Beqir Meta: Haradinaj s'është
vrasës,  UÇK çliroi kosovën

Beqir Meta: Haradinaj s'është<br />vrasës,  UÇK çliroi kosovën
TIRANE - Historiani Beqir Meta, autor i dhjetëra librave që prekin temat e reprezaljeve 100-vjeçare shoviniste dhe grabitjes së kufijve nga fqinjët tanë grekë e serbë, thotë se “E rëndësishme është të kuptojmë që për çdo lloj momenti historik, për një ngjarje, një personalitet, një kryengritje, një përpjekje që është bërë, çfarë përfaqëson. Në këtë kontekst ai rrëfen edhe rolin e Ramush Haradinaj dhe UÇK-së për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Duke mos dëshiruar të japë komente për deklaratat e analistit Fatos Lubonja se Ramush Haradinaj mund të cilësohet “vrasës”, historiani Beqir Meta preferon të flas për rolin dhe pozicionin e Haradinaj si figurë historike pas fushatës së tmerrshme të helmimit të fëmijëve kosovarë nga serbët, vrasjes së të rinjve shqiptarë, që solli si kundër-reaksion edhe daljen në skenë të UÇK-së.
 
Zoti Meta, a mund të na thoni ju si historian, se si gjykohet Lufta e UÇK-së dhe liderët e saj pasi një distance kohore?
- Këto luftëra në themel të tyre kanë pasur karakterin e tyre të drejtë çlirimtar dhe në të gjitha rastet kanë qenë luftërat e një populli të kërcënuar për të siguruar mbijetesën e vet. Këtu nuk bënë përjashtim as lufta që ka bërë UÇK-ja e gjithë populli i Kosovës për të shpëtuar nga shtypja dhe nga dhuna serbe. Gjithë bota e di, duke pohuar dhe dokumentuar qëllimin që kishte Serbia; spastrimi etnik i Kosovës.

Kështu që në këtë kontekst karakteri i luftës dhe nga studiuesit, politologët, organet e shtypit më serioze ndërkombëtare, karakteri çlirimtar i saj është e evidentuar qartë. Sigurisht që lufta ka edhe tejkalime nga individë të ndryshëm, por një karakter i veçantë nuk mund të provojë karakterin e një lufte.

Kombi shqiptar ka që nga lidhja e Prizrenit, kur shqiptarët janë ndier si komb, deri në ditët e sotme që po mbrohen në mënyrë të pandërprerë nga përpjekja e fqinjëve dhe organizmave të ndryshëm dhe individëve të ndryshme, për t’i anatemuar, për t’i gjykuar negativisht luftërat dhe përpjekje e shqiptarëve.

Duke dashur të kuptohet të arrijnë një objektiv politik, zhvleftësimin e tyre dhe paraqitjen e tyre në subjekte ndërkombëtare si veprime terroriste, si veprime antiligjore, si veprime që bien ndesh me qytetërimin, etj, etj. Kjo është bëhet për të realizuar më mirë presionin që kombi shqiptar të pranonte shtypjen, të thyhej rezistenca e tij, por ne historianët nuk biem pre e gjykimeve të tilla shoviniste.
 
Sapo thatë se “një përjashtim nuk mund të errësojë gjithë historinë”, për cilin e keni fjalën?
-Nuk e kam për ndonjë rast konkret, por gjatë betejave ka pasur edhe individë të ndryshëm që mund të kenë kryer veprime që nuk janë në përputhje me ligjet e një lufte.
 
A ka bërë ndonjë veprim të tillë Haradinaj që shkoi deri në Gjykatën e Hagës?
-Nuk jam marrë shumë me ketë çështje, dhe sot nuk kemi kaq shumë dokumente në dorë që të mësojmë deri në fund si është e vërteta. Unë fola në kontekstin e përgjithshëm të gjykimit historik, që pozicioni i shqiptarëve ka qenë gjithmonë në pozicionin human të vetëmbrojtjes dhe nuk kanë qenë në pozita agresive dhe të kenë pasur si objektiv asimilimet apo spastrimet etnike. Përkundrazi vendet fqinje kanë kryer akte të tilla normalisht.

Po ju kujtoj masakrat në Çamëri, masakrat në Kosovë, që kanë qenë të vazhdueshme gjatë gjithë shekullit të 20-të, apo në Maqedoni apo në trojet e tjera shqiptare në Greqi, përtej Çamërisë që është Konica, Vushtina, etj. Kemi të dokumentuar që nuk ka asnjë rast në Shqipëri të jetë ndërmarrë nga qeveritë tona spastrimi, etnik, ndërsa me fqinjët ka ndodhur kjo.
 
Cilat strategji të shovinizmit çuan në luftën e fundit të Kosovës?
-Ajo ishte një situatë që ishte përgatitur prej më se 100 vjetësh prej një politike sistematike që kishte nisur e vijoi me spastrimet etnike në Kosovë, me trajtimin e saj si një koloni brenda Serbisë. Gjithë kjo shtypje, gjithë ky presion i vazhdueshëm mbi 100-vjeçar ka pasur ndikimin e vet.

Shkaku më themelor, ai i fundit që plasi lufta në Kosovë, ishte heqja e autonomisë së Kosovës me shtypje dhe dhunë policore të shqiptarëve, me vrasje dhe masakrim të tyre që kishte filluar me fushatën e tmerrshme të helmimit të fëmijëve, pastaj shtypja e çdo lloj kundërshtie, vrasja e të rinjve shqiptarë, dhe sigurisht sollën pas një rezistencë të gjatë të shqiptarëve dhe solli daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Shkak ishte veprimi terrorist dhe shtetëror i Millosheviçit, i cili kishte paralajmëruar forcat paramilitare për këtë aksion të spastrimit dhe kjo çoi daljen E UÇK-së.

Pse pas lirimit nga Gjykata e Hagës po hidhet baltë mbi UÇK-në dhe Haradinaj nga disa analistë?
-Unë nuk merrem me studimin e politikës së Titos..., merrem me histori. Pas vendimit të Gjykatës së Hagës, të gjitha të tjerat janë në kontekstin e propagandës politike. Kjo të paktën shqiptarëve nuk iu shkon fare për shtat. Pasaktësia dhe tendencioziteti ndaj Haradinaj duket parë thjesht, nëse gjykojmë si intelektualë: përderisa Gjykata e Hagës ka një vendim të qartë, çdo akuzë tjetër është një propagandë e sajuar, e cila nuk dihet se nga frymëzohet…

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 20.07.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024