E gjithë Tirana sot është e 'pushtuar' nga lajmet për Kuvendin e PD të thirur nga Berisha, ndërkohë që në Selinë e PD-së kanë mbërritur forcat e policisë për shkak të frikës për tensione. Kryeministri Rama ka zgjedhur një citim të filozofit rumun Emil Cioran për të dhënë 'mesazhin' e tij për këtë çështje.

"Në majat e dëshpërimit, pasioni i absurdit është e vetmja forcë që mund të hedhë një dritë djallëzore mbi terrin e kaosit. Kur të gjitha arsyet - morale, estetike, fetare, sociale e me radhë - pushojnë së udhëhequri jetën e dikujt, si mundet ai të jetojë pa iu dorëzuar hiçasgjësë? Vetëm duke u kapur pas absurdit, pas dashurisë për padobishmërinë absolute, duke dashuruar diçka që s'ka asnjë thelb por që simulon iluzionin e jetës. I bie të jetosh vetëm e vetëm sepse malet nuk qeshin dhe krimbat nuk këndojnë", shkruan Rama.

Duke filluar nga ora 10 e ditës së sotme në stadiumin 'Air Albania' Sali Berisha ka mbledhur mijëra militantë dhe siç thotë ai 4935 delegatë të Kuvendit Kombëtar të PD për të shkarkuar Bashën dhe 'rithemeluar PD-në'. Kjo nuk pranohet nga strukturat zyrtare të PD-së. Lulzim Basha ka thirrur një Kuvend tjetër të shtunën e ardhshme. 

Kjo situatë e krijuar ka krijuar shqetësime nga autoritetet ligjzbatuese. Furgona të shumtë me policë janë zhvendosur pranë Selisë së PD për të shmangur përplasje të mundshme.