PRISHTINE, 25 nentor/ATSH/. - Ministri në detyrë i Financave, Besim Beqaj, ka pritur sot në takim sekretarin e Përhershëm të Ministrisë për Punë dhe Çështje Sociale në Republikën Federale të Gjermanisë, Jörg Asmussen, i shoqëruar edhe nga Ambasadorja gjermane në Prishtinë, Angelika Viets, nga të cilët ka kërkuar përkrahje për sistemin e pensioneve në Kosovë, ben te ditur KosovaPress.
Në një njoftim për media të kësaj ministrie, thuhet se ministri Beqaj kërkoi mbështetjen e shtetit gjerman në modernizim të sistemit te pensioneve për të reflektuar planifikim më të mirë dhe shpenzim racional të parasë publike. Ai ka folur për gjendjen makroekonomike në vend dhe politikat qeveritare në politikën fiskale, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të reformave në politikën fiskale për të ruajtur stabilitetin fiskal të vendit dhe gjithashtu, si dhe për përmbylljen e suksesshme të programit me FMN.
Ndërsa nga sekretari i Përhershëm i Ministrisë për Punë dhe Çështje Sociale në Republikën Federale të Gjermanisë, Jörg Asmussen, Beqaj është siguruar se Gjermania do ta ndihmojë Kosovën, në shtyllën e parë të sistemit te pensioneve. /a.ke/










