Berisha në sulm, lëvizje për
shpëtimin e Lulzim Bashës

Sherri masiv që ka prodhuar disfata dramatike në zgjedhjet e 25 Qershorit, kontestimi i zgjedhjeve për kreun e partisë dhe mundësia e ndarjes së Partisë Demokratike në dy parti pas rikonfirmimit të Lulzim Bashës në kryer të PD, ka alarmuar dhe vënë në lëvizje ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili po mbështet në prapaskenë Lulzim Bashën.

Pas një takimi me Astrit Patozin, njëri nga kundërshtarët më të fortë të Bashës, dhe thirrjeve të tij, të të birit dhe dhëndrit, për qetësi dhe debate brenda forumeve, Berisha është angazhuar personalisht për të shpëtuar edhe këtë radhë Lulzim Bashën dhe partinë.

Ish-kryeministri po takon individualisht kundërshtarët e Bashës për t’i mbajtur nën kontroll, ndërsa në të njëjtën kohë kërkon hapjen e kutive të votimit, paralajmëron protesta dhe ka gjetur një mënyrë të re për të lexuar humbjen e PD, duke e interpretuar si humbje të PS.

Lëvizja pro Bashës  
Shqiptarja.com ka mësuar se, ditët e fundit, ish-kryeministri Sali Berisha ka thirrur në zyrë përfaqësues së strukturave të Partisë Demokratike në rrethe, të identifikuar si kundërshtarë të linjës së Lulzim Bashës dhe si kontingjent që mund të bashkëpunojë me kritikët e Bashës në PD, për të krijuar një lëvizje të mirëfillt politike. Ish-krerët të degëve të Partisë Demokratike, krerë aktualë të degëve, ish-deputetë të PD, deputetë aktualë që janë përjashtuar nga parlamenti i ardhshëm, eksponentë të tjerë me peshë të PD në rrethe dhe anëtarë të forumeve lokale dhe qendrore të PD, janë kontaktuar dhe thirrur nga Sali Berisha, me qëllim shuarjen e polemikave në Partinë Demokratike.

Gjithashtu, takimet konsistojnë edhe në evitimin e një rebelimi të mundshëm të anëtarësisë së Partisë Demokratike, e cila mund të nxitet për të protestuar kundër Lulzim Bashës. Ndërkaq, pas paralajmërimit të Astrit Patozit për mundësinë e platforme paralele me atë të Bashës, linja anti-Basha, pjesë e së cilës është edhe Berisha, duket se i trembet mbështetjes në bazë që mund të ketë grupi kundërshtar, ku bëjnë pjesë Patozi, Topalli, Imami, Bode, Ruli etj.

Gati 25 figura të larta që Basha përjashtoi nga lista e kandidatëve për deputetë kanë lidhje të forta dhe impakt në strukturat bazë të PD. Në këtë kuadër, lëvizja e Berishës konsiston edhe në testimin e mbështetjes së grupit kundërshtar në bazë.

Po ashtu, me disa përfaqësues, Berisha ka ndarë edhe planin e ri për të ringritjen e PD, që konsiston sërish tek revolucioni demokratik, tashmë jo për të rrëzuar qeverinë, por për të zhvendosur vëmendjen nga kriza në PD. Rikthimi tek ‘revolucioni demokratik’ dhe kërcënimi me protesta, duket se do të jetë lëvizja e radhës së Berishës për të shtrënguar radhët brenda PD, ndonëse Basha nuk ka tërhequr ende 7 ministrat nga qeveria ‘Rama’.

Loja e Berishës   
Ish-kryeministri Sali Berisha, me qëllim për të minimizuar pasojat e humbjes në Partinë Demokratike, e ka maskuar mbështetjen e tij për Lulzim Bashën.

Në reagimin e tij të parë dhe të vetëm publik, Berisha ka mbështetur idenë e Bashës për të rikandiduar, pavarësisht humbjes, ndërsa ka bërë thirrje për bashkim. Nga ana tjetër, i biri i tij Shkëlzen Berisha dhe dhëndri Jamarbër Malltezi, janë pozicionuar kundër Lulzim Bashës. Madje, Malltezi firmosi edhe peticionin për dorëheqjen e Bashës.

Ndërsa Shkëlzen Berisha ka sinjalizuar mbështetjen e tij ndaj Belind Këlliçit, duke shpërndarë një status të këtij të fundit, i cili akuzonte Ervin Salianjin si shërbëtor i Ramës dhe marionetë e Henri Çilit. Megjithatë, pluralizmi i qëndrimeve brenda familjes mund të jetë një lojë e Berishës, për të tulatur kundërshtarët e Bashës.  

Frika nga bojkoti, PD shton anëtarët
Lulzim Basha dhe Sali Berisha i druhen një bojkoti masiv të zgjedhjeve në PD. Në këtë kuadër, ka nisur zbatimi i një skenari për shtimin e votuesve të mundshëm. Komisioni Elektoral i Partisë Demokratike ka njoftuar të gjithë anëtarët e vjetër të PD, të cilët nuk e kanë emrin në regjistrin elektronik të anëtarësisë, që të paraqiten paranë degëve përkatëse për t’u futur në lista, me qëllim për të votuar në zgjedhjet e 22 korrikut.

“Komisioni Elektoral i Partisë Demokratike, njofton se; Të gjithë anëtarët e PD që kanë një kartë anëtarësie të cilitdo vit, që nga viti 91 e këtej, por nuk e kanë emrin në regjistrin elektronik të anëtarësisë, të paraqiten deri me datë 12 Korrik pranë degëve të PD ku banojnë, ku sipas udhëzimit, do të futen në një listë shtesë, për të bërë të mundur votimin me 22 Korrik, për zgjedhjen e kryetarit të PDSH”, thuhet në njoftim.  

Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen