Ben Blushi: Bektashizmi dhe Shqipëria

Ben Blushi: Bektashizmi dhe Shqipëria

Kryegjyshata e Urdhrit Bektashi

Nëse fetë e botës do mblidheshin në një Muze të Madh, aty Bektashizmi do zinte një dhomë të vogël.

Kjo dhomë e vogël, që në këtë rast do ishte në Shqipëri, do tregonte disa gjëra të pakëndshme.

Dhe ja pse.

Historia e bektashizmit është e re, nuk ka as 800 vjet.

Bektashizmi konsiderohet një devijim dhe nuk mbështetet nga asnjë shtet i madh sic ndodh me fetë e tjera. Ai është një djalë i përzënë nga shtëpia, një trazovac rebel dhe shkelës parimesh, një lexues i keq i Kuranit, madje një lloj shartimi.

Në të vërtetë nuk ka produkt fetar më të shartuar mes islamit sunit dhe krishtërimit ortodoks sesa bektashizmi. Ky shartim pemësh parahistorike, ndodhi në Shqipërinë e shekullit 18, në vendin ku islami me krishtërimin kanë bashkëjetuar brenda një krevati, brenda një shtëpije, brenda një fshati, një lagje dhe një krahine dhe për shkak të kësaj bashkëjetese të gjatë lindi një produkt i ri.

Ky ishte bektashizmi shqiptar. Një shartim. Një mënyrë mbijetese.

Pas Skënderbeut, bektashizmi ishte e vetmja formë proteste e shqiptarëve kundër Perandorisë Turke. Të krishterët që konvertoheshin me dhunë në suni, ktheheshin me qejf në bektashi. Teqetë ishin më mikpritëse se xhamitë, aty mund te flije sa të doje, mund të haje mirë, të pije dhe të këndoje. Si bektashi mund të faleshe dy herë në ditë dhe kishe më shumë kohë për punë. Si suni duhet të faleshe pesë herë në ditë dhe do punoje më pak. Në teqe gratë hynin lirisht sa herë të donin në prani të burrave.

Bektashizmi ishte më praktik se islami dhe kjo u erdhi për mbarë disa shqiptarëve të Mesjetës të mësuar me punë të përditshme, që ndryshe nga arabët, të cilët nuk e mbjellin dot shkretëtirën dhe kanë shumë kohë për tu falur, duhet të punonin cdo ditë arat e tyre sic kishin bërë nga mot.

Bektashizmi pra ishte një refuzim elegant i Islamit. Ishte një lloj oportunizmi.

Shqiptarët duket sikur u thonin turqve, ne do bëhemi muslimanë, por në mënyrën tonë. Dhe një pjesë, jo e vogël u bënë. Por ndryshe nga të krishterët që kishin Greqinë, katolikët që kishin Austro Hungarinë, muslimanët që kishin Turqinë, bektashinjtë kishin vetëm Shqipërinë.

Prandaj ata nuk punuan për asnjë shtet tjetër, nuk u manipuluan nga asnjë shtet tjetër, sepse askush nuk i donte përvec Shqipërisë, që edhe ata e donin si të vetmin Atdhe. Sikur Shqipëria të ishte më e madhe ata do ishin më shumë.

Por Bektashizmi nuk ka qenë gjithmonë një dervish gazmor që ulej në hijen e teqes, që pinte raki pastaj këndonte dhe shëronte gra me metoda mistike. Jeta e tij nuk ka qenë cdo ditë kaq e hareshme.

Bektashizmi ka patur shumë beteja me islamin sunit që ishte feja dominuese në Perandorinë Osmane. Turqit e ndaluan dy herë bektashizmin dhe i mbyllën teqetë. Një herë në 1826 kur Sulltani vrau 4000 jenicerë bektashinj në një natë, herën e dytë në 1925 kur gjithë dervishët u zbuan nga Turqia. Megjithëse Ataturku ishte laik, xhamitë nuk i mbylli, kurse teqetë po.

Jo vetëm sepse kryegjyshi bektashi i vitit 1925, Sali Njazi, që u dëbua nga Ataturku, ishte shqiptar nga Kolonja, por kryesisht për shkak të kësaj tradite shqiptare, të refuzimit oportunist ndaj Perandorisë Osmane, Ahmet Zogu i strehoi bektashinjtë. Nëse nuk do e kishte bërë bektashizmi do ishte zhdukur. Askush tjetër në Ballkan nuk mund ti strehonte bektashinjtë, në Evropë sigurisht që jo, por as në Turqi, as në Iran dhe aq më pak në Arabi.

Bektashizmi ishte djali i keq i Islamit që Shqipëria e adaptoi.

Por Ahmet Zogu nuk i strehoi bektashinjtë si bashkëkombas pa atdhe dhe as si emigrantë fetarë. Ai ishte i ftohtë dhe nuk kishte emocione të tilla. Përkundrazi. I strehoi duke bërë një gjest politik të fortë. Pas shpalljes se Pavarësisë në 1912, pranimi i bektashinjve si kundërshtarë të Perandorisë Osmane ishte akti i dytë i clirimit nga Turqia të cilin Ahmet Zogu e bëri me qëllim. Edhepse qëllimet e tij politike nganjëherë ishin të paqarta, largimi më cdo kusht nga Perandoria Turke ishte qëllimi për të cilën ai punoi cdo ditë me sukses.

Ataturku, turku më i emancipuar i kohërave, nuk ia fali Zogut, i cili në fakt nuk është se u mërzit si cdo njeri që bën me qëllin dicka për të mërzitur dikë tjetër. Ai i strehoi bektashinjtë me ndërgjegje për ta mërzitur Turqinë dhe kjo ishte një hakmarrje e merituar, megjithëse e vogël, në krahasim me atë që Turqia i kishte bërë Shqipërisë.

Para Ahmet Zogut, dy shqiptarë të tjerë, një pasha dhe një poet, të dy qytetarë të Perandorisë Turke kishin mbrojtur bektashinjtë, njëri me armë, tjetri me penë, seicili në mënyrë e vet. Njëri ishte më i vrazhdë dhe më pragmatik, tjetri më i brishtë dhe më romantik.

Ata ishin Ali Pashë Tepelena dhe Naim Frashëri.

Megjithëse i pari kishte qëllime politike kaotike dhe i dyti kishte vetëm qëllime letrare të qarta, të dy i mbështetën bektashinjtë si një mënyrë kundërshtimi ndaj Perandorisë Osmane. Ata ishin dy osmanë antiosmanë. Ata mbështetën kundërshtarët e brendshëm të Turqisë, tek të cilët projektuan veten. Ata i thanë shqiptarëve se rruga e bektashizmit ishte rruga e tretë, rruga që pajtonte lindjen me perëndimin, islamin me krishtërimin dhe Shqipërinë me veten.

Dhe për hir të së vërtetës Bektashizmi ishte rruga e tretë. Kjo është e vërteta historike.

Bektashizmi është një dolce amaro, një ashure e hidhur e kohës kur Shqipëria pushtohej nga Perandoria Osmane dhe shqiptarët konvertoheshin me dhunë.

Nëse në Muzeun e Feve të Botës do kishte një stendë për konvertimin me dhunë, stenda shqiptare do nxinte më shumë se cdo stendë tjerër. Shqipëria është prova e dhunës fetare, të cilën popujt mundohen ta shmangin duke kursyer shpirtin dhe duke gjetur forma të durueshme dhimbjeje, njëra nga të cilat ishte bektashizmi.

Bektashizmi ishte një mënyrë për të vuajtur më pak, prandaj historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke, e cila është fatkeqësia më e madhe që na ka rënë përgjatë historisë.

Kur europianët u nisën të kolonizonin Amerikën në fund të viteve 1400, turqit u sulën të pushtonin Europën. Meqë nuk ia dolën disa herë, ndaluan në Balllkan dhe aty na shpërfytyruan ne për 500 vjet. Asnjë popull si shqiptarët, nuk e mbajti më shumë mbi shpinë peshën barbare të osmanëve.

Kur ata ikën, nuk lanë prapa asnjë urë, asnjë rrugë, asnjë port, asnjë ndërtim , asnjë institucion asnjë spital, asnjë shkollë por vetëm pluhur dhe mjerim dhe kur shoh që sot na thonë vëlleëzër dhe sinqerisht besoj se e kanë sinqerisht, mendoj se marrëdhënia e dashurisë mes vëllezërve në Turqinë Mesjetare, paska qenë dicka shumë e përgjakshme.

Por pushtuesit nuk i zgjedh dot dhe ne nuk i zgjodhëm turqit. Në një kuptim ata na ranë në pjesë.

Pushtuesit janë të papranueshëm në cdo rast, kushdo qofshin ata, por kolonizatorët europianë që shkuan në Amerikë, tamam në kohën kur turqit erdhën në Shqipëri, i përkisnin një civilizmi më të emancipuar se vendasit. Ata cuan atje artet, teknologjinë, zanatet, gatimet, higjenën, ilacet dhe armët dhe megjithëse shfarosën në mënyrë të pashpirt, i ndihmuan vendasit të dalin nga gjendja fisnore ku jetonin.

Kurse në rastin tonë ndodhi e kundërta. Pushtuesi jonë ishte më i prapambetur se ne që u pushtuam.

Shqipëria paraosmane ishte një vend normal europian, që nuk kishte shkëlqimin verbues të Venecias dhe muskujt e ushtrive të Napolit, por kishte institucione, kishte ligje, kishte kode, kishte diplomaci, kishte monedha, qarkullonte mallra, paguante taksa, njerëzit lëviznin lirisht dhe shkruhej shqip e latinisht që në atë kohë ishte si anglishtja sot.

Dëmi më i madh që na bënë turqit ishte që na zhveshën nga dëshira për punë. Ata na kthyen në një popull dembel, cilësi kjo që shkëlqen ende në kraharorin tonë. As historianët më patriotë nuk e shpjegojnë dot cfarë pune bëmë ne për 500 vjet, përvecse u ushqyem dhe u falëm duke pritur që Zoti të bënte për ne ato që ne nuk i bënim për vete.

Kurse dëmi i dytë ishte prishja e homogjenitetit tonë si popull. Një popull më homogjen në kuptimin fetar dhe kombëtar, sepse në Mesjetë këto dy shtylla ishin të pazgjidhura, do e kishte patur më të lehtë rrugën e historisë. Përvec komoditeteve të tjera, debati i flaktë mes bektashinjve dhe kundërshtarëve të tyre nuk do ishte sot kaq djegës, ose nuk do ishte fare, nëse ne do ishim një bashkësi homogjene e pandarë.

Kjo ndarje e vogël me ndikim të madh, që disa e quajnë ndarje e madhe me ndikim të vogël, është një peshqesh turk që ne bëjmë sikur e kemi zgjedhur vetë dhe e quajmë me termin modern tolerancë. Në fakt këtë dhuratë nuk e zgjodhëm por na e imponuam. Na konvertuan me dhunë duke na marrë fëmijët, pronat dhe armët. Shumë shpesh edhe jetën.

Për ata që nuk e kuptojnë dot cfarë ka ndodhur ato 500 vjet, është njëlloj sikur një fuqi e huaj të vijë sot në Shqipëri dhe të na marrë gjithë celularët, televizorët, librat dhe fotografitë që kemi në shtëpi, të hapë sëndukët dhe të zhdukë kujtimet e gjyshërve dhe stërgjyshërve, të djegi arkivat, të na ndalojë të gatuajmë mishrat dhe pijet që duam, të na mbylli shkollat, të na rrëmbejë fëmijët për ushtrinë e vet, të na izolojë nga bota, të shkatërrojë urat, rrugët dhe ujësjellësat dhe gjithë kjo errësirë torturuese të zgjasë 500 vjet. Natyrisht, ata prej nesh që do mbijetonin, kur të dilnin nga ky kafaz i llahtarshëm, do ishin gjysëm njerëz.

Kështu ishim dhe ne në vitet 1900.

Prandaj kur dolëm nga ky ferr na masakruan edhe më keq duke na grabitur territore sepse ne nuk kishim fuqi të mbronim tokat ku jetonim.Ne dolëm si një komb pa shtet sepse turqit na e shkatërruan shtetin dhe për pak edhe kombin. Nëse nuk do ishte Perandoria Turke, Shqipëria nuk do ishte copëtuar sic ndodhi në 1913 dhe sot do ishte një shtet dy herë më i madh. Me siguri të gjithë shqiptarët ose pjesa më e madhe e tyre do jetonin brenda shtetit të tyre.

Por nuk mbaron me kaq.

Nëse nuk do ishte Perandoria Turke, komunizmi shqiptar nuk do kishte qenë aq tragjik. Komunizmi ishte faza e fundit përmbyllëse e Perandorisë Osmane. Ishte një lloj verbimi pas errësirës. është njëlloj sikur ti nxjerrin sytë kur del nga një tunel i gjatë, pothuajse i përjetshëm.

Nëse nuk do kishim dalë aq të varfër dhe aq të mjerë nga 500 vjet robëri, ndoshta nuk do ishim kthyer fare një vend komunist sepse ushqimi kryesor i komunizmit është varfëria dhe mjerimi.Kjo është arsyeja që ne patëm regjimin komunist më të egër jo vetëm në Evropë, por në gjithë planetin dhe asgjë nuk i ngjan atij për nga fantazia që kishte për të kufizuar liritë personale.

Rrënjët e Komunizmit shqiptar janë të ujitura nga Perandoria Turke dhe ky ujë i ndotur vazhdon të kalojë nëpër themelet e shtëpisë sonë edhe tani që flasim.

Kjo është e vërteta.

Prandaj debati për bektashizmin, si një projekt rezistence ndaj Perandorisë Turke, është sot aq djegës, aq dinak dhe aq i pandershëm. Pjesa e mbetur e Perandorisë Turke po e përndjek bektashizmin bashkë me kujtimet tona të harruara.

Vitrina bektashije që mund të ekspozohet do tregonte mynzyrën e Perandorisë Turke, produkt i të cilës janë vetë bektashinjtë. Kjo pjesë e historisë i është fshehur shqiptarëve dhe botës me shumë dinakëri, aq sa ne jemi i vetmi popull që konsiderojmë Skënderbeun baba të kombit dhe njëkoësisht armiqtë e tij i konsiderojmë vëllezër.

Si një ateist ky debat nuk më intereson. Sa më shumë kuptoj, aq më shumë bindem se Zoti ekziston, por vetëm në mendjet tona. Unë besoj se fetë kanë penguar progresin e njerëzimit, kanë vonuar shkenëcn, kanë sulmuar artet dhe i kaë sjellë botës vetëm ndarje dhe përcarje prandaj nuk meritojnë të kenë shtet.

Ngritja e më shumë objekteve të kultit, kishave dhe xhamive është një investim i kotë. 200 apo 300 vjet më vonë ato do jenë bosh. Shkenca do ti ketë zbrazur për të mirën tonë. Një shtet modern sot ka vetëm një detyrë: ti ndihmojë fetë të tërhiqen në mënyrë të barabartë, pa i nxitur të bëjnë garë kush vrapon më ngadalë drejt zhdukjes.

Debati për një shtet fetar më intereson si letërsi e bukur. Do mund të shkruaja qindra faqe duke fantazuar si jetohet brenda “shtetit brenda shtetit” me muzikë, me lodra, me dajre, me dëfrim dhe dervishë të hipur mbi bagi që rregullojnë trafikun e një pelegrinazhi fetar të pandërprerë.

Një shtet ku shërbehet ashure falas për të ëmbëlsuar gjuhët e hidhura të botës, do ishte shumë më ekzotik se Vatikani ku nuk të falin asgjë dhe shumë më liberal se Meka, ku duhet të zhvishesh me urdhër. Tirana dhe Shqipëia do fitonin miliona nga ky trafik pelegrinësh, por kjo është vetëm ekonomi letrare.

Pjesa më interesante e këtij shteti pa polici, pa ushtri, pa taksa, pa zgjedhje, pa sindikata, pa televizone, pa trafik, pa porte, pa aeroporte, do ishte Muzeu ku do ekspozohej Rezistenca Shqiptare,pjesë e të cilës janë dhe bektashinjtë.

Në këtë Muze do shërbeja cdo natë si roje, për ta mbrojtur nga ata që duan ta djegin, sic e kanë djegur.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Arben: 26/09/2024 13:50

    Si gjithmonë je brilant o Ben

    Përgjigju
  • Arben: 26/09/2024 13:22

    Analize,koment shterues,shume i sakte.Diçka doja te shtoja.,Ne fe duhet besosh, sepse eshte e vetmja opozite e materialisteve dhe sunduesve te paskrupull (eshte precedent i kohes qysh me lindjen e feve),por kurre populli te mos drejtohet administrativisht dhe ligjerisht nga nje shtet-fe, e llojit Kalifat, apo shtetet Papale para revolucioneve te shek XVIII & XIX. Nje Kalifat,Pape apo Kryegjysh nuk duhet te Vrase wofte edhe me dekrete, le te vendosin ligjet e shtetit laik.Besimi duhet te jete i lire.Pa besim nuk ka qetesi.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë