TIRANË- Dosja voluminoze e SPAK për Arben Ahmetajn, ku përmendeshin edhe një sërë zyrtarësh të mazhorancës, e ka futur opozitën e përçarë në një tjetër garë. Ish kryeministri ka marrë indirekt meritat se ka qenë 'e djathta' e vetme që ka denoncuar aferën e inceneratorëve ndërsa zbuloi se për disa muaj me radhë, në kohën e kryesimit nga Basha, ka patur një pauz disa mujore të këtyre denoncimeve nga selia blu.

Arsyen, Berisha nuk e dha por këtë të premte, sapo mbaroi seanca e Posaçme ku Kuvendi i hapi rrugë arrestimit dhe bastisjes së banesave të Arben Ahmetajt nga SPAK, Berisha nxorri PD-në zyrtare jashtë loje si kontribuuese për denoncimet e kësaj afere. Megjithatë, me ç’duket, Berisha nuk e kishte ‘garën’ me PD, por me vetë Bashën, për të cilin nënkuptoi tërthorazi se nuk i ka ‘leverdisur’ të denoncojë për inceneratorët. Ky shigjetim i Berishës për Bashën evidentohet edhe më qartë pasi përgëzon Sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhin për fjalën e tij në Kuvend.

“Ka qenë një periudhë kur PD nuk pranonte të denonconte djegësat.

Për koincidencë, një familjar i imi që është specialist dhe merrej shumë me këtë punë, nuk i pranoheshin të bënte deklarata nga partia.

Kjo periudhë ka zgjatur. Në një periudhë jo të shkurtër, PD ka refuzuar të japë për ekspertët e saj, hapësirën për denoncimin.

Është folur që këta kanë një lidhje me Mërtirin dhe Zoton, por nuk kam të dhëna për këtë. Ajo që di është se për muaj të tërë nuk pranoheshin djegësat nga kjo seli.”- thotë Berisha.

Distancimin e Bashës nga Partia, Berisha e nënkuptoi edhe me paralajmërimin për protesta për çështjen e inceneratorëve. Edhe pse nuk e përmendi me kë konkretisht, Berisha tha se do të kryen negociata me pjesëza të tjera të opozitës, gjithnjë edhe më të përçara mes vetes, së fundmi prej çështjes së kryetarit.

“Ne do u drejtohemi shqiptarëve për të kërkuar largimin e qeverisë me protesta. Kjo është aferë e tmerrshme. Do bëhen negociata me opozitën por kjo nuk mund të kapërcehet.”- thotë Berisha.

Kujtojmë se çështja e “Inceneratorëve”, hetimi për të cilin ka çuar në burg një ish ministër, Lefter Kokën dhe ish deputetin Alqi Bllako,  për vite u bënë karta më e fortë e luftës së drejtuar nga Lulzim Basha, ndërsa SPAK ka marrë në dorëzim edhe materialet e grumbulluara në komisionin hetimor parlamentar, që u ngrit me kërkesë të PD zyrtare dhe u drejtua nga Jorida Tabaku.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:10
Sali Berisha: Gazment Bardhin e duartrokita me zemër, e meritonte

Ditën e sotme në seancën plenare ku u miratua heqja e imunitetit të Arben Ahmetaj, Sali Berisha duartrokiti pas fjalimit të Gazment Bardhit. Në konferencën e përjavshme me gazetarët, Berisha tha se Bardhi i meritoi duartrokitjet pasi u tha shqiptarëve një të vërtetë të madhe. Duartrokitjet, Berisha tha se i ka bërë me zemër.

“Pse e duartrokita unë Bardhin? E mbylli fjalimin e tij me të vërtetën më të madhe të kësaj afere. U tha shqiptarëve, ndonëse jo me këto terma, por ekzakt, sipërmarrja është e Edi Ramës. Duhet të budallepsësh çdo njeri, çdo institucion që të besosh se ndërmarrja është e Klodian Zotos. Bardhi e tha me qartësinë më të madhe meritonte duartrokitje të plota. I kam bërë me zemër”, tha Berisha.

Po ashtu Berisha u shpreh i hapur të takohet me deputetët e tjerë të PD-së.

“Absolutisht i hapur në çdo kohë jam, ata janë deputetë të PD-së. Thashë, tjetër është skenari i Ramës me Lul Bravën, tjetër janë kundërshtirat brenda PD-së”, u shpreh Berisha.

Ora 13:31
A ka lidhje Basha në aferën e inceneratorëve? Berisha: Selia blu ka refuzuar të denonconte aferat e inceneratorëve

 

Ish kryeministri Sali Berisha nuk ka përjashtuar mundësinë që edhe Basha të ketë qenë i përfshirë në aferën e inceneratorëve. Berisha zbulon se ka pasur një periudhë që selia blu nuk pranonte të denonconte për inceneratorët.

“Ka qenë një periudhë kur PD nuk pranonte të denonconte djegësat.

Për koincidencë, një familjar i imi që është specialist dhe merrej shumë me këtë punë, nuk i pranoheshin të bënte deklarata nga partia.

Kjo periudhë ka zgjatur.

Në një periudhë jo të shkurtër, PD ka refuzuar të japë për ekspertët e saj, hapësirën për denoncimin.

Është folur që këta kanë një lidhje me Mërtirin dhe Zoton, por nuk kam të dhëna për këtë.

Ajo që di është se për muaj të tërë nuk pranoheshin djegësat nga kjo seli.”- thotë Berisha.

Ora 13:11
Berisha paralajmëron protesta: Aferë e tmerrshme, do bëjmë negociata me opozitën se s’mund të kapërcehet

 

Sali Berisha ka paralajmëruar sërish protesta pasi kuvendi aprovoi kërkesën e SPAK për aferën e inceneratorëve.

“Ne do u drejtohemi shqiptarëve për të kërkuar largimin e qeverisë me protesta. Kjo është aferë e tmerrshme. Do bëhen negociata me opozitën por kjo nuk mund të kapërcehet.”- thotë Berisha.