Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERD).
LONDËR, 19 janar /ATSH-AFP/ - Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERD) ka ulur drastikisht sot parashikimet ekonomike për Rusinë, për shkak të rënies së çmimit të naftës dhe të sanksioneve ekonomike perëndimore.
Ky institucion me qendër në Londër përllogarit një ngushtim të ekonomisë ruse me 4,8 për qind këtë vit, kundrejt një parashikimi të mëparshëm të bërë në shtator që fliste për një zvogëlim të ekonomisë me vetëm 0,2 për qind.
Megjithatë Moska vazhdon të parashikojë zyrtarisht një rënie ekonomike me 0,8 për qind të PBB-së për vitin 2015, por ministri i Financave, Anton Silouanov, nuk përjashton edhe një rënie të ekonomisë me më shumë se katër për qind duke parë nivelin e rënies së çmimit të naftës, që është një nga burimet kryesore të të ardhurave të shtetit rus.
Rënia e çmimit të naftës nuk do të prekë vetëm Rusinë por edhe Kazakistanin dhe Azerbaxhanin, ndërkohë që nga kjo situatë do të përfitojnë vetëm disa vende që janë importues të energjisë.
Për sa i përket Ukrainës, parashikimet për këtë vend vazhdojnë të jenë shumë negative, pasi pritet një rënie ekonomike me pesë për qind për vitin 2015, kundrejt tre për qind që ishte parashikuar në shtator, për shkak të konfliktit në lindje dhe të pasigurive mbi sasinë dhe afatin e ndihmës financiare që parashikohet për këtë vend./
/G.S/









