Gara e PD për kryetar, me vetëm një kandidat që është njëherësh edhe drejtuesi aktual i saj, Sali Berisha, shihet nga gazetari Ardi Stefa si barsaletë. E gjithë situata e krijuar e ka kthyer partinë në një të tillë, sprehet ai në një lidhje direkte në Report Tv duke nënvizuar se kjo forcë politike ka krizë të thellë identiteti, lidershipi dhe vizioni.

“PD është në një krizë jashtëzakonisht të thellë të identitetit të saj, lidershipit, në një krizë që dëshmon mungesën e një alternative, ideje apo rinovimi që duhet në mënyrë që PD të vijë në pushtet. Me zellin për t’i shërbyer PD, enturazhi i tij ia doli që PD ta kthente në barsaletë”, tha Stefa.

Duke luajtur paksa me emrat e Mereme Selës e Flamur Nokës, Stefa emërtoi fenomenet që po ndodhin brenda partisë, të cilat janë prodhim direkt i Berishës.

“PD ia doli të meremizohet dhe meremizimi është pasojë e flamurnokëzimit të PD që është produkt direkt i berishizmit në parti. Nga zelli i madh për ta shpallur doktorin si kandidat të vetëm që duhet të kalcifikohet, e ktheu PD në barsaletë”, tha gazetari.

Me këtë formë udhëheqjeje, Berisha vetëm po i siguron Ramës fitoren e zgjedhjeve 2027:

“Berisha po lë vendin pa opozitë, po çimenton vendin e Ramës. Po i jep Ramës mundësinë që të fitojë në 2027 siç e ka deklaruar, në 61 bashki”, tha Stefa duke bërë edhe një parashikim për zgjedhjet e 23 majit në PD dhe rezultatin e një dite më vonë:

“Do të zgjohet ashtu si do të ngryset, e vogël, e turbullt, larg shoqërisë e qytetarëve. Mos të na gënjejë mendja, asgjë nuk do të ndryshojë në PD sa kohë të jetë Berisha dhe enturazhi i tij”, tha ai.

Pa asnjë shpresë për të ardhmen e partisë, Stefa thotë se kështu rruga e saj e vetme do të jetë humbja, për sa kohë në krye qëndron një komunist i shtirur si demokrat.

“Për sa kohë PD miraton duke ngritur dorën, pa asnjë lloj kontestimi, çdo gjë thotë Sali Berisha, asgjë nuk do të ndryshojë dhe do të shkojmë nga humbja në humbje. PD s’e ka luksin të humbasë as çerek anëtari, demokrati apo intelektuali. PD duhet të ngrihej mbi vetveten. Në krye të PD kemi një parti që e kaloi Enver Hoxha. 36 vjet hiqet si demokrat, por në fakt është komunist”, u shpreh gazetari.