Berisha dhe bllofi me tre ligjet

Berisha dhe bllofi me tre ligjet
Sot Baronesha Ashton, pra ministrja e jashtme e Bashkimit Europian, mbërrin në Tiranë për herë të parë. Një vizitë kortezie në një vend që dëshiron të bashkohet në familjen e madhe të Bashkimit Europian, por që ndodh vetëm pak orë pas thyerjes së rëndë diplomatike që ndodhi dje në Parlament kur Berisha, duke injoruar të gjitha thirrjet ndërkombëtare, përfshi dhe atë të Baroneshës Ashton, vendosi të thyejë kodin elektoral dhe të modifikojë përbërjen e KQZ pak javë para votimeve.

Vendimi i Ilir Metës për të dalë nga qeveria e tij dhe për t’u bashkuar me Partinë Socialiste mesa duket nuk ishte parashikuar nga Berisha që vendosi të grisë kodin elektoral për të përballuar këtë emergjencë politike. Por ky veprim zbulon në sy të shqiptarëve, të komunitetit ndërkombëtar dhe të Bashkimit Europian që shqetësimi i tij për miratimin e tre ligjeve të kërkuara nga Brukseli dhe i transformuar madje dhe me një matës elektronik minutazhi të montuar në bulevardin e Tiranës, ishte vetëm një bllof. Apeli i tij i vazhdueshëm për t’i aprovuar ato ishte vetëm një lojë sa për t’u dukur.

Respektimi i standarteve europiane për votën e 23 qershorit për Brukselin vlejnë më shumë se tre ligjet: e mëgjithatë Berisha nuk hezitoi për asnjë moment për t’i dhunuar ato standarde vetëm e vetëm për të mbrojtur interesat e tij partiake. Eshtë e qartë për të gjithë që Berishës dhe Jozefina Topallit – e cila dje në Kuvend ishte më agresive se kurrë, nuk i interesojnë as tre ligjet: u intereson vetëm të mbrojnë pushtetin e tyre absolut, i cili prej dy javësh nuk është i bazuar në rezultatin elektoral të 2009, por në votën e tre deputetëve të zgjedhur me votat e socialistëve dhe që tani kanë vendosur të tradhëtojnë opozitën dhe të vihen në shërbim të qeverisë, duke shpresuar kandidimin në listat e PD.

Editorial i TV A1 REPORT!

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Ish-kamp burgu i Spaçit, debati në prezantimin e Planit të Menaxhimit: Pse Muzeu në autostradë?! Hartuesit: Kështu ndodh edhe jashtë shtetit!

Ish-kamp burgu i Spaçit, debati në prezantimin e Planit të Menaxhimit: Pse Muzeu në autostradë?! Hartuesit: Kështu ndodh edhe jashtë shtetit!