TIRANE- Bashkëpunimi mes sektorit privat dhe atij shtetëror në fushën e shëndetësisë tashmë do të jetë shumë i rëndësishëm dhe për këtë arsye Ministria e Shëndetësisë, aktualisht ka përcaktuar edhe 4 fushat e para ku do të bashpëkunohet me privatin. Këtë fakt e ka bërë të ditur Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj gjatë një Workshopi të organizuar nga IFC, anëtare e Grupit të Bankës Botërore, dhe Zyra e Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri, ku tema kishte të bënte me partneritetin publik-privat në shëndetësi. “Ne kemi identifikuar disa fusha, ku besoj se ka hapësirë për të zgjeruar partneritetin me sektorin privat, sepse në radhë të parë, besoj duhet të përfitojmë nga sektori privat nga ajo që ka treguar që është më efiçent.

Në fund të fundit, për ne që merremi me politikë, e rëndësishme është efektiviteti i përdorimit të parasë publike, jo thjesht, detyrimisht, mjeti me të cilin kjo para publike përdoret për të dhënë shërbim për qytetarët”, ka deklaruar Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ndërsa ka treguar edhe më konkretisht ku do të zhvillohet ky partneritet. “Ne besojmë se brenda vitit do ta zhvillojmë partneritetin publik – privat, konkretisht në kontrollin bazë për popullsinë 40 – 65 vjeç, në Shërbimin Kombëtar të Urgjencës, si dhe në sistemin e ri të gjurmimit të barnave në zinxhirin e tregtimit dhe përdorimit të tyre, apo siç quhet ndryshe, sistemi “Track & Trace”.

Po kështu edhe në ofrimin në sallat kirurgjikale të Shqipërisë të setit të instrumenteve dhe veshjeve njëpërdorimëshe”, ka pohuar Beqaj. Sipas tij, ky bashkëpunim me privatin do të jetë i pjesshëm ose i plotë në mënyrë që pacientëve tu ofrohen të gjitha shërbimet e duhura. I pranishëm në këtë takim ka qenë edhe Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Ferid Agani, ku u theksua se bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë mes Kosovës dhe Shqipërisë do të shtrihen edhe në investimet spitalore. Dy ministrat thanë se do të rakordojnë investimet në spitalet e dy vendeve, duke zgjeruar gamën e shërbimeve dhe rritur cilësinë.

“Shumë shpejt do të krijojmë një komitet të përbashkët pune, në mënyrë që të rakordojmë planet e investimeve. Nëse ne do të kemi një qendër kompetence, në Kosovë për një patologji të caktuar, ku Ministria e Shëndetësisë z. Agani janë më përpara, atëherë ne në Shqipëri do të bashkëpunojmë në një gjë tjetër në mënyrë që në këtë hapësirë, burimet e kufizuara që kemi të mund t’i përdorim më me efiçencë”, tha Beqaj.

Ndërkaq në fjalën e Agani tha: “Të punojmë sa më shpejt që është e mundur në programe të përbashkëta në rrafshin kombëtar, të programeve në sektorin e shëndetësisë të dy shteteve të cilët do të mundësojnë shfrytëzimin sa më racional të resurseve njerëzore dhe teknologjike në dispozicion të dy sistemeve shëndetësore.” Në këtë seminar merrnin pjesë specialistë të kujdesit shëndetësor privat nga e gjithë bota për të ndarë eksperiencat e tyre.

Shkrimi u publikua sot (19.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)