Kryedemokrati Sali Berisha lexoi të dhënat e një studimi që sipas tij është bërë nga ata që kanë realizuar platformën për strategjinë e re të komunikimit në këtë forcë politike.

Berisha tha se përdorimi i inteligjencës artificiale dhe rrjeteve sociale si mjete komunikimi me qytetarët është domosdoshmëri për ripërtëritjen e PD.

“Gatishmëria për të përqafuar mjetet dixhitale, proceset e bazuara në të dhëna dhe teknologji të reja, si inteligjenca artificiale, tregojnë një kuptueshmëri se modernizimi organizativ nuk është vetëm një zgjedhje, por një kusht themelor për efikasitetin politik, reagimin e shpejtë dhe konkurrueshmërinë afatgjatë. Për ripërtëritjen pra, është kusht themelor për t’u ripërtërirë. Zotëri, nuk mund të thuash ç’më duhet mua Tik Toku. Nuk mund të dalësh jashtë Tik Tokut, sepse kemi 40% të elektoratit që merr lajmet nga Tik Tok, është një gjeneratë. Ata konstatojnë se anëtarët nuk kanë asnjë burim të vetëm autoritar nga i cili ata mund të marrin informacion për një qëndrim të partisë”, tha mes të tjerash Berisha.

Berisha tha gjithashtu se në PD ka një problem në përcjelljen e mesazhit nga qendra drejt bazës. Kryedemokrati theksoi nevojën për centralizimin e mesazhit, me qëllim që të mos ketë deformim gjatë përcjelljes së tij nga qendra drejt anëtarëve të partisë.

"PD nuk përballet me një krizë idesh, lidershipi apo rëndësie politike. Ajo përballet me mungesën e një sistemi të brendshëm koherent, të aftë për të përkthyer qëllimin politik në veprim organizativ të koordinuar. Një sfidë strukturore kjo. Pavarësisht se zotëron një strukturë formale të përcaktuar të qartë, partia aktualisht nuk funksionon si një sistem operativ i integruar. Flukset e komunikimit janë të fragmentuara. Përgjegjësitë nuk zbatohen në mënyrë të qëndryeshme dhe përkthimi i vendimeve të lidershipit në mesazhe të zbatueshme, është i paqëndrueshëm. Mjetet joformale të komunikimit kanë zëvendësuar gradualisht kanalet formale. Dhe duke bërë këtë, kanë sjellë shpejtësi pa kontroll dhe akses, paqartësi. Me kalimin e kohës këto dinamika kanë kontribuar në rënien e kohezionit organizativ dhe një hendek në rritje mes strukturës ekzistuese dhe ekzekutimit operativ, pra funksionalitetit të saj. Duke njohur këto sfida, lidershipi i partisë nisi një përpjekje më të gjerë për të modernizuar koordinimin, komunikimin dhe proceset organizative në përputhje me realitetet politike bashkëkohore dhe objektivat strategjike afatgjata të partisë. Kjo përpjekje për modernizim pasqyron jo vetëm një domosdoshmëri organizative, por edhe një vizion të qartë politik, të dëshmuar nga lidershipi i partisë dhe kryetari", shtoi Berisha.


Lajmi kryesor:

Mblidhet Këshilli Kombëtar i PD, Berisha prezanton platformën për strategjinë e re të komunikimit: Strukturat tona ekzistojnë më shumë në letër se në praktikë! Tik Tok dhe AI, jetike për 'Ripërtëritjen'