Franca e mori me ngut presidencën e saj në vitin 2022. Intensifikoi takimet me krerët e vendeve të ndryshme të Evropës dhe një pjesë të axhendës së saj ia kushtoi kryesisht vendeve të Ballkanit Perëndimor. Duke marrë parasysh konjukturat e saj të brendshme, ajo arriti të kalonte shumë syresh dhe madje t’i drejtohej direkt me një modalitet zgjidhje ngërçit të Bullgarisë me Maqedoninë e Veriut, faktorit kryesor të bllokimit të integrimit evropian të MV-së dhe Shqipërisë. Më kot, kryeministri Rama shpalli ambicien e Shqipërisë të ndahej në planin e vet integrues nga MV-ja: Brukseli ia priti që në fillim se kjo nuk do lejohej, ngaqë modalitetet e zgjerimit janë gati kanonike, kur vendosen njëzëshëm nga evropianët!
Dhe, në samitin e fundit të BE-së, Rama, Vuçiç dhe tashmë dhe Kovaçevski e panë me sytë e tyre se çdo të thotë premtim bosh dhe buzëqeshje nga BE. Të qeshësh me ironinë. Megjithëse të tre zyrtarët e lartë të Ballkanit e dinin dhe mundohen ta shpjegojnë, duket se vendimi i parë i tyre do ishte më i drejti: të mos shkonin fare në Bruksel. Është bërë fare pak përparim në procesin e Zgjerimit qysh nga samiti i fundit në Slloveni, kur ky vend kishte presidencën në tetor 2021.
Të mendosh si është zhgënjimi, mund ta kuptosh kur e sheh te vendet tona: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, kanë gati dy dekada që presin nisjen e negociatave, përmes kushteve, pengesave dhe detyrave, që vetëm shtohen dhe modifikohen. Maqedonia e Veriut pothuaj është shndërruar deri në identitet nga këto kërkesa. Shqipëria pret Godonë, në formë metaforike. Ndaj, kryeministrit aspak karizmatik të Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, shprehu pakënaqësinë jo thjesht për dinamikën aktuale të integrimeve evropiane, por edhe duke kërkuar garanci se Bullgaria, si frenues kryesor i procesit, nuk do të vendosë më kushte të reja për vendin e tij. Po kush e di vallë, se nuk do të dalin të tjera syresh?! Në Bruksel sërish vetëm qeshin, sikur duan të kafshojnë.
“Ndjehem mirë që jam në Bruksel si evropian, por edhe keq sepse nuk mund të jemi ende me të drejta të plota si evropianë, por si mysafirë në një shtëpi të ndarë”, tha Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë me zakonin e përdorimit metaforik të argumenteve të veta.
Në fakt, BE-ja nuk e ka të qartë dhe vetë politikën e zgjerimit, ndaj megjithë pezmin e kryeministrave dhe ankesat e vazhdueshme të Vuçiç, duket se nuk ka një datë kur BE-ja planifikon të zgjerohet në Ballkanin Perëndimor. Kjo është mbase e fundit gjë që presin ballkanasit, ku në rrallë me to Kosova, që ka bërë sakrifica të panumërta, pret ende liberalizimin e vizave dhe Bosnja po përplaset nga dita në ditë me tensione të tre komuniteteve të saj etnike, të lodhur nga një retorikë burokratike e drunjtë e BE-së dhe e zyrtarëve të saj. “Gjatë diktaturës në Jugosllavi qytetarët e Kosovës kanë mundur të lëvizin lirshëm. Që kur janë liruar, çlirimtarët i kanë mbajtur peng”, shtoi Rama, që ka bërë ironi edhe me sëmundjen e Putinit dhe BE-në.
Të gjitha këto i ka shfrytëzuar Vuçiç, sipas mënyrës së tij, që me një analizë sasiore kishte nxjerrë se: ”…nga 24 shkurti, kur filloi pushtimi rus në Ukrainë, në mediat evropiane janë publikuar 2629 artikuj, ku thuhet se Serbia kërcënon të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, se kërcënon sovranitetin e Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës”. Por, ndërkohë, Vuçiç ka mohuar gjithashtu se nisma e Ballkanit të Hapur, …”bashkëpunimi ndërmjet Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut – ishte ide e kryeministrit hungarez Viktor Orban apo presidentit rus Vladimir Putin”.
Ndërkohë që ekspertët e shohin me shumë shqetësim edhe propozimin e Macron dhe Michel për të krijuar një komunitet politik, i cili mund të përfshijë gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor dhe partnerë nga Lindja, veçanërisht Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë. Kjo, jo vetëm, nuk është e dobishme për procesin e zgjerimit, të paktën për Ballkani Perëndimor, por do japë më shumë argumenta kundër tyre, kur të shikohen problematikat reale të këtyre vendeve,
Qershori 2022 tregoi se nga Brukseli vijnë shumë mesazhe inkurajuese, por gjithnjë e me pak vendime konkrete, nga liderë që vetëm qeshin dhe të rrahin shpatullat. BE-ja e ka politizuar kaq shumë procesin saqë shtetet anëtare e përdorin për politikë të brendshme, ashtu si nga ana tjetër është tepër teknik këndvështrimi i Komisionit.
Ka një rrugë por burokratët e Brukselit bëjnë sikur nuk e kuptojnë si duhet: do të ishte më mirë që BE-ja të merrej me detaje teknike derisa vendi kandidat të bëhej gati për të diskutuar Traktatin e Anëtarësimit, në vend të detyrimit shumë të lodhshëm për të gjitha vendet anëtare që të mbështesin njëzëri çdo hap ose ta bllokojnë atë. Duheshin zhbllokuar, por evropianët e kanë mendjen nëse Putin është sëmurë apo jo, që të vazhdojnë të qeshin me Ballkanin, Ukrainën dhe këdo. Tek e fundit, ne jemi për të qeshur, kurse vetë Evropa ka nisur me kohë t’i duken simptomat e sëmundjes.