as dictatorship and democracy: from isolation to the Kosovo War, 1946-1998”, London, New York 2006), në maj të vitit 1960, Greqia i dërgoi një protestë të fortë qeverisë italiane ndaj një raporti zyrtar “tejet tendencioz” mbi Shqipërinë, që ishte dërguar nga Shtabi i përgjithshëm italian i mbrojtjes dhe i qarkulluar mes komandave të tjera të NATO-s në selinë supreme, atë kohë, në Paris. Fragmente nga raporti italian u botuan në shtypin grek më 29 maj 1960 dhe që u konfirmuan nga burime zyrtare.
Raporti avanconte teorinë që provinca greke e Epirit, nga kufiri i sotëm grek-shqiptar deri në pikën e gjirit të Artës, ishte në fakt territor shqiptar. Kjo tronditi thellë dhe befasoi qeverinë greke, e cila asnjëherë nuk kishte hequr dorë nga pretendimet territoriale ndaj të ashtuquajturit “Epiri i Veriut”, pra Shqipëria e Jugut.
Raporti, duke folur mbi përbërjen etnologjike të kombit shqiptar, vëren se qytetet epirote të Janinës, Prevezës, Kosturit, Pargës, Konicës etj. ndodhen në Shqipërinë e Jugut, dhe se dy të tretat e popullsisë së Epirit përbëhen nga shqiptarë etnikë “që formojnë elementët më të mirë të zonës”.
Pas artikullit, në fakt në Janinë dhe pati parulla të tilla si: “Sicilia … ne mendojmë se është greke!”. Raporti italian u konsiderua i pasaktë, i papranueshëm, dhe anti-helen, gjë që indinjoi opinionin publik grek. Qeveria italiane u akuzua se ambasada ka shpërndarë një njoftim në gjuhën shqipe, shoqëruar me një hartë të Shqipërisë së Madhe.
Ministri i Jashtëm grek Evangjelos Averof, me origjinë nga Mecovo (Meçova), një qytet epirot që raporti italian thotë se është tërësisht shqiptar, i ka kërkuar qeverisë italiane ta anulonte menjëherë raportin dhe të jepte shpjegime të plota dhe të kërkonte ndjesë. Ambasada italiane në Athinë bëri të qartë në një reagim paraprak se raporti nuk pasqyronte pikëpamjet e qeverisë italiane dhe se ky hetim i plotë ishte bërë me porosi.
Shqipëria dhe Greqia rivendosën marrëdhëniet diplomatike më 1971, në një rast ku bashkëpunimi ekonomik dhe llogaritjet strategjike bënë që Enver Hoxha dhe diktatura ushtarake greke e krahut të djathtë të viteve 1967-1974 t'i eksplorojnë shtigjet e bashkëpunimit
Në javën e parë të majit (1971) u shpall komunikatë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Greqisë dhe Shqipërisë. Hapi që bëri i ngarkuari me punë i Greqisë në Paris, Velisaropulos në ambasadën turke nuk ishte kot dhe ai i dha frytet e tij.
Një faqe re do të hapej midis dy vendeve fqinjë, aq të afërt me njëri-tjetrin, por që qarqet reaksionare dhe shoviniste të Athinës kishin bërë çmos për t’i mbajtur larg për një kohë të gjatë, me pretekstin e rremë të së ashtuquajturës gjendje lufte midis dy vendeve.
Anëtarët e juntës diktaturës ushtarake greke (1967-1973) ose “Kolonelët e Zinj”, që në vitin 1971 normalizuan marrëdhëniet me Shqipërinë dhe nuk njohën Vorio Epirin
Teksa autorët e grushtit të shtetit në Greqi deklaronin se “S’ka “Vorio-Epir”, por Shqipëri”. Janë puqur ekstremet: normalizimin e marrëdhënieve diplomatike mes Athinës dhe Tiranës e realizuan në maj të vitit 1971 diktatura e djathtë greke dhe diktatura komuniste shqiptare. Të dy palët e kanë parë këtë problem në prizmin pragmatik, pasi “Kolonelët e Zinj” kishin përkrahjen e SHBA-së. Është interesante se kreu i regjimit shqiptar shfrytëzonte dhe “lobistin” shqiptar, Vasil Zhapa, nip i të famshmit pasanik Vangjel Zhapa, që ishte martuar me vajzën e kreut të diktaturës greke, Papadopullos. Dhe ka një përkim intrigues: dhëndri i shefit të Juntës kishte qenë nxënës i Enver Hoxhës në Liceun e Korçës.
KUR AMBASADORI GREK LAVDËRONTE SHQIPËRINË
10 muaj pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Greqi, më 2 shkurt 1972, Hoxhën e informuan për bisedën dhe kërkesat që kishte bërë ambasadori grek në Tiranë (në vitet 1971-1973), Denis Karajanis, në takimin e fundit me Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ambasadori grek paraqitej “shumë dashamirës” për përmirësimin e marrëdhënieve të Greqisë me Shqipërinë.
Karajanis pretendonte se tok me Pallamasin (në atë kohë zëvendësministër i Jashtëm) kanë qenë pionierët dhe shtytësit pranë qeverisë greke për likuidimin e mbishtresave absurde që kishte vënë Greqia për të penguar realizimin e këtyre lidhjeve. Ai pra, si “pionier”, ka pas kërkuar po ashtu nga qeveria e tij që të jetë i pari ambasador i Greqisë në Shqipëri. Karajanis fliste “mirë dhe me simpati” për gjendjen në Shqipëri, pohon se habitet që këtu kudo që shkon e me këdo që piqet gjen kaq bujari dhe mirësjellje për personin e tij si ambasador i Greqisë. Në Greqi, për shkak të propagandës jo të drejtë që është zhvilluar ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, nuk mund ta imagjinonin kurrë një gjë të tillë, thoshte ai. Kjo, për fat të keq, vazhdonte ai më tutje, ka lënë akoma mbresa, që ne duhet të bëjmë çmos t’i zhdukim. Ai fliste “me simpati” për sukseset që Shqipëria ka bërë në çdo drejtim dhe, në bisedimet që bënte me përfaqësuesit e ambasadave të vendeve lindore në Tiranë, ai i kundërshtonte, pse deformonin situatën shqiptare, që ishte e qartë. Ai thoshte se ata gënjejnë dhe përçmojnë gjithçka shihet me sy se është e mirë. Shqipërinë duhet ta gjykosh si ka qenë dhe si është bërë tash, pavarësisht se je ose nuk je dakord me regjimin aktual. Ne dëshirojmë, deklaroi në Ministrinë e Jashtme ambasadori grek, të rrojmë në fqinjësi të mirë. Çështjes së pretendimeve territoriale nuk i beson njeri në Greqi dhe “gjendja e luftës” ishte një absurditet, pse sulmi italian vërtet erdhi nga territori shqiptar, por Shqipëria vetë qe pushtuar nga italianët dhe luftoi kundër tyre. Kur ne u bindëm se Shqipëria i rezistoi ndërhyrjes sovjetike dhe nuk përbënte më rrezik për Greqinë, tha ai, bashkë me këtë u zhdukën ,edhe të gjitha arsyet e tjera..
VASILI ZHAPA
Në Ditar Enver Hoxha shkruan: “23 janar 1973. Për çështjen e “Vorio-Epirit”, në popull e në gazeta, nuk flitet më në Greqi, vetëm nganjëherë dhe në ndonjë gazetë thellësisht ultrashoviniste. Shumë njerëz i janë shprehur ambasadorit tonë duke i thënë se ky problem është absurd, reaksionar. Bile nga ana greke u shkua edhe më tej. Ambasadori ynë këto javët e fundit u takua në një pritje me dhëndrin e kryeministrit Papadhopullos. Ky na qenka shqiptar, nga Labova e Gjirokastrës, quhet Vasili Zhapa, nga familja e famshme pasanike e Zhapajve. Vasili paskësh qenë nxënësi im në Liceun e Korçës dhe ka ikur në Greqi më 1945 me pasaportë të rregullt. Natyrisht, ai i foli ambasadorit tonë me shumë dashuri dhe simpati për Shqipërinë. Në mes të tjerash ai i deklaroi ambasadorit tonë se ato që thuhen për “Vorio Epirin” janë një absurditet i madh, janë gjepura të reaksionit grek. S’ka “Vorio-Epir”, por Shqipëri, grekët atje janë një minoritet shumë i vogël dhe trajtohen në më nyrë të kënaqshme saqë s’ka ku vete më mirë. Në qoftë se shtrohet çështja për rivendikime është Shqipëria ajo që, me të drejtë, mund të bëjë, si për Kosovën etj. Për këto konsiderata të dhëndrit të Papadopullosit, pavarësisht se është shqiptar, ne nuk mund të mendojmë se nuk është ngarkuar të na i thotë si përgjigje me gojë të fjalimit tim të Vlorës, ose mund të jenë edhe mendime që shkëmbehen me Papadopulosin dhe rrethin e tij familjar.
ENVERI: E DJATHTA GREKE MË E MIRË SE E MAJTA
… Në situatat aktuale qeveria e Papadhopullosit, një qeveri e djathtë, braktisi politikën e shovinistëve grekë dhe atë po aq shoviniste të ashtuquajtur të majtë të Papandreut me shokë dhe zuri përballë vendit tonë pozita më realiste. Kolonelët grekë u treguan më realistë, pse gjykuan drejt se Shqipëria socialiste, por edhe ajo e paraçlirimit, asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë një rrezik për Greqinë, e cila në asnjë rast nuk është sulmuar nga ne, asnjë rivendikim tokësor nuk kemi shprehur ne (dhe që mund ta shprehnim, po të mendonim si ata që rivendikojnë tokat tona), kurdoherë kemi dashur të rrojmë në paqe me njëri-tjetrin.”.