Berat,memoria historike,trashëgimia
shpirtërore e materiale në rrezik

Berat,memoria historike,trashëgimia<br />shpirtërore e materiale në rrezik
Berati  ka ruajtur  një trashëgimi kulturore unikale, si vetë kodikët me të cilët identifikohet kultura e këtij qyteti dhe  kultura jonë  kombëtare. Kultura e  qytetit zë fill me zhvillimin e jetës urbane  gjatë  shekullit të IVp.e.r. Busti herme i  gruas dimaliote,  busti i djalit nga Dimali,  shtati i një perëndie lumi dhe busti i një të panjohuri, janë disa prej kësaj trashëgimie.

Në shek. V  Pulheriopolisi ishte një nga tetë qytetet administrative dhe peshkopale të Epirit të Ri, me një koleksion dorëshkrimesh interesante dhe me shumë vlerë. Për shekuj dhe vite me rradhë, kjo pasuri u ruajtë  nga drejtuesit shpirtërorë të manastireve, kryezotët, fisnikët  dhe qytetarët e Beratit. Përfshirja e Beratit nën ekspansionin serbë të Stefan Dushanit  dhe një vit më vonë, më  1356,  nga i biri i tij, car Uroshi, rrezikoi seriozisht  vlerat kulturore të qytetit. Pushtuesi kërkoi që dorëshkrimet me vlerë që ndodheshin në bibliotekën e Mitropolisë së Beratit t’i dorëzoheshin. Sërbet kur kanë ardhur në Berat duhet të ketë pasur dijeni mbi ekzistencën e një pasurie dorëshkrimore  me vlera të jashtëzakonshme. Por ishte  fisnikëria  beratase që i mbrojti.

Këtë  dëshmi e përcjell anëshkrimi i kodikut 27- të Beratit, ku citohet akti fisnik i  një njeriu dhe familjes së tij, që iu përgjigj  lutjeve të murgut Theodhuli për  t'i shpëtuar këto libra me vlerë. Mendohet që në këtë korpus,  të kenë shpëtuar  dhe dy dorëshkrimet e vjetra, sot janë pasuri e njerëzimit dhe dy nga shtatë kodikët e purpurt në pergamen në shkallë botërore, “Beratinus 1” ose “Kodiku i Purpurt i Beratit” i shekullit të VI dhe “Beratinus 2” ose “Kodiku i Artë i Anthimit” shek. IX. Ja çfarë shkruhej në anëshkrimin e kodikut 27-të të Beratit, pjesë e korpusit prej 73 dorëshkrime të mitropolisë së Beratit, që gjenden në Arkivin Qëndror Shtetëror. “Kujtohu, o Zot, për skllavin tënd Skuribegun, për gruan dhe fëmijët e tij.

[gallery]20697[/gallery]
Etër të shenjtë, ky Skuribeku i fali Manastirit të Theologut të Madh dhe të Shën Gjergjit 27 libra, ndër më të zgjedhurit e më të vyerit. Kur sërbet sulmuan Beratin, dhe u derdhën duke kërkuar majtas dhe djathtas forcomave sipër në kështjellë, at Theodhuli guxoi ta fshehë atë në një skutë të sigurt dhe ta çojë më pas deri te kulla e portës së madhe të kështjellës. Dhe kështu  shpëtuan këto 27 libra, që murgu në fjalë i fshehu brenda në kullë, pasi bëri dy rrugë duke mbartur në shpinë dhe në duar. Ndërkohë shokët e tij ja kishin mbathur dhe nuk e çanë kokën për to, kurse murgjit e tjerë kishin braktisur dhe vetë kështjellën. Dhe tani, ju që e doni Zotin tonë Jezu Krisht dhe Theologun   e madh e Shën Gjergjin, përsërisni dy herë lutjen "Zoti na mëshiroftë!" Nëse ai sot gjendet akoma në provincën e Beratit, ju, të dashur vëllezër, duhet ta mbani për mik të shtrenjtë, sepse ai veproi që ditën e parë. Sepse edhe sikur të kishte ndonjë nga dita e parë(e sulmit), asgjë nuk do të kishte mbetur, pasi ditën e dytë ai mbërritën nga Tomorri Sërbët dhe Vllahtë, që nxorrën edhe të vdekurit nga varri.

Dhe Skuribegu hoqi dhe vuajti për ditë të tëra. S'mjaftoi kjo, por ditën e katërt të korrikut, në orën gjashtë, ra një tërmet i fortë; kështjella u drodh për pesë ditë me rradhë. Beratasit u varën poshtë kështjellës dhe u përhapën në të katër anët". Skuribeku i përkiste familjes Skuraj, një nga njerëzit e këtij qyteti, që mënçurisht kanë ditur t’i ruajnë  këto vlera.

  “Ajo që më beri përshtypje, thotë studiuesi anglez dr. Roderic L.Mullen, është devocioni, pasioni dhe këmbëngulja e atyre njerëzve që kanë punuar mbi këto libra. Të përfytyrosh ç’vetëdije kanë njerëzit që vazhdimisht kanë rrezikuar për këto shkrime, kemi të bëjmë me një mjeshtëri.”
 Fondi i bibliotekës së Mitropolisë  pasurohej me dorëshkrime. Më 8 nëntor të vitit 1399 u futën në këtë  bibliotekë një  koleksion dorëshkrimesh të rralla  në pergamenë(lëkurë) dhe letër (prej kallami).Ishin  10 libra në pergamenë dhe 10 të tjerë në letër, të cilët  ishin nga Anastasi (pergamen), Zonara(në letër, por të veshur me lekurë të kuqe), Antiohu, Efremi, dy tekste me nota muzikore dhe një numër dorëshkrimesh të vjetra e vepra arti mesjetar. Sipas një dokumenti të vitit 1400, mitropoliti i Beratit  e njoftonte Silogun e Kostandinopojës,  për ekzistencën e një koleksioni me shumë sende kulti të manastirit, nota muzikore dhe 20 dorëshkrime shumë të vyera, të cilat Daniel Jehromonaku, igumen i manastirit të shën Kollit të Pendearhondisë (Perondisë) kërkonte t’ia dorëzonte  princit shqiptar të Beratit, despotit Teodor  Muzaka, nga frika, siç thoshte mitropoliti, e invazionit të mundshëm turk në Berat. Në koleksionin e kishës së  Perondisë, bënin pjesë edhe disa tekstile mëndafshi, një përparëse e kuqe, një tjetër prej atllasi të verdhë e stiluar me zogj, gjerdanë të vendosura në dy qese, një pëlhurë e dhuruar nga Gjergji II Balsha, një dhuratë që një person i quajtur Haxhi i kishte  bërë Manastirit  dhe një manal prej bronxi.

Mbi ekzistencën e kësaj pasurie kulturore flet edhe ish mitropoliti i Beratit Anthim Aleksudhi (Alexoudes Anthim), që  beratasit  e çmonin dhe e  quanin  “miku i dijes”. Ai si drejtues  i mitropolisë, mbrojti vlerat kulturore të këtij qyteti, ruajti me shumë fanatizëm kolanën e dorëshkrimeve të krijuara ndër shekuj,  ishte dhe njeriu i pari që përshkroi  dhe promovoi kodikët e gjetur në këtë mitropoli, si vlerë e përveçme  në fondin botëror të letërsisë biblike. Studiuesi Batifol përshkruan takimin  në Berat me Aleksudhin, i cili ia la këto dorëshkrime për t’i parë vetëm disa orë, duke mos  lejuar të dilnin nga arkivi i mitropolisë. Anthim Alesudhi ruajti në bibliotekën e tij, kronikën-testamentë  të Gjon Muzakës së vitit 1510. Në vitin 1885 mjekut Auerbah, mik i familjes së Gjon Muzakës,  shërbente në atë kohë në konsullatën Austro-Hungareze në Vlorë,  iu besua kopja origjinale e përkujtesës, të cilën ia dha në ruajtje   mitropolitit të Beratit Anthim Aleksudhit.  Ky i fundit e mbajti në bibliotekën e tij për aq kohë sa ndenji në Berat, dhe kur u largua  duhet t’a ketë  dorëzuar në bibliotekën Kombëtare të Athinës në sektorin e dorëshkrimeve të rralla, ku dhe u gjend së fundmi.

  Divani e Nezim Beratit, një tjetër pasuri  e këtij qyteti, ka mundur të flasë për shekuj të tërë, falë familjes Resuli. Familja Resuli, një familje e arsimuar në Berat, ka ruajtur për shumë kohë Divanin e Nezim Beratit. Ky dorëshkrim u ruajtë nga Sulejman bej Resuli, gjyshi i Sulo Resulit, i cili kopjoi disa vjersha shqip të Nezimit, sipas  njoftimit të Lumo Skëndos. Namik Resuli  na njofton se dorëshkrimi është gjetur së fundmi në familjen e Bahri Resulit në qytetin e Fierit.

   Abdulla Ferhati është një tjetër intelektual beratas që është marrë me katalogimin, selektimin dhe invetarizimin e katalogëve të dorëshkrimeve  më të vjetra që gjendeshin në bibliotekën e Kalasë që  nga Kodiku Beratinus  (Ungjilli i Pashkës) deri te autografi Metafizika e Kavaliotit.  Abdulla  Ferhati gjatë punës për katalogimin e librave që gjendeshin në bibliotekën e Kalasë, zbuloi në vitin 1938 dorëshkrimin shqip nga Abdyl Saidi me 230 fletë ose 460 faqe. Dorëshkrimi përmbante  5000 vargje të  shkruar në alfabetin grek, të cilin studiuesi korçar Ilo M.Qafëzezi i transkriptoi 1000 vargje nga 5000 vargjet që kishte ky dorëshkrim. Kulturën, hospitalitetin dhe devotshmerinë e të parëve të tyre, e përcollën brezat e qytetarisë  beratase  dhe kryesisht banorët e lagjes Kala.  Me besë shqiptari nuk iu dorëzuan këto vlera kulturore. Edhe pse iu kërkua nga  anzhuinët “për tu dorëzuar për arsye sigurie”, sllavët(1356), ushtria austro-hungareze në Luftën e Parë Botërore, italianët dhe gjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërore, qytetarët e Beratit i mbrojtën ndër shekuj,  jetën e zhvilluar shpirtërore, pasurinë e mendimit, i cili  për shqiptarët përbënte themelin e një corpus juris.

Njerëzit që kanë  ruajtur vlerat  kulturore të qytetit të Beratit janë shumë, duke filluar nga fisnikë, drejtues të lartë shpirtëror, drejtues të lartë vendorë, epitropët dhe qytetarët e thjeshtë të këtij qyteti, pavarësisht përkatësisë fetare. Ndaj  Berati çdo njerit prej tyre i ka  një “borxhë”  për devotshmërinë në ruajtje të vlerave kulturore, shpirtërore, etnografike, ikonografike, artistike dhe arkitekturore të  trashëguar në shekuj. Janë pra, këto vlera që  e vendosën  Beratin në listën e trashëgimisë botërore dhe Shqipërisë i dhanë  pasaportën kulturore.  Po sot a po respektohet  ky kod? Cila është sjellja e qytetarve të Beratit ndaj kësaj trashëgimie!!! Pas viteve ’90 u vu re një vandalizëm ndaj vlerave të artit që mbartnin shtresëzime kulturore nga periudha romaniko-gotike, bizantine, paraosmane e osmane. Muzeu Historik u prish, dhe shumë prej këtyre eksponateve  humbën, u grabitën, u trafikuan.

Këto vite i sollën Beratit një dëmtim kulturor, që asnjë prej pushtuesve të huaj, nuk kishin mundur ta bënin.  Berati vazhdon të humbasë vlerat e tij dhe institucionet vazhdojnë të jenë indiferentë. Rastet e vjedhjeve dhe  tentativat për vjedhje i kanë vënë  objektet liturgjike  mjaft here në rrezik. Katër vite më parë kisha e Shën Spiridhonit  u tentua të grabitej, por autorët u pikasën nga kujdestari i kishës.  Një vit më pas, më 2013, u grabit gjeneratori i kishes. Në nëntor 2016, në kishën e Shën Spiridhonit, u grabit  epitafi dhe kryqi  i dhuruar nga familja Karabina. Epitafi i vjedhur mendohet të ketë qënë një vepër  më tepër se 300 vjeçare e qëndisur në ar dhe argjend. “Ai ishte objekt me vlera shpirtërore të mëdha dhe si i tillë ruhej brenda vendit të faljes.” thotë at Kristaqi. Epitafi ishte rreth 1.5 metra i gjatë dhe 50 cm i gjerë, i vendosur në  kornizë xhami. Në fund kishte një mbishkrim në sllavisht, që  na bën të mendojmë se duhet  të ketë ardhur në mitropolinë e Beratit në kohën  kur kjo mitropoli varej nga Peshkopata e Ohrit, rreth shek. XVI.

Sipas besimtarëve beratas, epitafi vendosej pas epitafit të Gllavenicës  për vlerat  kulturore, shpirtërore dhe artistike që përcillte.  Epitafi ishte pjesë e procesionit të kishës çdo të premte të zezë para Pashkës së Madhe dhe humbja e tij,  mund të quhet,  humbje për të gjithë besimtarët dhe qytetarët beratas.  Kjo vepër shpirtërore dhe artistike mundi të   shpëtonte  për 25 vjet, por jo....! Edhe këto objekte liturgjike  pësuan po atë fat, si shumë vepra arti dhe ikona që humbën në qytetin e Beratit. A duhet dikush të mbajë përgjegjësi për humbjen e tyre??? Mendoj se saga e grabitjeve të institucioneve fetare duhet të marrë fund.
      
Berati ka  një fond ikonash  prej 567 copë në madhësi të ndryshme, një pjesë e tyre janë ekspozuar. Ai ka 3 ikonostase të gdhëndura, 259 objekte të punuar në argjend dhe bronx dhe 77 kanë qënë të ekspozuar, 99 tavane të gdhëndura dhe 1 tavan i pikturuar (49 m2 sipërfaqe),dollape të gdhëndur,14 monumente në pikturë murore që 10 i përkasin  kultit orthodoks, 3 kultit mysliman dhe 1 banesë private dhe 7 prej tyre ndodhen në kalanë e qytetit.Në Berat ruhen  rreth 1238 m2 afreske , nga të cilat 1038 m2 janë të kultit orthodoks dhe 200 m2 të kultit mysliman, gjithashtu mbrohen si monumente të natyrës rreth  12 objekte. Dhe këtë trashëgimi që kemi, duhet ta ruajmë si pjesë të memories qytetare, të nivelit të lartë kulturor që Berati  ka pasur  deri në shek. XX.

Një grup nga Zelanda e Re  kur erdhën në Berat u shprehen  për këtë trashëgimi  “se ruajtja e këtyre vlerave, të kësaj historie do ti shërbej me mirë gjeneratave të ardhshme, ndërsa Shtrausi  do ta quante Beratin  të bukur për të qënë përjetësisht i bukur.  Por Berati do të mbetet i tillë, vetëm në rast se i mbrojmë  këto pasuri që nuk e krijuam ne, por parardhësit tanë.

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit