Kryedemokrati Sali Berisha theu heshtjen dhe në të parin reagim mbi shpalljen ‘non grata’ të Ikballe Hudutit, shtetases së Kosovës, pjesëmarrëse në protestat anti-qeveritare dhe një personazh i njohur për lidhjet me Iranin, mbrojti këtë të fundit duke thënë se u shpall e padëshiruar vetëm për një fotografi me ish-Presidentin e Iranit.
“Shpall non-grata një zonjë sepse kishte një foto me Ahmedinaxhadin. Shpall një zonjë non-grata sepse siç e shpjegoi ka marrë një medalje si lexuese e Kuranit në një konferencë fetare. Kam qenë kryeministër në pushtet kur shërbimet e huaja më informojnë se Edi Rama ka shkuar në Teheran dhe është takuar me Ahmedinaxhadin”, tha mes të tjerash Berisha.
Ramës i përsërit thirrjen që prej thuajse një muaji, i adresojnë protestuesit.
“Jepe dorëheqjen se ti je armiku më i egër i të rinjve shqiptarë”, vijoi Berisha.
Por, thirrjet në drejtim të tij të protestuesve që edhe një mbrëmje më parë u ndalën në selinë e PD-së duke e akuzuar si opozitë e shitur, thotë se janë klithma që i japin asnjë impresion.
“Janë slogane klithma mjerane të opozitës së opozitës, me të cilat ajo duke krahasuar Edi Ramën me Sali Berishën, duke krahasuar dy të pakrahasueshme në mënyrë absolute në çdo aspekt, kërkon të zbusë pozicionin e Edi Ramës. Kërkon gjithashtu të nxisë qorrsokakun për leverdi të opozitës së opozitës”, deklaroi Berisha.
PD ka deklaruar se i mbështet kërkesat e artikuluara nga protestuesit dhe se do të vërë në dispozicion të protestës aktivitetin e saj në parlament.
Komente







