Një aksident ka ndodhur këtë mesditë në qytetin e Beratit. Një makinë tip ‘Benz’ ka çarë kangjellat në urën e Goricës dhe ka përfunduar në lumin Osum.

Për pasojë, ka mbetur i plagosur drejtuesi i mjetit, 24-vjeçari Klajdi Selenica, i cili ka humbur kontrollin e mjetit. Report Tv ka siguruar video nga vendngjarja, ku duket makina në lum.

Ndërkohë, forca të shumta policie kanë shkuar në vendngjarje dhe po punojnë për nxjerrjen e mjetit nga lumi. 

makina bie ne lum berat
(Pamje nga makina, e cila ka përfunduar në lumin Osum)

Njoftimi i policisë:
Rreth orës 14.15 Salla Operative ka marrë njoftim se një mjet i cili udhëtonte në rrugën Antipatrea, në vendin e quajtur "Tyneli" ka humbur kontrollin dhe ka rënë në lumin Osum. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, zjarrfikses dhe ambulanca ku kanë bërë të mundur nxjerrjen e drejtuesit të mjetit nga lumi.

Nga informacionet paraprake rezulton se shtetasi K.S, 24 vjeç, banues në lagjen Çlirim, duke drejtuar mjetin tip Benz me targa angleze ka humbur kontrollin e mjetit dhe për pasojë ka rënë në lumë. Shtetasi K.S, është transportuar për në Spitalin Rajonal Berat, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

aksidenti berat

d.c./shqiptarja.com