Berat – Historiku i Muzeut Kombëtar Onufri


Tiranë, 5 Shkurt / ATSH - Muzeu Kombëtar Onufri është përshtatur në ambientet e kishës "Fjetja e Shën Mërisë", në Kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986.
Muzeu mban emrin "Onufri", për nder të njërit prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shek. XVI. Katedralja është e rindërtuar në vitin 1797 dhe është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pas-bizantine në qytetin e Beratit.
Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej mëse 1500 objektesh, pjesë e fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë dhe të qytetit të Beratit, ku 106 objekte janë ikona dhe 67 janë objekte liturgjike. Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë shqiptarë, që u përkasin shekujve XIV - XX: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku dhe Çetirët (Gjergji, Johani, Naumi, Nikolla dhe Gjergji i riu), si dhe nga shumë piktorë të tjerë anonimë. Gdhendjet në dru të katedrales janë realizuar nga mjeshtrat Naum Ngjela nga Lavdari i Oparit dhe mjeshtër Stefan Barka nga Misrasi i Oparit në shekullin e XIX.
Ikonostasi i Katedrales "Fjetja e Shën Mëris", i (vitit 1807) bën pjesë në një nga realizimet më të mira të mjeshtrave shqiptarë të drugdhëndjes  të shek. XIX. Ikonostasi është i vendosur në gjithë hapësirën tri nefëshe të interierit të katedrales, ai ka dy radhë ikonash, (12 ikonat e mëdha  Mbretërore dhe 27 ikonat e vogla të Festave). Ka tri porta dhe është i gdhëndur në dru are dhe i larë në ar, i praruar dhe i kompozuar si fasadë arkitektonike. Udhëheqësit e grupit që realizuan gdhëndjen e ikonostasit dokumentohen të jenë dy mjeshtrat, Usta Andoni dhe Stefani, ndërsa ikonografët grabovarë të (dinastisë) familjes  Çetiri ose ( Katro) nën drejtimin e  mjeshtrit ikonograf Johan Çetiri, realizuan 27 ikonat e vogla të (Festave) dhe 7 ikonat e mëdha,(Mbretërore).
Në ikonostas është ruajtur parimi kryesor i simetris, dhe materiali i drurit të butë dhe i përpunueshëm ka dhënë mundësinë e ndërthurjes dhe harmonisë shumëplanëshe të motiveve bimore, zoomorfe dhe njerëzore. Ikonostasi u fut në Kishën e Krishterë pas Sinodit të shtatë rreth shekullit të 8-të, ku siç dihet pas rivendosjes së Ikonave në Kishë, u pa se ishte e nevojshme që ky objekt të funksiononte për të mbajtur këto Ikona.
Ikonostasi i katedrales "Fjetja e Shën Mëris" është i ndarë në tre breza (ose pjesë) kryesore, në brezin e poshtëm, në brezin qëndrorë dhe në brezin e sipërm.
Pllakat në brezin e parë, janë elementi më i rëndësishëm i kompozimit në marrëdhëniet konstruktivo - artistike dhe përmbajnë pjesën bazë të dekuracionit.
Brezi i xokolit horizontal (ose qëndror) mbi të cilin janë vendosur (12 ikonat mbretërore), paraqet një vlerë mjeshtërore. Ikonat mbretërore në ikonostas janë objekt i adhurimit dhe nderimit, prandaj dhe kanë përmasat më të mëdha.
Njëra prej Ikonave
Shumë të rëndësishme për besimtarët Kristian Ortodhoks, janë (4 ikonat) qëndrore, 2 në anën e majtë dhe 2 në anën e djathtë (të derës mbretërore). Në të majtë janë të vendosura, ikonat e "Jezu Krishti Pantokrator" dhe "Johan Pagëzori"dhe në anën e djathtë ndodhen  ikonat e "Shën Mërisë", dhe "Fjetja e Shën Mëris", ikona e cila (i dedikohet ose kushtohet)  Katedrales.
Rradha e profetëve është e pikturuar në medaljone (ikona) në formë rrethore, të vendosura në një brez horizontal, poshtë ikonave të festave në mes të zbukurimeve brilante të stilizuara të degëve të hardhisë.
Pjesa e sipërme ose (brezi i sipërm) i ikonostasit së bashku me kurorën e tij është i dekoruar nga (27 ikona e vogla të festave) të vedosura nën luneta të punuara në mënyrë speciale, duke formuar një radhë të gjatë skenash të harkuara, brenda të cilave ikonat janë vendosur sipas një rregulli të caktuar dhe rigoroz biblik.
Kurora e ikonostasit, (ose kurora qëndrore) me kryqin e madhë të pikturuar dhe të gdhëndur, ka formë të lehtë piramidale, ndërsa si motiv kryesor ka dy dragonj përbri njëri - tjetrit, kurse pjesa tjetër e kurorës zbukurohet me motivë florealë. Dy kurorat më të vogla në ikonostas, por që korrespondojnë përkatësisht me nefet jugorë dhe veriorë janë të dekoruar me elemente floreal dhe me nga një kryq sipër.
Kryqi i ikonostasit është i pikturuar dhe rrethohet me kornizë të gdhendur. Në qendër të tij paraqitet skena e Krishtit të kryqëzuar, ndërsa në dy anët e kryqit janë të vendosura dy ikona që kanë të pikturuar  figurat e dy personazheve të njohur në këtë skenë, atë të Virgjëreshës dhe të Johan Theologut.
Mbi kurorën e ikonostasit janë vendosur të gdhendura figura shqiponjash me krahë të hapur, nga sqepi i të cilave varen objekte liturgjikë (argjendi) që qëndrojnë para ikonostasit.
Dera Mbretërore),Gdhëndur 1807,Shek. XVIII - XIX
Dera Mbretërore
Dera Mbretërore e ikonostasit të Katedrales është dera kryesore e cila të drejton direkt para Altarit të Shenjtë. Ajo është e tipit të kombinuar me gdhëndje dhe e pikturuar. Ndahet në dy pjesë (në pjesën e poshtëme dhe të sipërme); pjesa e poshtëme ka pamje kuadrate dhe është e ndarë në katër skena, ku të pikturuar në këmbë janë (Gabrieli, Maria dhe personazhe të tjerë). Ngjarja e "Ungjillëzimit", kur Kryeëngjëlli Gabriel i sjell Shën Mërisë, "Lajmin" e gëzueshëm të lindjes së Shpëtimtarit, e cila është skena më e rëndësishme. Ndërsa pjesa e sipërme paraqitet e gdhëndur më mënyrë mjeshtërore, elegante dhe fine. Motivet kryesore janë dy dragoj të stilizuar dhe bistakët e rrushit, kurse hapësirat përkatëse plotësohen me elementë florealë. Dera mbretërore mbyllet në kulmin e saj gati gjysëm rrethor me figurën e një shqiponje krahëmbledhur me dy krerë e kurorëzuar me kurorë mbretërore.
Në ikonostasin e Katedrales "Fjetja e Shën Mërisë ndodhen dhe dy dyert anësore, dera e Veriut dhe ajo e Jugut. Të pikturuara janë dy Kryeëngjëjt Mikail dhe Gabriel - Gabrieli në derën e Veriut dhe Mikaili në derën e Jugut, të cilët simbolizojnë ruajtjen me rreptësi të Shenjtërores së Shenjtëroreve siç është quajtur Ajovima, dhe për këtë arsye janë të pikturar me shpatë në dorë.
Amvona
Amvona është një podium shumë i hershëm në të cilën ngjitet Dhjakoni për të lexuar Ungjillin, por mbi të mund edhe të predikohet Fjala e Perëndisë. Gjendet zakonisht i ngritur dhe i mbështetur pas një kolone. Përveç këtyreve në shumë raste mbi amvonë lexohen dekrete të ndryshme që kanë një rëndësi të madhe për besimtarët, kryesisht dekretet Sinodike, por dhe ato qeveritare. Amvona është një nga pjesët më të larta të Kishës, e cila simbolizon që fjalët dhe dekretet të cilat shpallen nga atje, burojnë dhe frymëzohen nga Perëndia. Shpeshherë simbolizohet me Sionin, Malin e Lartë të Izraelit nga i cili buruan dekret më të mëdha të Perëndisë në Dhiatën e Vjetër.
Mbishkrimi i datimit gjendet i gdhendur në dru, rreth pjesës së poshtme të amvonit, dhe thote "Usta Naumi ka qenë nga Lavdari i Oparit, 1849 qershor 30, mjeshtër Naumi".
Froni Dhespotik
Froni Dhespotik gjendet perballe Amvones. Në Fronin Dhespotik ose Kryeprifëror shohim Ikonën e Jezu Krishtit për të kujtuar gjithmonë Kryepriftin e Madh dhe Zotin e Krijesës. Në çdo Kishë katedrale ndodhen gjithmonë dy frone kryesorë, një në qendër të Kishës për të cilën po flasim dhe tjetri në Hierore pranë Tryezës së Shenjtë sepse në traditën e vjetër Bizantine Kryeprifti qëndronte në Fronin prapa Altarit ndërsa në qendër të Kishës qëndronte gjithmonë Perandori - Mbreti i Bizantit. Sot të dy fronet përdoren nga Kryeprifti në momente të ndryshme të Liturgjisë Hyjnore. Nën fron shpeshherë gdhenden dy luan që simbolizojnë fuqinë e mbretit, tani të Peshkopit. Mbi të vendoset një kupolë, e cila simbolizon Mbretërinë e Perëndisë si dhe përkujdesjen Hyjnore që Peshkopët kanë. Froni Mbretëror dhe Dhespotik u vendos në Kishë që në fillim të periudhës Bizantine, kohë në të cilën Kisha mori një formë të plotë.
Ajovima
Ajovima është vendi më i Shenjtë i Kishës (Shenjtërorja e Shenjtëroreve). Ajo gjendet vazhdimisht e drejtuar nga Lindja e Diellit. Lindja konsiderohet si Dielli Mendor i Zotit, drejt së cilies duhet të jenë drejtuar zemrat e besimtarëve gjatë lutjes. Quhet Ajovima dhe vjen nga greqishtja,që do të thotë Agjia - e Shenjtë, ndërsa Vima - Podium, sepse gjithmonë është një vend me një shkallë ose më shumë i ngritur nga pjesa qendrore e Kishës. Sipas Traditës Orthodhokse Ajovima është e pakalueshme nga gratë si dhe për burrat që nuk kanë një bekim të veçantë për të hyrë në të, por vetëm hierarkia e  klerikëve. Të gjitha këto përkujdesje vijnë si shkak i Shenjtërisë që ka si vend sepse aty kryhet sakrifica e pagjashme, e Misterit të Kungimit të Shenjtë, i cili është një nga misteret më kryesore për Kishën Kristian Orthodhokse. Në Ajovim gjendet Tryeza e Shenjtë (Altari), Froni Dhespotik, Blata vendi ku ruhen Enët e Shenjta, si dhe lavamani ku lajnë duart priftërinjtë.
Altari ndodhet në qendër të Hierores dhe është objekti më i hershëm, më i shenjtë dhe më i domosdoshëm. Quhet Altar sepse mbi të kryhet sakrifica e pagjashme, në mënyrë simbolike quhet Katedra e Zotit. Tryeza e Shenjtë ka formë katrore ose drejtkëndëshe, mbështetet mbi një Këmbë që simbolizon Jesu Krishtin themeluesin e Kishës, por shpeshherë edhe mbi katër këmbë të cilat simbolizojnë katër Ungjillorët. Altari mbulohet nga një mbulesë druri, kjo e fundit është me kupolë të gdhëndur me kryqin sipër. Kjo pjesë ndryshe quhet - Kuvukli - dhe simbolizon Qiellin e Gjerë të krijuar nga Perëndia. Altari Simbolizon Varrin e Krishtit ndërsa mbulesa e parë e cila vendoset mbi mermerin e Altarit simbolizon, savanën, pëlhurën me të cilën u pështoll trupi i Krishtit, kjo copë nuk hiqet asnjëherë nga Altari.
/k.m//a.ke/
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 27 Janar, 09:30

    A mendoni se vota e diasporës do të jetë përcaktuese në zgjedhje?



×

Lajmi i fundit

Vota e diasporës/ Fleta e votimit u shkon në 2 zarfe! Shifrat e regjistrimit, ‘miratohen’ për rreth 55 mijë emigrantë