Sali Berisha i ka 'mbyllur' derën e PD-së ambasadores së SHBA, Yuri Kim, në rast se do të rimarrë drejtimin e partisë. Në 'Foltoren' e radhës në Tiranë me gratë e vajzat demokrate,Berisha tha se dera e PD-së do të jetë gjithnjë e hapur për çdo ambasador të SHBA, por që të shkelë në zyrë, Kim 'duhet t'i kërkojë fillimisht demokratëve falje për 'barin'', referuar deklaratës së saj pas shpalljes së ish-kryeministrit 'non grata', teksa kërkoi distancimin e PD-së nga e kaluara duke thënë se 'një parti nuk mund të hajë barë për hir të një deputeti'     

"Dy fjalë duhet t'i them zonjës Ambasadore, e cila më shumë se interesat e vendit të saj, mbron politikat e Georg Soros. Në një dalje televizive u shpreh se po fitoi Berisha, duke shkelmuar kushtetutën e saj, nuk do t'i jap dorën. Dera e Berishës si kryetar PD apo kryeministër, do jetë gjithnjë e hapur për ambasadorin apo ambasadoren e PD me të vetmin kusht, në rast se ajo do të quhet Yuri Kim, në çfarëdo funksioni të jetë, nuk do shkelë kurrë pa ju kërkuar ju të falur për barin që ju serviri. Nuk jemi ne gratë dhe burrat e barit, por ata që kemi përmbysur diktatorin që i ofronte shqiptarëve bar. Në zyrën tim e nuk do shkelësh kurrë pa i kërkuar falje demokratëve shqiptar", tha Berisha, duke iu përgjigj deklaratës ambasadores disa ditë më parë, e cila tha se nëse Berisha rikthehet në krye të PD-së, do të ndërpresin çdo marrëdhënie me këtë parti. 

Ndryshe nga herët e tjera, Berisha u shoqërua sot nga bashkëshortja, Liri Berisha, ndërsa në krah të tij sot është parë edhe Albana Vokshi, kryetare e Forumit të Gruas në PD.

Pas përplasjeve me Lulzim Bashën, kjo është hera e parë që Vokshi i bashkohet Berishës në takimet e 'Foltores'. Gjatë fjalës së saj, Vokshi nuk i kurseu akuzat ndaj Bashës, teksa u shpreh se ai nuk mund të jetë kryetar i PD-së kur nuk dëgjon vullnetin e anëtarësisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:19
Personazhi 'epik' te 'Foltorja' e Berishës: Nuk dua punë, jam e revolucioneve, Ramën e kam nxjerrë 3 herë nga makina

 

Në 'Foltoren' e Sali Berishës nuk kanë munguar personazhet 'epik', ku ditën e sotme në takimin e tij me gratë e vajzat në Tiranë, vëmendjen e tërhoqi një grua me emrin Zyra Sorra. Gjatë 'rrëfimit' të saj para Berishës ajo e lidh emrin e saj me 'revolucione', teksa thotë se ka nxjerrë tre herë nga makina kryeministrin Edi Rama 'sepse i thash mbiemrin Sorra dhe e tronditi'

“Kemi vitin 98 kur më morën peng SHIK-u i Fatos Klosit e më hodhën andej. Erdhën gazetarë të huaj dhe gazeta Vatra shkroi shumë për mua. më 11 do të mblidhemi, po me 12 çfarë revolucioni më pret mua? Unë s'dua punë, as më jep këtë apo atë, unë jam e revolucioneve. S’kisha frikë kur shkova edhe atje tek panairi i punësimit që ishin të gjithë ministrat, vetë e mora iniciativën, prita që Edi të dilte jashtë, ishte shumë i gjatë e ashtu por e nxorra nga makina nja tre herë, sepse i thashë mbiemrin Sorra. Ai mbiemër e tronditi një çikë se komshi e kemi patur dhe dimë ca gjëra”, tha ajo.

Ora 19:06
Vokshi i bashkohet foltores: Basha më hodhi akuza të rënda, nuk e pranon që gratë e PD janë me Berishën

Kryetarja e Forumit të Gruas, Albana Vokshi për herë të parë e pranishme në foltoren e Sali Berishës ka folur lidhur me akuzat e kryedemokratit Lulzim Basha, pasi sipas saj nuk mund të pranoi që gratë e vajzat janë tashmë me Foltoren.

Vokshi u shpreh se ajo është pjesë e foltores pasi e dëgjon zërin e anëtarësisë, ndërsa ka hedhur një kunj ndaj Bashës duke thënë “Nuk mund të jesh kryetar, kur nuk dëgjon vullnetin e anëtarësisë!”

Ajo tha se Basha nuk i njeh sakrificat e demokratëve, pasi ai siç ka theksuar Vokshi e ka pasur të lehtë, për shkak se gjithmonë ka qenë në krye.

“Dua ti falënderoi me zemër të gjitha vajzat dhe gratë e Partisë Demokratike që ndryshe nga kolegët e tyre burra, ato kanë ndjekur zërin, dëshirën dhe vullnetin e anëtarësisë. Nuk mund të jesh kryetar nëse nuk ndjek vullnetin e anëtarësisë! Një strukturë me vetëm një telefonat, me aq shumë kontribute, ka dashur ta zhbëjë me një vendim antidemokratik, antistatutor, vetëm për të kontrolluar Forumin e gruas dhe atë rinor. Por ja ku jemi të gjitha gratë po përqafojnë foltoren. Në telefonatën që më bëri Basha, hodhi akuza të rënda që nuk funksionon Forumi, dhe që nuk e mbaj dot, por nuk është e vërtet. Akuza tjetër e rëndë, ishte që gratë demokrate ishin përfshirë në veprimtari antistatuore. Po cili është ky veprim? Fakti që kanë firmosur për thirrjen e Kuvendin të 11 dhjetorit, këtë nuk zhbëni dot ju zoti Basha! Nuk zhbëni dot  historinë e forumit të gruas. Këtyre grave që kanë qenë prezentë në çdo protestë, në çdo fushat, kanë dalë derë më derë. Të gjithë ju keni një histori me mua, jeni rritur në PD. Do ju tregoj pse kam zgjedhur foltoren, sepse respektoj zërin tuaj. Nuk mund të isha në seli ndërkohë që ju jeni këtu. Nuk kam pasur kurrë post ministreje, madje nuk kam as post partiak. Sepse ai kryetari që nuk i takon demokratët, nuk e di se çfarë është sakrificash kanë bërë,  nuk e di se çfarë do të thotë për nënat të lënë fëmijët dhe të rrinë gjithë natën në çadër, nuk e dinë për bijtë tuaj që janë tërhequr zvarrë dhe janë çuar nëpër komisariate. Sepse e ka pasur të lehtë, ka qenë gjithmonë në krye dhe në qeverisje. Kam zgjedhur foltoren sepse besoj në projektin e Sali Berishës, sepse ndryshe nga Basha, Berisha e ka një projekt për një PD ndryshe, më të fortë dhe më të hapur . Dhe e fundit, unë mendoj që mirënjohja është tipari që përcakton karakterin e një njeriu, Unë i jam mirënjohëse ndaj Sali Berishës, sepse jam këtu ku jam prej tij, më ka mbështetur dhe respektuar.”, tha ajo.