Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli sot (13 Janar) në një konferencë të radhës për mediat, ku sulmoi qeverinë për gjendjen ekonomike, kryeministrin Edi Rama për 'zënien e ditës së dielë të qytetarëve me hallet e tij', në atë që ai e quajti edhe si narkoregjim si dhe akuzat ndaj gjyqtares së Kushtetueses Marsida Xhaferrllari.
Nën akuzë dhe i pandehur për aferën në dosjen “Partizani” nga SPAK prej më shumë se një viti, ai u shpreh dakord për ndryshimet në Kodin Zgjedhor që lidhen vetëm me votën e Diasporës, pavarësisht se ligji aktual nuk e lejon, por kjo mund të bëhej me amendime dhe përjashtime të veçanta.
Gjithashtu sulmoi edhe gjyqtaren e Kushtetueses, Marsida Xhaferrllari, për të cilën anëtarja e kryesisë së PD, Adriana Kalaja ka depozituar një kallëzim për bashkëjetesën e padeklaruar me deputetin Enkelejd Alibeaj. Berisha tha se nëse ajo ka shkelur ligjin dhe integritetin kushtetues duhet të largohet.
Ish-kryeministri akuzoi edhe pasardhësin për mashtrimet elektorale, teksa premtoi rrogën minimale 500 euro, minimumin jetik, ulje të taksave dhe tatimeve, rritje të ekonomisë dhe pensione të larta. Një propozim ishte Bordi i Euros në PD, ku shpjegoi se do kompensohen të gjithë eksportuesit për diferencat e padrejta të kursit të euros për shkak të narkoregjimit dhe pastrimit të parave.
Për Kodin Zgjedhor dhe Votën e Diasporës Berisha u shpreh ndër të tjera si më poshtë:
“Nuk lejohen ndërhyrje në Kodin Zgjedhor 6 muaj para zgjedhjeve. Por ky rast është i veçantë, ka të bëjë me votën e Diasporës. Të sigurohet e drejta kushtetuese e tyre sa më mirë, vetëm për këtë mund të bëhen ndërhyrje në Kod, të cilat të lehtësojnë dhe garantojnë këtë proces. I bëj thirrje të gjithë emigrantëve të diasporës të aplikojnë në platformën e KZ. Është platformë e sigurt dhe ju ftoj të regjistroheni. Nëse dështoni në përpjekjen e parë, vijoni të aplikoni pasi do jetë e suksesshme. Por kemi edhe platformë të PD-së dhe aty mund të regjistrohet dhe automatikisht do i dërgohet në WhatsApp apo e-mailin e tij për praktikat në KQZ. Pa arsye të forta ligjore ndërhyrje nuk do bëhet. Por tani që provohet platforma, është prova, çdo lloj kërkese për amendim e përshtatje ne jemi gati, se janë 1,5 milionë emigrantë, nuk themi të mos votojnë. Nëse duhet do bëhet”.
Ai shtoi se PD do vazhdojë mosbindjen civile dhe se kanë dy platforma aktualisht shumëplanëshe, që po i çojnë drejt fitores së 11 Majit. Ndërsa për rastin Xhaferrllari u shpreh se:
“Të deklarohen njëlloj si me bashkëshorten, bashkëshortin, bashkëjetuesen, bashkëjetuesin etj. Mendoj se nuk duhet të ketë tjetër veç zbatimit të ligjit për rastin e gjykatëses, në momentin që nuk zbaton ligjin zonja duhet të largohet. Po kështu, ajo ka të drejtë të dojë cilin të dëshirojë, por të zbatojë ligjin. Zonja Kalaja ka denoncuar se ajo bashkëjeton, atëherë flasim për integritetin, ku qëndron në këtë rast? Unë i qëndroj aspektit ligjor”.
Berisha prezantoi edhe Bordin e Euros në PD, për t’ia përballur siç tha situatës që ka krijuar narkoregjimi.
“Kompensojmë eksportuesit, është një masë, por ne nuk diktojmë çmimin e euros, ne kompensojmë diferencën mes kursit të këmbimit të lirë dhe një kursi që themi në se llogaritet po të ishte nëse nuk do ishte narkos. Psh. nëse diferenca e krijuar nga narkos është 300 lekë (të vjetra), do u paguhen eksportuesve. Nuk themi sistem komunist, kur dollari në regjimin komunist mund të ishte me 1 mijë lekë dhe shkëmbehej me 100 lekë. Unë nuk them këtë, por ta kompensojmë diferencën e saj për të ndihmuar eksportuesit. Mbrojtje e një sektori që dëmtohet nga narkoeuro në performancën e tyre”, u shpreh kreu i PD.