Tentativa e dytë e Sali Berishës, pas asaj të 14 majit, për t’u përfaqësuar me logon zyrtare të PD-së në zgjedhje, ka dështuar. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka regjistruar për zgjedhjet e pjesshme të 24 shtatorit në Kukës koalicionin “Bashkë Fitojmë” mes Partisë së Lirisë dhe Partisë Demokristiane.

Pavarësisht përpjekjeve, edhe në këto zgjedhje kandidati i Berishës, sikurse ndodhi më 14 maj do të strehohet nën logon e partisë së Ilir Metës dhe koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Nga 14 maji, ndryshon vetëm aleati, këtë herë Meta e Berisha kanë zgjedhur jo Dulen por Nard Ndokën. Drejtimi i koalicionit “Bashkë Fitojmë” ku u strehuan kandidatët e Sali Berishës, duke u dhënë atyre hua logon, e ka sjellë një të mirë për Ilir Metën. Pas rezultatit të 14 majit, KQZ e njeh atë si forcë të parë të opozitës, duke i dhënë shumicën e komisionerëve dhe më shumë para se PD zyrtare.

Tre ditë më parë Komisioneri Ilirjan Celibashi regjistroi Partinë Demokratike me kryetar Lulzim Bashën për zgjedhjet e pjesshme, duke rrëzuar për të disatën herë të njëjtën kërkesë që ishte bërë nga Sali Berisha. Vendimi i Celibashit u konfirmua këtë enjtë nga Komisioni i Ankimit dhe Sanksioneve në KQZ, duke lënë edhe një herë në fuqi regjistrimin e Bashës.

Edhe në këto zgjedhje e vetmja 'derë' e Berishës mbeti sërish Ilir Meta. Koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’ përmes një kërkese që mban datën 6 shtator të depozituar në KQZ kërkoi regjistrimin në këtë proces të koalicionit të Berishës dhe Metës, që ka për kryetar kryetarin e Partisë së Lirisë. Në kërkesë, u vu re edhe përfshirja e Partisë Demokratike me kryetar Sali Berishën, kërkesë e cila u rrëzua nga KQZ. 

Pavarësisht pretendimeve të përfaqësuesit ligjor të Rithemelimit për regjistrimin e Partisë Demokratike me kryetar Sali Berishën, Celibashi njoftoi në mbledhjen e zhvilluar tre ditë më parë se Gjykata e Tiranës njeh për kryetar Bashën kësisoj në regjistrin e partive ekziston vetëm një PD, ku Lulzim Basha dhe mbështetësit e tij janë ata që disponojnë vulën dhe logon. 

Për këto zgjedhje forcat politike kanë pasur afat deri me datë 1 shtator për t'u regjistruar në KQZ si subjekte zgjedhore, ndërsa kandidatët jo më vonë se data 8 shtator. Tashmë siç dihet opozita do të shkojë e përçarë edhe në zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Kukësit, duke e ndarë votën mes dy kandidatëve. PD zyrtare ka kohë deri të premten në darkë për të vendosur nëse do të nxjerrë kandidat apo jo. 

E teksa Lulzim Basha ende nuk e ka zyrtarizuar kandidatin, socialistët në këtë përballje elektorale do të garojnë me Albert Halilajn. Zgjedhjet e pjesshme në Kukës do të rimbahen vetëm për kreun e Bashkise dhe jo për Këshillin Bashkiak, pas arrestimit të Safet Gjicit, i cili u përfshi në një skandal seksual.

(Kliko këtu për dokumentin) Kërkesa për regjistrimin e koalicionit PD- PL

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:17
Zgjedhjet në Kukës, KQZ regjistron koalicionin mes PL e PDK, kandidati i Berishës do dalë me siglën e Bashkë Fitojmë

KQZ ka regjistruar për zgjedhjet e Kukësit koalicionin Bashkë Fitojmë mes PL e PDK, me të cilin ish kryeministri Sali Berisha do të regjistrojë kandidatin e tij të Kukësit. Kandidati Emri Vata do dalë me siglën e koalicionit pasi KAS rrëzoi i rrëzoi kërkesën që bëri për t'u regjistruar nën siglën e PD-së.

Ora 13:54
KAS rrëzon sërish Berishën, për zgjedhjet në Kukës regjistrohet Basha me siglën e PD

 

Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve ka rrëzuar sërish Sali Berishën dhe ka lënë në fuqi vendimin e KQZ për mosregjistrimin e tij për zgjedhjet në Kukës nën siglën e PD. Këtë të drejtë, sipas KQZ e ka vetëm Lulzim Basha i cili është kryetar i PD.