Ben Andoni: Të mundësh Ramën s’do të thotë ta shpëtosh demokracinë…

Ben Andoni: Të mundësh Ramën s’do të thotë ta shpëtosh demokracinë…

Edi Rama

I gjithë artikulimi sotëm i njerëzve të grupimeve të PD-së shkon de jure në një drejtim: Duhet çmontuar Rama, sepse pastaj vjen vërtetë demokracia! Edhe kur përplasen ashpër mes tyre dy pjesët e PD-së, sërish artikulojnë vetëm diçka: Rama është më e keqja e këtij vendi. Mjafton, të largohet Rama dhe gjithçka ndryshon. Në zgjedhjet e fundit për pushtetin lokal, mëtuesi PD-së për karrigen e kryebashkiakut të Tiranës ndoqi një strategji tjetër: Zhbëri krejt punën e Veliajt, kryetarit aktual dhe vazhdimisht pohonte se përballja me të ishte nga gjërat më të lehta!! Në fakt, opozita, këtë përballje u mundua ta bëjë edhe në tre zgjedhjet e fundit, duke treguar se konkurrimi me Ramën ishte shumë i thjeshtë!!! Kuptohet se pak më vonë u ndërrua narracioni dhe madje u përgatit dosja e zakonshme me moton: Na vodhën votën! Dhe, më ‘pragmatistët’ e tyre e kuptuan: Me Ramën nuk fitohet drejt, ai fiton gjithnjë. Nga ana tjetër, kryeministri e ka ushqyer me cinizmin e tij natyral, jo vetëm kur i qesëndis, por më shumë se kaq kur e shprehu publikisht se do të tërhiqet kur të dojë ai!! A është kjo demokracia që donin shqiptarët?

Se në çfarë gjendje është demokracia jonë, e tregon përballja e opozitës mes vete (deri sa edhe dhuna po bëhet e zakonshme) dhe sidomos perceptimi i tyre i deri më tanishëm për institucionet. Mbi të gjitha, sjellja e tyre deri më tani po tregon dhe projeksionin sesi mund të sillen ata realisht nëse do të kenë pushtet. E fundit gjë ndodhi me tryezën e Kodit Zgjedhor dhe sidomos ndërprerja e punës së Komisionit të Medias në Parlament, që drejtohet nga kolegia e tyre, treguan sesa shterp është debati i tyre për demokracinë dhe mbi të gjitha ajo, që ata mund të kontribuojnë për demokracinë e vërtetë.

Le të kthehemi pak pas: Pa dalë ende vlerësimet e raportit (2023) të Freedom House, ne vazhduam të jemi po në të njëjtën kuotë demokracie, ku Shqipëria regjistroi një rritje të vogël në rezultatin e saj të përgjithshëm nga 3.75 në 3.79 bazuar në një vlerësim të vitit 2022. Kjo rritje i atribuohet kryesisht përmirësimit të korrupsionit pas disa aktakuzave të profilit të lartë dhe dënimeve të ish-zyrtarëve dhe sidomos progresit në promovimin e luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Megjithatë, raporti: konstaton “progres të vogël të qëndrueshëm drejt shndërrimit në një demokraci liberale të plotë“; prandaj mbetet një regjim hibrid, ku për të shkuar në kuotën që referohet si një demokracie gjysmë të konsoliduar, Shqipëria duhet të kapi pikën 4.01, që të etiketohet e tillë, referuar Euroaktiv.

Për publikun po përsërisim shqetësimet e tjera, që tregon raporti, ku flitet për një mjedis politik armiqësor ndaj vlerave demokratike liberale, çështjet me shtetin e së drejtës dhe të ashtuquajturit liderë partiakë me grusht të hekurt, që sundojnë pa marrë parasysh pak demokracinë e brendshme partiake. Ne mund t’i shtojmë edhe financimin e tyre dhe mungesën e transparencës. Duket se sensi i ashpër i krerëve aktualë të politikës dominon sot politikën shqiptare. Kemi të gjithë partitë kryesore të Opozitës dhe ato që nuk janë me to, që nuk i kanë ndërruar kryetarët edhe pas humbjeve të vazhdueshme, por ndërkohë e kupton kur shikon përballjen e tyre me vlerat demokratike brenda grupimeve të tyre respektive. Jo vetëm për mungesën e transparencës por pastaj për forcën sesi i drejtojnë formacionet e tyre vetëm për të qenë detashmente për zgjedhje, ku në rast fitore do të shpërblehen me poste.

Së fundmi, grupi i Rithemelimit ka treguar se nuk është shumë i interesuar për normalitet. Edhe pse në hapjen e Legjislaturës së re asistuan (më saktë) tentoi presidenti i vendit  Begaj, kurse Trupi Diplomatik ishte prezent, ata treguan mospëlqimin e hapur duke penguar gjithçka me akuza për presidentin e përdorur, sipas tyre dhe maxhorancën e korruptuar. Vetëm se ndërsa për legjislaturën e kaluar ia lanë fajin Bashës, duke u justifikuar me gjithçka për bojkotin, sot, po përsërisin në një moment atë që nuk pritet prej tyre mungesën totale të bashkëpunimit. Këtë paradoks shqiptar e shpjegon më së miri George Bernard Shoë: “Demokracia është një mjet që siguron që ne nuk do të qeverisemi më mirë sesa meritojmë”.

Ka pak ironi, por mungesa e një udhe, ku mund të kanalizohet ose të pritet një marrëveshje politike për vendin me forcat e vetë autorëve politikë, është krejtësisht e munguar. Dhe, kjo sepse njerëzit e Rithemelimit më shumë pëlqejnë këtë situatë, që paradoksalisht i përshtatet si s’ka më shumë Pozitës, paçka se është absurde dhe madje kanë mundësi, edhe tani që të përfaqësohen në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Apo se mund të gjendesh një modul, që Alibeaj të përfaqësonte jo vetëm Demokratët Legalë por edhe ata, që vazhdojnë një luftë pa princip. Në këtë sens, demokracia jonë, duket se edhe në raportin e ardhëm do mbetet në këto kuota demokracie.

Duke parë këtë bllokim nga opozita dhe arrogancën e shpeshtë të maxhorancës, që duket qysh nga interpretimi që po i bëjnë procesit të Kodit zgjedhor, ku sipas tyre nëse kalon koha do procedonin dhe vetë, të lind pyetja: po pse Opozita nuk gjen udhë të tjera. Edhe këtu, përgjigja e tyre është e vrulltë: Rama i ka bllokuar të gjitha. Dhe, kjo është deridiku e vërtetë me pushtetin e pakufi të njeriut të parë të Ekzekutivit mbi institucionet. Në një ekzekutiv, që tashmë nuk kontrollohet jo vetëm nga parlamenti në tërësi, por edhe nga Grupi Parlamentar i PS-së, duhet të ketë një qëndrim ndryshe, që opozita po e humbet prej sherrit por edhe me një manifestim sistematik poshtë shtëpisë së Berishës, për të cilin tashmë do të flasë Drejtësia.

Demokracia që prisnim të kishte vetëm ngjitje ka vetëm erozion tek ne, sepse pushteti është tejet i përqendruar dhe i ka dobësuar institucionet. Shqipëria, nga ana tjetër, po e përball me një ekonomi të paqëndrueshme, ndarje të thella brenda shoqërisë dhe polarizim politik, që po e gërryen seriozisht demokracinë. Formula e zhvillimit dhe që e dinë shumë mirë edhe njerëzit e opozitës është të sillen sikur të jenë në pushtet. Të paktën çdo vend që sot konsiderohet i zhvilluar, e ka arritur këtë nivel respekti të demokracisë dhe pastaj ka ardhur për inerci edhe përparimi ekonomik, por vetëm pasi ka plotësuar më parë këto kritere politike nga maxhoranca dhe opozita në pozicionet e tyre. Politikanët, që kanë pasur objektiva kryesore zhvillimin dhe fuqizimin ekonomik të vendit, kanë nxitur dhe kontribuar në ecjen përpara dhe forcimin e demokracisë në vendet e tyre. Kurse tek ne, politika mbikalon gjithçka. Ndaj nuk çuditemi që Shqipëria renditet në vendet e fundit, referuar të ardhurave për frymë vlerësuar nga Banka Botërore prej 19 mijë dollarë ndërkombëtarë (kjo e llogaritur sipas standardit të fuqisë blerëse), (Monitor, 2023).

I gjithë argumenti, ende, s’është rasti i Shqipërisë për fat të keq, pasi opozita vazhdon kokëfortësisht logjikën e shkuar: Vetëm ikja e Ramës e bën demokracinë!? Në fakt, ky sens të çon në atë që Aristoteli, dijetari i madh i lashtësisë, e përcillte në këtë formë: “Republikat shkojnë në rënie drejt demokracisë dhe demokracitë degjenerojnë në despotizma”. Tek e fundit, mbase, ky është realisht, rasti i Shqipërisë, ku vetëm ikja e Ramës e shpëton demokracinë…në logjikën e njerëzve të PD./Java

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë