Ish-kryeministri Sali Berisha në ditët e fundit të fushatës elektorale për 14 majin, u ndal në Malësinë e Madhe, ku prezantoi kandidatin kandidatin Isa Ramaj. Berisha tha se kandidatin e PS, Tonin Marinaj dhe të gjithë socialistët më 14 maj do t’i çojnë atje ku e meritojnë më 14 maj. Berisha pati edhe një koment për kandidatin socialist për Shkodrën, Benet Beci, për të cilin tha se nuk ka thënë kurrë një fjalë për Shkodrën në Kuvend.

“Më thoni pak, sa herë e keni dëgjuar ju Paulinin të çelë gojën për Malësinë e Madhe? Ja ku është këtu zonja Greta Bardeli. Në mënyrë të vazhdueshme ka ngritur në Parlament problemet e qarkut dhe qytetit të Shkodrës. Po kështu Zef Hila, në mënyrë të përsëritur. Sa herë e keni dëgjuar ju Benet Becin, që ia fali veten Edi Ramës të flasë një fjalë për Shkodrën në dy vite? Asnjëherë!

Po se i solla këto shembuj? I solla këto shembuj për t’ju thënë miqtë e mi, se ndryshimi është shumë i madh, se këta janë qeveritarët tuaj, nuk janë të Sali Berishës, nuk janë të të kryesisë së partisë. Por janë të qytetarëve dhe do mbeten të qytetarëve. Ky është ndryshimi esencial që ne duam të sjellim më 14 maj. Unë e di që Malësia e ka marrë vendimin e saj, dhe Tonini bashkë me Toninët e tjerë do shkojnë me Edi Ramën atje ku e meritojnë”, tha Berisha.

Berisha tha se Edi Rama ka frikë nga vota e qytetarëve me 14 maj, pasi është i vetmi qeveritar që i bën atyre thirrje që të mos shkojnë të votojnë.

"Edi Rama është qeveritari i parë që i thotë qytetarëve mos dilni në votime. Ky ka frikë dhe tmerr nga vota juaj. Kjo tregon se ai është i pashpresë. Ndaj dhe ne duhet të votojmë të gjithë ndryshimin, të votojmë Isa Ramën, të votojmë 1-shin, se kemi votuar liritë tona! Çdo qytetar i Malësisë së Madhe kudo që ndodhet në këtë trevë, në Shqipëri apo emigracion, duhet të bëjë çdo përpjekje të votojë më 14 maj”, tha Beriisha.

Sipas Berishës, Rama ka shkuar në Maliësinë e Madhe dhe është përjekur të mbjellë përçarje fetare.

“Edi Rama vjen këtu dhe përpiqet të mbjellë përçarje fetare me injorancë absolute. I thashë edhe asaj dite, se po të lexosh historinë e kësaj malësie, nuk e bën kurrë atë përpjekje. Jo sot, por edhe në vitet 1870, përfaqësuesit e Malësisë së Madhe i provuan Kongresit të Berlinit se pavarësisht nga fetë, ata ishin një dhe vetëm një, ishin shqiptarë dhe vetëm shqiptarë”, tha Berisha.

Të njëjtin qëndrim si Berisha ka mbajtur edhe Ilir Meta duke thënë se Rama ndihet i frikësuar ndaj bën thirrje që demokratët të mos shkojnë në votime më 14 maj, por i përgjigjet se nuk do të vënë gjumë në sy në këto ditë të fundit të fushatës elektorale. Në konferencën për media ironizoi edhe Erion Veliajn, për të cilin tha se e ka fokusin vetëm te VIP-at dhe e pyet përse i merr që ta mbështesin kur punët e kryeqytetit janë shumë mirë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:23
Meta i përgjigjet Ramës: Nuk flemë gjumë këto 4 ditë, natën e bëjmë ditë! Ironia për Veliajn: Pse thërrasin VIP-a kur i kanë punët mirë?

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i është përgjigjur deklaratave të kreut të qeverisë duke i thënë se nuk do të flenë gjumë por do ta bëjnë edhe natën-ditë.

Sipas Metës, Rama është i tmerruar nga bilanci katastrofik në zgjedhje ndaj dhe bën thirrje të tilla që demokratët "t'ja fusin gjumit më 14 maj", por thotë se kjo gjë nuk do ndodhë pasi qytetarët do përmbushin vullnetin e tyre demokratik.

“Rama e ka shumë të qartë bilancin e tij katastrofik dhe të kukullave që i ka paraqitur me imponim në të gjitha bashkitë, kjo e detyron jo vetëm të sfazohet, por edhe të bëjë thirrje për një pjesëmarrje sa më të ulët në zgjedhje dhe sidomos ti drejtohet demokratëve që t’ia fusin gjumit në 14 maj, siç e tha dje në Kavajë. Si mund të flenë gjumë jo vetëm demokratët, por të gjithë shqiptarët e ndershëm kur kanë shumicën e fëmijëve jashtë vendit dhe ata që i kanë këtu për shkak të pasigurisë duan të largohen nga vendi sepse nuk duan të përfundojnë patronazhistë.

Nuk do të ketë gjumë në këto katër ditë, madje edhe natën do ta bëjmë ditë. Së bashku edhe me të gjithë socialistët e ndershëm që kanë qenë viktimat e para të uzurpimit të vulës së PS-së nga një seks si rilindja që i ka sjellë dëme të jashtëzakonshme vendit. Sot dua tu kërkoj të gjithë qytetarëve të përmbushin detyrimin e tyre jo vetëm qytetar, jo vetëm kushtetues, por mbi të gjitha patriotik në këto momente kritike për të shprehur vullnetin e tyre të lirë dhe për të kuptuar se abstenimi nuk është zgjidhje, është ndihma më e madhe që i jepet një bande që të vazhdojë të plaçkisë Shqipërinë, taksat dhe buxhetin e shtetit. Të gjithë duhet të bëhen pjesë e ndryshimit. Ai që nuk voton nuk ka të drejtë të ankohet nesër, aq më keq ai që tregton votën e tij”, tha Meta.

Meta ka ironizuar edhe Erion Veliajn, për të cilin thotë se kujdeset vetëm për VIP-at, jo për qytetarët e thjeshtë.

“Kur i kanë punët kaq mirë, pse thërrasin VIP-a? se kanë braktisur qytetarët. VIP-at jetojnë në zona rezidenciale pa trafik. Por 1 milionë banorë e dinë që s’i duhet kryebashkiaku që kujdeset për VIP-at, por për ata, për prindërit e të moshuarit”, tha Meta.