-Po ti a do të votosh? – pyes një student të fakultetit tim i cili rastësisht ishte ulur ngjitur me mua, në rreshtin e fundit të auditorit ku po zhvillohej një takim me përfaqësuesin e OSBE-së. Ndërkohë që i ftuari, me një shqipe të kulluar, me elokuencë miqësore e tërheqëse, po i përgjigjej pyetjeve të studentëve në minutat e fundit të debatit me temë mbi rolin e të rinjve në politikë, vendosa t’i bëj unë pyetje studentit që kisha krah, edhe për t’i tërhequr vëmendjen nga ekrani i celularit që shihte herë pas here. 

- Unë? Jo nuk votoj, s’kam votuar asnjëherë- më përgjigjet, duke mbledhur supet. 

- Po pse? – vazhdoj të ngul këmbë.

-Nuk më intereson, prindërit e mi votojnë rregullisht, më thonë ik voto por unë nuk votoj më përgjigjet pa u munduar fare.

Pas kësaj fjalie të shkurtër por të qartë, e kuptova se pyetjet e mia po i dukeshin të bezdisshme dhe vendosa të mos e vazhdoja bisedën.

Pse nuk votojnë të rinjtë? Në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, sipas shifrave zyrtare të KQZ-së votuan vetëm 14% e të rinjve që do të votonin për herë të parë. Ndërkohë, shifrat e BE-së për zgjedhjet e fundit të Parlamentit Europian të qershor 2024, tregojnë një pjesëmarrje prej 54%.  Pse të rinjtë tanë, të lindur pas viteve 2000, në dekadën e dytë të demokracisë, nuk kanë dëshirë të marrin pjesë në votime?

Që të bëhesh votues duhet që të jesh i socializuar me politikën. Kjo do të thotë që në jetën e një qytetari, të ndodhë një proces ku zhvillohen vlerat, idetë, sjelljet dhe perceptimet mbi atë që është e drejtë dhe e gabuar, mbi të mirën e përbashkët dhe vendimmarrjen politike në funksion të kësaj të mire. Këto ide e perceptime formojnë ideologjitë ku fillon të besosh me kalimin e kohës, dhe ku kupton si duhet të ndodhë zhvillimi ekonomik, në funksion të një shoqërie të drejtë.

Ky proces vjen në mënyra të ndryshme, e në zanafillën e tij rolin kryesor e luan familja pra prindërit, gjyshërit, motrat e vëllezërit. Më tej, në moshë më të avancuar rolin kryesor e luan programi shkollor që ata ndjekin, që në klasat e para të arsimit fillor, në shkollat e mesme dhe në universitet.

Në vendin tonë, sipas Ligjit të Arsimit të Lartë në fuqi, shteti garanton autonominë dhe lirinë akademike (neni 5, pika 2) por gjithashtu, i njëjti nen (pika 3) përcakton se institucionet e arsimit të lartë ruajnë neutralitet politik. Që të ruash neutralitet politik do të thotë që në auditoret tona të mos flitet për politikën e përditshme. Si mund të kesh liri akademike kur nuk mund të bësh debat, mbi procesin më të rëndësishëm që ndodh në një komunitet të civilizuar, që është debati politik?

Kjo nuk ndodh në universitetet bashkëkohore ku ka klube studentore të organizuara në bazë të ideologjisë politike e partive politike, ku ndodhin diskutime në mënyrë të rregullt, duke ftuar edhe kandidatë në zgjedhje apo funksionarë politikë. Mjafton të përmendim Universitetet më në zë si Oxford dhe Cambridge, apo Leinden, Siences Po, Humbold etj. Në këto universitete flitet për vendimmarrje konkrete të politikës, madje në momente zgjedhore janë shumë intensive. Kandidatët për Parlamentin Europian ftohen vazhdimisht të shpalosin platformat e tyre dhe të rrahin mendimet me brezin e ri. Ne kemi një ligj që këtë nuk e lejon.

Në fakt neutraliteti institucional dhe debati politik nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Ky i pari, ka për qëllim të mos krijojë situatat ku të thuhet “Universiteti mbështet X kandidat”, kurse i dyti është pjesë e edukimit qytetar që duhet të jetë baza e çdo universiteti. Universiteti mund të jetë neutral si institucion por njëkohësisht të krijojë hapësira për rrahje medimesh politike. Sepse politika është vendimmarrje për të mirën e përbashkët, për rregullat tona të bashkëjetesës të cilat janë në dorë të atyrë që votojmë, e kjo fare mirë mund të mbështetet me klube studentore ideologjike, ftesë të aktorëve politikë, etj. Mungesa e debatit politik, detyrimisht çon në studentë të pa socializuar, shpesh edhe të painformuar siç duhet, apati e mbi të gjitha auditore të heshtura e sterile.

Në ShBA fëmijët mësohen që të klasat më të ulëta të socializohen me politikën dhe e konsiderojnë atë si një process thelbësor ku merren vendimet se kujt i takon çfarë. Përmendim këtu programin “Karakteri ka rëndësi” (Character Counts Program) ku nxënësit marrin mësime mbi qytetarinë, politikën, zgjedhjet, duke formësuar edhe gjashtë shtyllat e karakterit: respekti, besimi, përgjegjësia, ndershmëria, kujdesi dhe qytaria, të cilat krijojnë dhe idenë e të mirës së shoqërisë, pra objektin e politikës. Argjentina gjithashtu, ka dhënë një shembull të përfshirjes së të rinjve në politikë me një program “Gazetat në Shkollë” ku nxënësve të klasave më të larta u jepen gazeta falas për t’i diskutuar me njëri – tjetrin.

Të rinjtë tanë nuk marrin pjesë në politikë, sepse ne i shtyjmë gjithmonë larg saj, madje i izolojmë prej saj në emër të një ligji frikacak. Për këtë arsye, ndërkohë që sheshet e Europës, ku ne duam të bëhemi pjesë, janë mbushur me studentë me flamuj në duar duke marshuar për paqen në Gaza apo në Ukrainë, të rinjtë tanë janë thjesht apatik.  Ata heshtin, jo për faj të tyre, por sepse ne nuk u kemi shpjeguar se ajo që po ndodh është çështje politike, parimore e të drejtave dhe si e tillë u përket të gjithëve. Të rinjve tanë, u kemi lënë të dispozicion vetëm retorikën e një politike bazuar në inate individuale, servirur nga ekranet e rrjeteve sociale, përqendruar në emrat e 5-7 individëve, duke mos u dhënë atyre mundësi të kenë akses në hapësira debati aty ku gjenerohet dije, pra në universitete dhe shkolla. Vetëm përmes edukimit politik dhe pjesëmarrjes reale në vendimmarrje, të rinjtë do të ndihen pjesë e së ardhmes që duan të ndërtojnë.