Ka pasur një moment në histori kur publiku i gjerë, edhe ai më pak i vëmendshëm ndaj ngjarjeve ndërkombëtare, e kuptoi se çfarë ishte CNN. Kjo ndodhi më 17 janar 1991, kur kanali amerikan ishte i pari që dokumentoi bombardimet amerikane mbi Bagdad, të cilat shënuan fillimin e Luftës së Gjirit Persik.
E gjithë kjo falë një korrespondenti që arriti të qëndronte në Irak dhe t’i tregonte gjithë botës se çfarë po ndodhte. Ai ishte gazetari i luftës Peter Arnett, i cili ndërroi jetë një ditë më parë në Newport të Shteteve të Bashkuara në moshën 91-vjeçare. Ai vuante prej kohësh nga një sëmundje, raporton Corriere della Sera.
Arnett, i lindur në Zelandën e Re, kishte qenë më parë korrespondent lufte për Associated Press, fitues i Çmimit Pulitzer për mbulimin e Luftës së Vietnamit dhe ishte kthyer në një nga fytyrat më të njohura në botë nga zonat e luftërave dhe kryengritjeve.
“Nga xhunglat e Vietnamit deri në Irak, ku intervistoi presidentin Saddam Hussein dhe ishte ndër gazetarët e fundit perëndimorë në Bagdad, në shpërthimin e Luftës së Gjirit në vitin 1991 dhe gjatë pushtimit të udhëhequr nga amerikanët në vitin 2003, Arnett raportoi dhe theu rregulla, zemëroi udhëheqës kombëtarë dhe frymëzoi breza gazetarësh”, shkruan New York Times.
Për më shumë se 45 vite, Arnett ka ndjekur 17 luftëra në Azi, Lindjen e Mesme, Europë dhe Amerikën Latine. Ai realizoi dokumentarë televizivë, shkroi dy libra dhe mbajti konferenca të shumta. Ndër arritjet e tij më të mëdha në karrierë ishte edhe një intervistë në vitin 1997 në Afganistan me Osama bin Laden, udhëheqësin e Al Kaedës.
Në janar të vitit 1991, kur sulmi ndaj regjimit të Saddam Husseini ishte tashmë i pashmangshëm, Arnett, ndryshe nga shumica e reporterëve perëndimorë, qëndroi në Bagdad dhe transmetoi drejtpërdrejt bombardimin nga dhoma e tij në hotelin Rashid.
Komente





