Berberi, studjuesi i parë në Ballkan
titullin “Legjendë në energji” në SHBA

Berberi, studjuesi i parë në Ballkan<br />titullin “Legjendë në energji” në SHBA
Prof.Doktor Pëllumb Berberi është eksperti i parë në Ballkan, që për kontributin e veçantë në fushën e kërkimit, shfrytëzimit të energjive të ripërtëritshme dhe efiçencës së tyre, u nderua në Kongresin Botëror të Energjisë me titullin “Legjendë në Energji” nga Shoqata amerikane e Inxhinierëve të Energjisë (AEE), në 29 Shtator në Orlando (Florida), SHBA. Dy vjet më parë kjo Shoqatë e çertifikoi në nivelin më të lartë profesional “Profesionist i Çertifikuar” në fushën e matjes dhe verifikimit të efiçencës së energjisë.
 
Prof. Doktor Pëllumb Berberi u nderua me këtë titull të lartë mes rreth 60 studiuesve nga bota, të përzgjedhur pas një pune të gjatë dhe kontributeve specifike në fushat e studimeve, kërkimeve dhe zgjidhjeve konkrete, të cilat përkthehen në bazat e përdorimit në fusha të ndryshme ekonomike. Mes tyre, përzgjedhja e Profesor Berberit, lidhet me studimet dhe kërkimet e tij, që i japin zgjidhje zbatimit dhe përdorimit me eficencë të energjive të ripërtëritshme.
 
Titulli “Legjendë në Energji”, jo vetëm që është tregues, por edhe shembull, se, dhe në kushtet modeste që ofron vendi ynë, Shqipëria ka sot një studiues të shquar, që me një punë këmbëngulëse shumëvjeçare, ka realizuar kërkime të vlerësueshme ndërkombëtarisht. Prof. Pëllumb Berberi është sot i vetmi ekspert i çertifikuar botërisht për energjinë dhe matjen e efiçencës së saj në Shqipëri.  Për vetë Prof. Berberin, ky është vlerësim edhe për kontributet e rëndësishme të Grupit të Energjive të Ripërtëritshme që drejton në Departamentin e Inxhinierisë Fizike në Fakultetin e Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe kolegëve, me të cilët bashkëpunon ngushtë.
 
Shoqata e Inxhinierëve të Energjisë AEE është shoqata më e madhe profesionale për inxhinierët e energjisë në SHBA dhe e vetmja që jep çertifikime dhe liçencime për studiuesit me kontribut të veçantë në shkencë. Për Profesor Berberin, rruga ishte çelur para se të mbërrinte tek titulli “Legjendë në Energji”, kur kishte fituar çertifikatën e lartë profesionale “Profesionist i Çertifikuar” në fushën e matjes dhe verifikimit të energjisë. Ishte i vetmi që u vlerësua nga Bordi i Shoqatës AEE me nivelin e lartë “Profesionist i Çertifikuar”  në testimin e zhvilluar nga ekspert të Shoqatës me pjesëmarje të specialistëve të shumtë nga shumë vendeve të Ballkanit. “Testimi me shkrim u zhvillua në vitin 2013 kur erdhën këtu specialistë të AEE nga SHBA. Testet u dorëzuan në qendrën e AEE në Atlanta. Aty më shpallën fitues të çertifikatës së parë në fushat e energjisë, që u hapi rrugën të tjerave”, shpjegon Prof. Berberi. Në Ballkan këtë çertifikatë e mbajnë 10 studiues kroatë dhe 2 grekë.  Si Profesor në Departamentin e Inxhinierisë Fizike në Universitetin Politeknik, drejton Grupin e Energjive të Ripërtëritshme me 7-8 veta, që zhvillojnë punën studimore në fushat e energjive diellore, erës dhe eficencën e tyre. “Kam 5 studentë, që punojnë në këtë fushë dhe janë në proces të mbrojtjes së doktoratës”, shprehet me kënaqësi Prof. Pëllumb Berberi.
 
Si ekspert, njeh rolin që ka për ekonominë efiçenca e energjisë. “Sot energjitë e ripërtëritshme dhe efiçenca, si pjesë e tyre, përbëjnë prioritet botëror. Energjia diellore, era, uji, biomasa dhe shumë burime të tjera të energjive të ripërtëritshme në mënyrë të vrullshme po zëvendësojnë përdorimin e burimeve konvencionale të energjisë, kryesisht fosilet, për prodhimin e energjisë elektrike dhe nxehtësi”, shpjegon fizikanti Berberi, teknologjitë të reja, ende të panjohura mirë në Shqipëri. “Një veçanti e teknologjive të energjive të ripërtëritshme është që, përveç parimeve të përgjithshme, nuk ka zgjidhje standard dhe për të qenë i suksesshëm, duhet përgatitje e thelluar, zgjidhje dinamike e elastike. Kjo bën, që çdo vend të ofrojë diçka të re dhe origjinale në masivin e dijes botërore”, tregon Prof. Berberi të ardhmen e zhvillimit të energjive të ripërtëritshme. Si ekspert i fushës, Prof. Pëllumb Berberi gjykon situatën në Shqipëri. “Kemi zhvillim pozitiv në përdorimin e energjisë diellore për ngrohjen e ujit, në serat me ngrohje, se konsumatori ynë i ka ndjerë efektet pozitive të përdorimit të paneleve diellore për ngrohjen e ujit sanitar, që kanë kosto më të ulët se energjia elektrike. Në Department kemi studiuar këto aspekte, kemi rajonizuar Shqipërinë, se ndryshe ndodh me energjinë diellore në Kukës, apo Tiranë. Si problem që kërkon të dhëna të sakta shumëvjeçare dhe përpunim e interpretim të kujdesshëm, ne kemi arritur të vlerësojmë dhe rajonizojmë të gjithë qendrat kryesore të banuara këtu.”, thotë Prof. Berberi.
 
Për të, ndryshe paraqitet situata e prodhimit të energjisë nga era dhe fotovoltaike. “Kemi përcaktuar metodika standard të vlerësimit të fisibilitetit, potencialeve dhe mund të vlerësojmë me saktësi efektivitetin, kostot e shfrytëzimit. Megjithatë, pavarësisht nga përmirësimet e vazhdueshme teknologjike dhe rëniet e kostove, kostoja e energjisë elektrike prodhuar prej tyre është më e lartë se e energjive konvencionale. Nuk ka të dhëna zyrtare, por mund të kemi rreth 100 mijë metra katrorë panele diellore të instaluar në të gjithë vendin, kryesisht përmes telefonisë. Por për shfrytëzimin gjerësisht të energjisë së erës dhe diellit për prodhimin e energjisë elektrike, duhen politika të zgjuara mbështetëse”, shpjegon detaje nga studimet e kryera ndër vite Prof. Pëllumb Berberi.
 
E di se sot, studimet kryesore për efiçencën e energjisë bëhen për banesat, izolimin, këmbimin termik, ndërsa ka shumë pak të dhëna nga sektorët prodhues. “Di se në Kuvend po diskutohet projektligji për efiçencën e energjisë. Gjykoj se problemi nuk është tek ligji, por tek zbatimi i tij. Deri në zbatimin e ligjit, kërkohet politikë e përgjegjshme, mbështetje serioze për përgatitjen e ekspertëve të aftë dhe vullnet politik”, gjykon Prof. Pëllumb Berberi. Shprehet me rezerva për bashkëpunimin e sektorit shkencor me administratën publike. Ndihet keq kur konstaton studime fiktive, mbështetur në të dhëna jo reale, të huazuara nga burime të ndryshme e të pambështetura në matjet konkrete. Sipas Berberit, Profesor që mban edhe dy Doktorata dhe i vetmi në Shqipëri si ekspert i çertifikuar botërisht për energjinë dhe matjen e efiçencës së saj,  “sot mungon hallka, që unifikon studimet me zbatimin e tyre në ekonomi”. Çmon faktin se faktori njerëzor, si kudo, edhe në fushën e energjive të ripërtëritshme është vendimtar: “duhet të mendojmë sa më shpejtë për përgatitjen e specialistëve të aftë, që të zbatojnë e menaxhojnë teknologjitë e ripërtëritshme. Zgjidhjet për  këto teknologji ndërthurin dije nga fusha të ndryshme, shumë herë në dukje larg njëra-tjetrës, ndaj shfrytëzimi racional i tyre mund të bëhet vetëm nga specialistë të mirëpërgatitur”. Për këtë, tregon një shembull konkret, projektin më të ri, me të cilin punon me grupin e vet Prof. Berberi.: “aktualisht, Grupi i energjive të ripërtëritshme po bashkëpunon në një projekt me një Universitet francez në Korsikë mbi përdorimin e metodës së pompimit të ujit për ruajtjen dhe shfrytëzimin efektiv të energjisë diellore dhe erës. Nëse kjo metodë rezulton e suksesshme, do të hapë rrugën e shfrytëzimit të rezervuarve ekzistues të përdorur për ujitje në Shqipëri për përmirësimin e rendimentit të shfrytëzimit të këtyre energjive. Por kjo nuk është një metodë standard, që mund të aplikohet pa një vlerësim konkret e të gjithanshëm të potencialeve, kostove, teknologjive, efekteve mjedisore, deri ato sociale”.  
 
Profesor Pëllumb Berberi u diplomua për Fizikë të Aplikuar në vitin 1972 në Universitetin e Tiranës dhe është ekspert në elektricitetin statik, në teknologjitë e përpunimit të fibrave tekstile, në optikën e zbatuar dhe në energjitë e ripërtëritshme. Si pedagog në Departamentin e Inxhinierisë Fizike drejton Grupin e Energjive të Ripërtëritshme. Prej vitit 1992 mban titullin “Doktor”, ndërsa “Kandidat i Shkencave në Fizikë” prej vitit 1986. Është i pari fizikant që ndihmoi në futjen në prodhim në vitin 1987 në industrinë tekstile të fibrave kimike në ish-Kombinatet e Tekstileve në Berat dhe Tiranë, duke i dhënë zgjidhje një problemi kryesor në këtë sektor siç ishte ai i elektrizimit dhe kontrollit të vetive të tyre. Mbas viteve 90të punoi gjatë në Departamentin e Fizikës në Universitetin Politeknik dhe nisi rrugëtimin e pjesëmarrjes në dhjetëra kualifikime dhe anëtarësime në organizata profesionale. Është anëtar i disa prej organizmave botërorë si Instituti i Fizikës së Mbretërisë së Bashkuar IoP, në të cilën gëzon nivelin më të lartë të anëtarësimit Fellow dhe çertifikimin në nivelin më të lartë profesional “Fizikan i Çertifikuar” CPhys, i Shoqatës së Elektrostatikës të Amerikës, ESA. Ka mbajtur pozicione të ndryshme drejtuese në organizata profesionale brenda dhe jashtë vendit si Kryetar i Shoqatës së Fizikanëve të Shqipërisë, anëtar i Këshillit të Shoqatës Evropiane të Fizikës EPS, anëtar i Kryesisë së Bashkimit të Fizikanëve të Ballkanit BPU. Në vitin 2001 u përzgjodh nga Universiteti i Hokkaidos (Japoni) për të shërbyer si Profesor i Ftuar për një vit aty. Në karrierën e tij shkencore, Prof. Berberi ka shërbyer në një sërë pozicionesh të rëndësishme, që nga drejtues shkencor në ndërmarrje prodhuese, përgjegjës departamenti, zëvendës rektor dhe rektor. Ka botuar 13 tekste e materiale të tjera mësimore, ndërsa numëron 105 botime shkencore brenda dhe jashtë vendit dhe ka marrë pjesë në dhjetëra projekte .

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Peqin/ Përshtatën magazinën për kultivimin e kanabisit, në pranga pronari dhe drejtori i OSHEE

Peqin/ Përshtatën magazinën për kultivimin e kanabisit, në pranga pronari dhe drejtori i OSHEE