TIRANË- Çështja e Fredi Belerit ka krijuar tensione mes Shqipërisë dhe Greqisë, ndërsa kjo e fundit pavarësisht presionit nga Bashkimi Europian vijon kërcënimet se do të bllokojë rrugëtimin e vendit tonë drejt integrimit europian. Kësaj here është CNN grek që shkruan se Greqia i ka paraqitur Coperer-it (komiteti i përfaqësuesve të përhershëm të vendeve anëtare në BE ), një rezervë të shprehur në lidhje me ecurinë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë.

Sipas mediave, Greqia nuk do të japë pëlqimin për ecurinë e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë, për sa kohë që nuk ka zhvillime pozitive në lidhje me marrjen e detyrës së kryetarit të zgjedhur të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, në burg që prej muajit maj. CNN shkruan se për Athinën zyrtare çështja e anëtarësimit të Shqipërisë në BE do të konsiderohet e lidhur me qëndrimin që do të tregojë Tirana për çështjen Beleri.

Kjo nuk është hera e parë që Greqia kërcënon me bllokimin e negociatave për Shqipërinë, ndërsa ka pasur edhe reagime nga institucionet e Bashkimit Europian. Vetë kryeministri Edi Rama ka thënë se nuk beson se Greqia do të bëhet pengesë për rrugëtimin e Shqipërisë në BE, por duket se Athina zyrtare nuk po tërhiqet.

Berlini zyrtar e ka quajtur të papranueshëm pretendimin e Greqisë për të penguar rrugën e integrimit të Shqipërisë për çështjen Beleri. Ndërsa gazeta Kathimerini shkroi se edhe Spanja po i bën presion Greqisë që të pranojë firmosjen e letrës në emër të Këshillit Evropian në Tiranë, në mënyrë që Shqipëria të hapë negociatat për tre grup-kapitujt e parë.

Shqipëria përfundoi me sukses fazën paraprake të negociatave të anëtarësimit në BE, procesin e screening, të premten e kaluar pas 14 muajsh bisedime.