Berisha 'i dha të drejtë' Arendt kur parashikonte kufirin mes dhunës dhe politikës

Berisha 'i dha të drejtë' Arendt kur parashikonte kufirin mes dhunës dhe politikës

Sali Berisha

Studiuesja e njohur e filozofisë Hannah Arendt është përcjell këto ditë e cituar shumë në median shqiptare. Ky fakt lidhet me të vërtetat e esesë së shkruar prej saj, “On violence”, e cila jep përsiatje të një demokracie të ardhshme që ajo vërtetë nuk do ta njihte, porse fuqia e mendimit të saj mund ta parashikonte nga spiralet e ngjarjeve dhe kahu që po merrte demokracia në mesin e viteve ’70, kur ndahej nga jeta.

Ngjarjet kaotike te selia e PD-së më 8 Janar dhe përshkallëzimi i situatës në një formë shumë të dhunshme, që solli reagimin e shumë subjekteve të huaja; futja e FNSH-së dhe RENEA-s, të cilat arritën dhe e shmangën profesionalisht; përdorimi i tepruar i gazit (që duhet hetuar); leksiku i ashpër i dhunës dhe parashikimet ogurzeza e sollën të freskët zhvillimin e mekët demokratik shqiptar dhe paradokset e tij edhe pas tre dekadash post-socializëm. Ashtu, si gati para 25 viteve ne tregojmë se jemi gati ta shpërbëjmë krejt shtetin qoftë edhe me sfidat më të zakonshme, që kërkojnë arsye dhe jo batërdi. Deklaratat dhe citimet e një pjese të grupit Berisha për mënyrën sesi do të merrnin ndërtesën aktuale të PD-së, forcimi i ngrehinës jashtë çdo imagjinate nga grupi Basha dhe zhvillimi i të gjithë ngjarjeve do të mbeten në analet e turpit të historisë së kësaj partie, për të cilën kur do t’ua tregojnë pasardhësve do t’u duhet të nguten ose ta shprehin me vetëm një ose dy fjali për ta anashkaluar dhe mbase edhe me ndonjë ulje koke.

Por a ndodh kjo vallë vetëm në Shqipëri? Shumë studiues tashmë po e referojnë jo thjesht si fenomen, por gati si një zhvillim normal politik në kohët e reja. Jo më kot, përmendja dhe ideja e “dhunës” tashmë ka shumë vend të rëndësishëm në jetën bashkëkohore politike. Dhe, demokracitë e sotme, sidomos në Ballkan, jo vetëm nuk e shmangin dhunën por e kanë pjesë të aksionit dhe fjalorit të tyre politik. Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Mali i Zi e kanë treguar këtë realitet edhe më ashpër se në vendin tonë. Do e thoshte më mirë një studiues, që do t’i referohemi në këtë shkrim: “Demokracitë tona nuk përcaktohen nga aftësia e tyre për të përjashtuar dhunën nga sfera politike; përkundrazi, unë besoj se situata e tyre aktuale përcaktohet nga mënyra se si e trajtojnë dhunën që e përshkon dhe ndjek shoqëritë tona”, shkruan Denis Merklen tek “Political Violence in Democracy”.

Argumentimi është shumë interesant, por i mungon realisht shpërshfaqja shqiptare e situatës dhe sidomos konteksti i saj. Nëse para viteve ’90, shteti socialist e kishte të përcaktuar në Kushtetutë sundimin e Diktaturës së Proletariatit, si ideologji drejtimi, fill pas këtij caku pati një hapësirë të madhe të asaj që kuptohej si demokraci. E drejta për të protestuar e mohuar deri më atëherë mori pushtet, porse shpesh jo për probleme social-ekonomike por mirëfilli për politikë, që më vonë u kanalizuan thjesht për mbajtjet në karrige të 1-shave, ngulur për të mos u hequr më në krye të partive tona politike. Të numërosh shumën e mitingjeve politikë dhe t’i krahasosh me ato social-ekonomike në një analizë të zakonshme sasiore do kishte një diferencë të frikshme në favor të së parës. Kurse analiza cilësore do të nxirrte boshllëkun e temave dhe ideve si edhe kaotizmin e tyre për mbështetjen e njërës apo tjetrës parti.

Shkencat sociale janë përballur gjithnjë e më shumë me një situatë të re, e cila kërkon shqyrtimin e kufirit midis dhunës dhe politikës, pikërisht atë që e hasëm në ligjërimin e Berishës. Jo çdo dhunë është (në fund të fundit) politike, ashtu si mund të thuhet se politika nuk është (në fund të fundit) dhunë. Këtë kishte në kokë autori i mësipërm, që e shtron si diskutim dhe kur i vendos këto dy koncepte për shqyrtim përballë njëra-tjetrës. Hannah Arendt në guximin e saj të mendimit intelektual në esenë për Dhunën ndihmoi në shndërrimin e kësaj dikotomie apo përballjen reale të mendimit mbi politikën.

Ngjarja e së shtunës së 8 janarit ( 2022) na tregoi se ende politikanët, si Berisha e konsiderojnë dhunën si të arsyeshme dhe normale, kuptohet duke e kamufluar me një ligjërim ambuig, kurse në historitë e tyre PS dhe PD, dy partitë kryesore që drejtojnë Shqipërinë, kur ishin në opozitë kanë treguar se deri ku mund të shkohet me dhunën apo sa e kanë pjesë përbërëse atë. Përplasjet e ashpra, përdorimi i lëndëve të papranueshme materiale, sloganet por mbi të gjitha mungesa e qartësisë e ka diferencuar dhunën tek ne për të provuar raportin mes dhunës dhe politikës por edhe konceptet e antropologjisë politike shqiptare. Kryeministria është bërë shpesh akt i goditjeve, kurse imazhi i atij qytetarit që rri me një anti-tank para derës së saj gati për ta qëlluar është metafora sesi dhuna jeton, kundrohet dhe përballet egërsisht por edhe bashkëjeton me politikën shqiptare. Madje edhe e bekuar dhe e amnistuar nga politika. Pushtimi i RTSH-së qoftë dhe me ndihmën e punonjësve të saj (!!); ngjarjet e paimagjinueshme të vitit 1998; “21 Janari” me të vrarët tregoi sesi mund t’i afrohesh kryeministrisë, njërit prej institucioneve kryesore në vend; ashtu si 1997 e kaloi çdo lloj përfytyrimi të përballjes demokratike, por edhe qytetarinë e dhunës tek ne. Kuptohet se  nuk është më ajo kohë që referohej në kohën e Hannah Arendt e ku flitej për marrëdhëniet midis dhunës dhe dominimit, dhunës dhe pushtetit, apo dhunës dhe shtetit. Duke gjykuar nga kërkimet mbi “dhunën”, “paqëndrueshmërinë” ose “paligjshmërinë”, do të duket se në fillim të shekullit të njëzetë e një, dhuna e ka lënë jetën politike pas, duke u depërtuar thellë në të çarat e jetës shoqërore. Nëse dëgjojmë analizat bashkëkohore të sociologëve dhe të shtypit, si dhe të atyre në pushtet, dhuna e ka braktisur përfundimisht jetën politike për t’u vendosur brenda shoqërisë civile dhe është e lidhur vazhdimisht me çështje të tilla si ndjenja e pasigurisë apo krimit. Përballë këtij niveli difuzioni, shkencat sociale duket se kanë humbur bazën e tyre dhe po përpiqen të kontribuojnë në debatin politik. Publikimet e fundit por edhe situata shqiptare sheh dhunë kudo: dhunë në familje, dhunë në shkolla, dhunë urbane dhe dhunë në periferi, “dhuna në media”, dhunë në vendin e punës, dhunë politike, krim dhe pedofili, “dhunë e padukshme” (imigrim, paaftësi, e padukshme abuzimi), dhuna ndaj fëmijëve, dhuna e të rinjve, figura e paqartë e viktimës dhe një “kulturë frike”, na drejton në këtë arsyetim të tij, studiuesi Merklen. Por rasti është pothuaj i njëjtë në Shqipëri.

A ka qasje me realitetin tonë: E shikon mirëfilli edhe në diskursin dhe aksionin tonë politik. Basha e përdori arkivol dhe vdekje fare normalisht në konferencën e 8 Janarit; Berisha, dhunën, e quajti normalitet dhe të paqenë (!!); dikur arkmorti i të ndjerit Hajdari u përdor jo më si metaforë por si mjet real goditës të shpërthente dyert e kryeministrisë; fjalori i Z.Berisha, me referenca deri nekrofile, disa herë kalon dhe përfytyrimet më të çartura. Më keq akoma, dhuna e organizuar politike ndihet edhe më shumë prej një përhapje të dhunës që sistemi i drejtësisë duket i pafuqishëm për ta frenuar. Të paktën tek ne e kemi fare përballë dhe ndihemi shpesh të pambrojtur. Shpesh dhuna na vjen sepse derdhet nga fuqia e vetëm një individi, i cili e përçon dhe e kanalizon sipas modeleve të papërshtatshme të interesit. Rasti Berisha dhe interesi i tij si leader për të larguar vëmendjen nga shqetësimet e tij kanë bërë që turma ndjekëse të ngatërrojë qëllimin e vërtetë me realitetin përballë. Vërtetë,  Berisha ka treguar se di të unifikojë vullnetin e vet me turmën e PD-së dhe madje t’ua diktojë edhe qëllimin. Anipse, në protestën e fundit, ndoshta për qëllime pragmatike apo edhe thjesht teknike, për të mos thënë më të logjikshmen, që e lanë aventurën e PD-së për interesin e tyre, Berisha u braktis nga një sërë eksponentësh të PD-së. Ishte jo e zakonshme që në protestë mungonin Topalli, Nishani, Oerd Bylykbashi, Luçiano Boçi, Tritan Shehu, Bujar Leskaj dhe Edmond Spaho apo fakti sesi ata iu shmangën protagonizmit, sipas medias. “Kur themi për dikë se ai është ‘në pushtet’, ne në fakt i referohemi fuqizimit të tij nga një numër i caktuar njerëzish për të vepruar në emër të tyre. Në momentin që grupi, nga i cili filloi pushteti (potestas in populo, pa një popull apo grup nuk ka pushtet), zhduket, edhe ‘fuqia e tij’ do zhduket. Në përdorimin aktual, kur flasim për një ‘njeri të fuqishëm’ ose një ‘personalitet të fuqishëm’, ne e përdorim tashmë fjalën ‘fuqi’ në mënyrë metaforike; asaj që ne i referohemi pa metaforë është ‘forcë’”, shkruan Hannah Arendt te ‘On Violence’”. A është vallë rasti i Berishës?! Për të ardhur keq është se ai nuk ka më fuqi dhe pushtetin e këtij arsyetimi, ndaj në rastin e tij për kundërpeshë dhuna e kalon politikën. Në skemë, si në rastin e 8 Janarit, vjen përgjigja nga institucioni, kurse pasoja përplaset te qytetari i thjeshtë, qoftë ai që manipulohet por edhe ai që do t’i ndajë këto koncepte dhune që protesta e fundit na i tregoi se i kemi pjesë të jetës sonë. Ndaj, 8 Janari na kthjelloi realisht. Të paktën Berishën, që e mbylli jo pak me siklet një karrierë të jashtëzakonshme por shumë të përfolur politike, i cili mes politikës dhe dhunës u strehua tek habitati i tij: dhuna, me të cilën ka bashkëjetuar…për të mbijetuar politikisht te një turmë e etur për të. Por të paktën, Berisha, “i dha të drejtë” Arendt kur e parashikonte kufirin mes dhunës dhe politikës.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë