Greqia ka paralajmëruar veto-n për Shqipërinë për të bllokuar negociatat me Bashkimin Europian nëse kryebashkiaku i Himarës Fredi Beleri nuk lejohet të bëjë hetimin.

Mbrëmjen e sotme, në studion e ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv gazetari Stavri Marko tha se Greqia nuk ka synim vetëm çështjen e Belerit por ka si synim që në të ardhmen të arrijë të njëjtat kushte në të cilat është sot Serbia në Kosovë dhe të kërkojë të njëjtën gjë për komunitetin grek në Shqipëri.

“Veto greke do vazhdojë pavarësisht reagimeve të Gjermanisë dhe Spanjës . Loja e vetos nga Athina do të vazhdojë. Nuk e shoh vetëm tek rasti i Belerit. Greqia ka në plan ta zgjerojë cështjen e vetos derisa të arrijë atë që kërkon Serbia në Kosovë, pra ta bëjë me minoritetin e saj në Shqipëri”- u shpreh gazetari.

Nga ana tjetër, avokati Përparim Caca tha se nuk beson tek një veto e vendosur nga Greqia, duke argumentuar se shteti fqinj mbështeti Shqipërinë për statusin e vendit kandidat në BE. Sa i takon çështjes së Belerit, ai tha se në seancën që do mbahet në GJKKO në 4 dhjetor është e pamundur që Fredi Beleri të betohet si kryebashkiak pasi nuk i jepet leje duke qenë se nuk ka statusin e të dënuarit.

“Mund të bëhet ky lloj versioni, thjesht ti jepet një kohë e mjaftueshme për të bërë betimin dhe të kthehet prapë. Sepse përndryshe do duhet të zëvendësohet masa e sigurimit.  Ajo që duhet bërë është ndryshimi i masës së sigurimit që të ketë mundësi të betohet. Të paraburgosurit nuk i jepet leje se nuk ka statusin e të dënuarit”- u shpreh Caca.

Ndërsa gazetari Ferdinand Dervishi tha se kjo sjellje e Greqisë lidhet me një qëndrim historik të mbajtur ndaj Shqipërisë, duke e trajtuar vendin tonë si një vend të parëndësishëm.

“Grekët e kanë trajtuar Shqipërinë si një shtet shumë të vogël, të parëndësishëm atje matanë. Në vitin 2009 kryeministri i asaj kohe, Berisha për të pasur votën greke për të filluar negociatat për integrimin e Shqipërisë, për pak sa nuk na rrëshkiti në dëmin tonë historia e ndarjes së detit. Gjithmonë grekët kanë qenë dominues, e kanë përdorur kartën që janë në BE në dëm të popullit shqiptar. Por Himara nuk ka qenë kurrë greke”- tha Dervishi.

Sekretari i OMONIA-s, Marin Suli tha se Fredi Beleri vetëm kërkon që të shoqërohet me polici për të kryer betimin e tij si kryebashkiak i Himarës përpara këshillit bashkiak siç përcaktohet në ligj. Sipas tij, zyrtarët grekë nuk kanë kërkuar lirimin e Belerit por që t’i mundësohet betimi si kryebashkiak. Në 4 dhjetor pritet të mbahet seanca në GJKKO për të dhënë një përgjigjie mbi kërkesën e Belerit për t'u betuar si kryebashkiak i Himarës. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:33
‘Jam lab unë, s'më bën dot himarjot grek', debat i fortë mes Meçes dhe Sulit! Sekretari i OMONIA-s: Hesht se nuk të ndërpreva

 

Një debat i fortë u zhvillua në studion e ‘Repolitix’ mes ish-deputetit Arban Meçe dhe sekretarit të OMONIA-s, Marin Suli sa i takon votuesve në bashkinë e Himarës për zgjedhjet vendore të 14 majit.

Ish-deputeti tha se nuk është e vërtetë se për Belerin kanë votuar himarjotët, duke i kërkuar që të mos i përfshijë të gjithë zonat e Labërisë kur flet për këtë gjë.

Pjesë nga debati në studio:

Meçe: Gjysma e labërisë, Kuçi, Kërbaçi kurrë nuk kanë qenë greke. Nuk është e vërtetë që ka votuar komuniteti grek zotëri, sepse kanë votuar disa komunitete. Nuk mund të më bësh mua himarjot greek ti mua sepse jam lab.

Suli: Po cfarë labi je ti more, po hesht aty se nuk të ndërpreva

Meçe: Vazhdo

Suli: Nuk ma cakton ti mua, i kape lekët për sot je në rregull

Meçe: Kape lekët tha, po pse more i sheh të gjithë si vetja jote ti. Jeni të pafytyrë ju dhe të gjithë i shihni njësoj. Ne të labërisë nuk biem kaq lehtë në kurthin tuaj. Kemi dhënë prova për këtë punë.

Suli: Mos ngatërro dëllenjën me rrushin. O mizë mos më bezdis, më lër të flas

Meçe: Votues i bashkisë Himarë më thuaj mua po jo votues himarjot.