Procesi i zgjedhjeve në PD-në e Shkodrës është pezulluar momentalisht dhe si kryetare e kësaj force politike në qarkun verior është komanduar Eljona Shkreli.
Partia Demokratike Shkodër do të drejtohet nga një grua. Kryesia e selisë blu i ka besuar gazetares shkodrane dhe njëherazi anëtares së këshillit bashkiak Shkreli, detyrën e kryetares së komanduar në prag të zgjedhjeve të 11 Majit.
Shkreli është përzgjedhur mes 25 emrave të propozuar nga strukturat lokale demokrate për të drejtuar si e komanduar degën e Shkodrës, duke zëvendësuar Gjenarin Kapcarin, i dorëhequr prej 10 muajsh. Kjo është hera e parë që një grua vendoset në krye të degës lokale.
Gjatë fjalës së saj pas vendimit, Shkreli tha se ndihej e privilegjuar për këtë detyrë dhe shtoi se qëllimi i përbashkët i demokratëve në qarkun verior është rrëzimi i qeverisë së kryeministrit Edi Rama në zgjedhjet e 11 majit.
“Janë ndezur motorët për fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Unë dua të falenderoj shumë kryesinë e PD për komandimin tim në krye të PD Shkodër. Do të ishte padyshim secili prej antarëve të kryesisë, antarëve të PD ndaj ndihem e privulegjuar dhe shumë e vlerësuar dhe padiskutim dega e PD Shkodër nuk është kryetari por janë kryesia, grupseksionet, është çdo demokrat.
Synimi kryesor që kemi është të bashkohemi të gjithë demokratët sepse ne kemi vetëm një qëllim largimin e qeverisë Rama dhe synimi kryesor për Shkodrën është largimi i Benet Becit dhe të gjithë njerëzve të tij të emëruar, i Rilindjes që ka pushtuar dhe përmes presioneve ka grabitur pushtetin në zgjedhjet e shkuara lokale kështu që kjo nuk do të ndodh më. Puna jonë do të jetë e përditshme, absolutisht shumë e përkushtuar dhe të gjithë bashkë do të jemi për të luftuar Rilindjen dhe jam e bindur se fitorja do të fillojë nga Shkodra dhe se fitorja do të jetë e thellë", ka thënë Shkreli.
Eliona Shkreli ka punuar më herët në media si gazetare dhe moderatore. Së fundmi ajo punon në TV1 Channel, por edhe si mësuese. Nga zgjedhja e saj si këshilltare bashkiake e PD- së me 14 maj 2023, Shkreli ka qenë tejet aktive me daljet publike dhe denoncimet.