Ben Andoni: OKB, Marrëveshja e Kumanovës dhe Shqipëria

Ben Andoni: OKB, Marrëveshja e Kumanovës dhe Shqipëria

Asambleja e OKB-së

Shqipëria mbart këtë muaj drejtimin e Presidencës së Këshillit të Sigurimit (KS) të OKB-së nga Shtetet e Bashkuara. “Ne duam sa më pak Kosovë në Këshillin e Sigurimit dhe sa më shumë Kosovë në OKB. Kosova nuk është më çështje e sigurisë me të cilën duhet të merret Këshilli i Sigurimit”, është shprehur për median tonë, ambasadori i Shqipërisë, Ferit Hoxha. Por, me çfarë duket, Kosova do të duhet të jetë temë diskutimi e Këshillit të Sigurimit jo vetëm derisa Shqipëria të jetë në krye gjatë shtatorit, por edhe gjatë mandatit të saj si anëtare, sidomos për ta rifutur dialogun Kosovë-Serbi në hullitë e duhura.

Sulmi i fundit ndaj policisë së Kosovës është më i freskëti në serinë e gjatë të provokimeve bërë nga serbët. Paçka se deri më tani, s’ka asnjë ‘identifikim’ zyrtar të agresorëve, duket se zhgënjimi i parë është reagimi ‘i ftohtë’ që vjen nga Brukseli zyrtar. Të mendosh 30 veta në një sulm të mirëmenduar, me taktika ushtarake dhe të pajisur mirë, atëherë të bën të kuptosh që përtej provokimit, serbët janë hedhur një hap më tej: Për t’i treguar të gjithë autoriteteve qoftë lokale si edhe ndërkombëtare që në Veri të Kosovës mund të bëjnë çfarë të duan… Qeveria e Kosovës, nëpërmjet kryeministrit Kurti, ka treguar se pse është e vështirë të pengohen infiltrime të tilla: fakti e një perimetri aq të madh kufitar të komunës së Leposaviqit me Serbinë duket se është i justifikueshëm, pasi është shumë e vështirë të menaxhohet me madhësinë e ekuipazhit të tanishëm.

Dy pika kufitare, që kanë ende status të paqartë e bëjnë akoma më të lehtë pjesën e kontrabandës në Veri dhe e infiltrimeve të ndryshme. Kjo ka qenë edhe një nga argumentet që ka gjetur qeveria e Kosovës për logjistikën e grupit sulmues. Një burim i MPB së Kosovës, duke iu referuar ministrit serb në Kosovë, Rashiq, deklaron se ata persona kanë pasur armë dhe mortaja!! Ky armatim kërkon shumë logjistikë dhe mbi të gjitha tregon një shkelje të hapur të Marrëveshjes së Kumanovës. Në fakt, muaj më parë, një deputete britanik e ka thënë hapur se në objektet serbe të kultit po shkojnë armë. Kjo është mohuar.

Le të kthehemi pak pas. Po pse duhet të diskutohet sërish për Kosovën në Këshillin e Sigurimit dhe për fat në këtë kohë që Shqipëria gjendet aty?! Për një arsye të madhe, që u përmend më sipër: Serbia ka kohë që e ka thyer Marrëveshjen e Kumanovës. Është aq evidente kjo, saqë kapja e policëve brenda territorit të Kosovës pak javë ma parë dhe sulmi i pak orëve më parë të një njësie speciale (“ende të paidentifikuar”) me një armatim që pengohet hapur nga kjo marrëveshje, janë dy nga rastet më të freskëta sesa mund të jetë ajo në fuqi. Për të freskuar kujtesën e publikut përmendim se ndër të tjera në këtë Marrëveshje parashihej për trupat e ndryshme serbe:

c) që nga Kosova të largohen të gjithë personat dhe organizatat me aftësi ushtarake duke përfshirë armatën e rregullt dhe forcat e marinës, civilë të armatosur, paramilitarë, forcat ajrore, garda kombëtare, policia kufitare, rezervistët, policia ushtarake, shërbimet informative, MUP-it, policia lokale, speciale, antirebeliste, antiterroriste dhe çdo grup i përcaktuar kështu nga KFOR-i.

d) u caktua një zonë sigurie ajrore 25 kilometra përtej kufirit të Kosovës, e ndërsa në pikën

e) u caktua një zonë 5 kilometrash përtej kufirit me RFJ-në që nuk guxonte të vendosen armatimet e rënda dhe ushtria, përveç ushtarët kufitarë.

Duke ditur se forcat serbe tashmë kanë ngritur pika ushtarake shumë afër kufirit me Kosovën; në momente krize, jo vetëm se kanë patrulluar por dhe kanë fluturuar brenda hapësirës së kufizuar por edhe janë afruar madje përtej, të bën të mendosh se ka një lëshim të pakuptueshëm ndërkombëtar. Në mendjet e studiuesve por edhe të njerëzve që merren me të Drejtën Ndërkombëtare, marrëveshjet e paqes kanë qenë të shenjta, si ajo që ndodhi në Versajë apo si ato që u bënë pas Luftës së Dytë Botërore dhe duan apo nuk duan sot, kanë sjellë paqe dhe janë respektuar.

Për fat të keq, nuk ka ndodhur kështu me Kumanovën. Në një artikull të tij (Legal Aspects Related to the Termination of the Kumanovo Agreement (1999) and Possibilities for Serbian Armed Forces to return to Kosovo in Case of Termination of that Agreement) studiuesi i njohur serb i të Drejtës Igor Janev ka treguar pozicionin sfidues serb. Po mundohemi ta citojmë: “…në rezolutat e mëparshme 1160, 1198 dhe 1203 të KS të OKB-së, nuk është dhënë asnjë autorizim i qartë në formulimin e tyre për ndonjë shkelje të tillë të sovranitetit kombëtar. Në Rezolutën 1160, për shembull, KS vetëm kujtoi mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve të mëtejshme, nëse kërkesat e KS nuk do të përmbusheshin nga RFJ.

Ky formulim ishte ligjërisht i dyshimtë, pasi sovraniteti territorial është një parim bazë i përfshirë në Kartën e OKB-së. Sa i përket Rezolutës 1244 të KS, autorët perëndimorë (SHBA, MB, etj.) të asaj rezolute kanë argumentuar se ky akt ka parashikuar një miratim ex post facto të veprimit të NATO-s. Megjithatë, askund rezoluta nuk lejon asnjë miratim të pushtimit ushtarak të detyrueshëm ose veprimit civil të OKB-së ose vendosjes që zëvendëson organet kushtetuese të Serbisë në krahinën e saj. Aksioni inkursion i NATO-s nuk u mbështet me rezolutën e Këshillit të Sigurimit, as në rastin e ndërhyrjes ushtarake, as në procesin e një traktati-parakusht për përfundimin e ndërhyrjes brutale. Prandaj, prokurimi i “Marrëveshjes Ushtarako-Teknike ndërmjet Forcave Ndërkombëtare të Asistencës për Sigurinë (“KFOR”) dhe Qeverisë së RFJ-së” (ose “Marrëveshja e Kosovës” (KA) duket se është në kundërshtim me parimet e së drejtës ndërkombëtare. ..

Sipas mendimit tonë, një ndërhyrje e mëparshme ushtarake e NATO-s në Kosovë nuk mund të trajtohej ligjërisht si një veprim legjitim/ligjor apo ligjërisht i miratuar, duke pasur parasysh se bombardimi brutal i RFJ-së u provokua nga refuzimi i qeverisë së RFJ-së për të lidhur një traktat tjetër në përpjekje për ndikim të dukshëm (Marrëveshja e Rambujesë). Akti i përfundimit të luftës ose më mirë agresioni ilegal ndaj RFJ-së sigurisht që nuk përfaqëson një akt pushtimi ndërkombëtar (oçupatio bellica), sepse ndërhyrja dhe marrëveshja ndërmjet Beogradit dhe NATO-s ishte subjekt i miratimit të mëvonshëm (d.m.th. të kushtëzuar/potencial) nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së si traktatin e pushtimit, dhe RFJ-ja me sa duket u detyrua për ta nënshkruar atë.

Përveç kësaj, në lidhje me Kosovën si rajon të saj, Serbia (dhe RFJ) po vepronte në vetëmbrojtje kundër pushtimit të huaj të provokuar nga refuzimi i ultimatumit të marrëveshjes së Rambujesë. Gjithashtu duhet theksuar se territori i Kosovës dhe Metohisë (krahina serbe) ishte vendosur nën një lloj mbrojtjeje të paligjshme të OKB-së, pavarësisht se nuk ishte dhe nuk mund të ishte nën “statusin e protektoratit”, pasi nuk kishte asnjë traktat të tillë ndërmjet OKB-së dhe çdo shteti (ose anëtar të OKB-së) për një marrëveshje të tillë mbrojtëse. Statusi i “protektoratit” (që sipas definicionit rregullohet me marrëveshje (dhe në juridiksionin e Këshillit të Sigurisë së OKB-së)) në kohën e miratimit të Rezolutës 1244 të KS nuk mund të kishte marrë parasysh se Kosova nuk ishte shtet ( ose ndonjë subjekt i tillë që plotëson kushtet për të qenë “protektorat”), dhe për rrjedhojë, “mbrojtësi” (shteti ose Organizata) nuk mund të ekzistojë në këtë rast”, shton studiuesi i Institutit serb të Studimeve Politike.

Kjo pjesëz duket si sofizëm sot, por duket qartë se studiuesve shqiptarë të këtej dhe andej kufirit, i presin shumë e shumë sfida argumentuese në të ardhmen. Ndaj, duket se Kosova duhet trajtuar sa më gjerë dhe me sa më shumë profesionalitet, sidomos tashmë që Shqipëria është në këtë strukturë të lartë të OKB-së. Është fat, që jemi në Këshillin e Sigurisë dhe sidomos tani për Kosovën, kur ka nevojë më shumë se kurdoherë për frymëmarrje. Të paktën, të detyrohet që të kujtohet dhe të respektohet si duhet Marrëveshja e Kumanovës nga palët. Kjo do të jetë ndihma më e madhe për statusin e saj në dialog por edhe për të ardhmen, qoftë e njeh apo jo Serbia dhe cilado nga pesë shtetet refuzuese të Evropës.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Haka Tekizoti: 27/09/2023 18:19

    Pavarësisht se si u çlirua nga pushtuesi serb, Kosova është shtet i pavarur dhe shpallja e pavarësisë së saj është çertifikuar nga Gjykata Ndërkombëtate si një shpallje që nuk bie në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Kjo është ajo që i hedh në kosh të plehrave të gjitha sofizmat rreth kësaj çështjeje.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

NBA/ Oklahoma lider në Perëndim, Bucks humbasin sërish! Fitojnë Miami e Memphis

NBA/ Oklahoma lider në Perëndim, Bucks humbasin sërish! Fitojnë Miami e Memphis