Dy liderët e opozitës, Sali Berisha dhe Ilir Meta duket se po i ushtrojnë presion gjykatës së Apelit për vendimin që do të japë më 3 mars për fatin e PD. Me thuajse të njëjtat argumente, të dy ishin në një linjë teksa thonin se do të jetë protestë epike dhe artikuluan akuza ndaj Edi Ramës se jep urdhra për gjyqtarët. 

Ashtu si në daljet e tjera për mediat, Berisha theksoi se nëse Alibeaj pranohet si palë nga gjykata, atëherë përmbyset sistemi i drejtësisë.

"Më 3 mars do jenë në Tiranë për një protestë epike që ka vetëm një objektiv, Edi Ramën. Nuk ka të bëjë as me gjykatën, as me institucionet e tjera. Ne nuk bëjmë veprime në paragjykim. PD e ka vendimin e gjykatës. Gjykimi është për të pranuar palë Alibashën. Nuk ka gjykatë, pse e bëri Blerina Muçi nën ndikimin e Edi Ramës dhe Yuri Kim, të tjerë nuk mund ta bëjnë një akt të tillë sepse përmbyset sistemi i drejtësisë nëse shpall palë atë që nuk ka qenë palë", tha Berisha.

"Shqiptarët më 3 mars do t’i japin mesazh të qartë prokurorëve dhe gjyqtarëve të mos bëhen bedelë të Ramës dhe McGonigal", tha Meta.

Në mbledhjen e Grupit parlamentar, Sali Berisha komentoi edhe vendimin e palës italiane për t’i dhënë azil politik ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla që ka të njëjtin status me të, “non grata”. Për kreun e Rithemelimit, Llalla u hodh në rrugë sapo denoncoi kompanitë e Sorosit dhe ish-sekretarit të shtetit, Rex Tillerson në Shqipëri.

Po ashtu artikuloi akuza ndaj kryeministrit, që sipas tij, në Dubai nuk ka takuar vetëm princin e Kurorës, por edhe Amant Josifin, pjesë e grupit mashtrues që zhvatën 2.4 mld euro me Call Center-at.

"Pasi u kthye nga Dubai, ku takoi ortakun e vëllait të vet, Amant Josifin, për të mos thënë edhe disa të tjerë, tani ka vendosur të hyjë në parlament. Ky përbën një akt të shëmtuar të tij dhe të pseudomazhorancës së tij", tha Berisha.

Për Berishën, Rama po tenton të përgjysmojë opozitën në parlament, pasi ka frikë të përballet.

"Sot ata, për turpin e tyre, marrin përsipër të përjashtojnë një grup tjetër deputetësh nga parlamenti pasi Edi Rama pas një muaj do shkojë në sallën e parlamentit, por ka frikë dhe tmerr nga prania jonë, ndaj kërkon të na përgjysmojë", tha Berisha.

Kauzës së McGonigal, që në protestat e shkuara nuk mundi të afronte shumë protestues, Berisha i shtoi edhe situatën e kriminalitetit në vend, një ditë para protestës para parlamentit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:07
Presion gjykatës më 3 mars? Ilir Meta: Drejtësia merr urdhër nga Surreli, solidaritet të plotë me demokratët


Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, tha se më 3 mars të gjithë do të jenë solidarë me demokratët ditën kur merret vendimi për fatin e PD. Meta tha se drejtësia merr urdhër nga ‘drejtësia e Surrelit’.

"Çështja e Partisë demokratike nuk është çështje e demokratëve, por e demokracisë, e pluralizmit politik, e shpartallimit të grushtit të shtetit. Ramaforma është drejtësia e Surrelit, që urdhëron kancelarin e gjykatësit në regjistër. Kjo është drejtësia e Surrelit. Shqiptarët më 3 mars do t’i japin mesazh të qartë prokurorëve dhe gjyqtarëve të mos bëhen bedelë të Ramës dhe McGonigal. Më 3 mars janë në solidaritet të plotë edhe të gjithë socialistët, bashkë me ne. Edhe ata kërkojnë llogaridhënie pasi nuk vidhen vetëm taksat e opozitarëve por të gjithë qytetarëve shqiptarë. Ky korrupsion ka goditur të gjithë shoqërinë", tha Meta. 

Ora 13:48
Berisha sërish akuza Yuri Kim për vulën e PD: S'mund të bëjnë palë AliBashën se përmbyset sistemi i drejtësisë! Protesta e 3 marsit, objektiv ka vetëm Ramën

 

Sali Berisha ka bërë sërish thirrje që qytetarët të mos mungojnë në protestën e 3 marsit, kur do të merret vendimi për fatin e PD. Ish kryeministri nuk kurseu sërish akuzat për Yuri Kim që ka ndërhyrë në drejtësi për cështjen e vulës së Partisë Demokratike.

“Së fundmi u bëj thirrje shqiptarëve të programojnë të gjithë axhendën. Më 3 mars do jenë në Tiranë për një protestë epike që ka vetëm një objektiv, Edi Ramën.

Nuk ka të bëjë as me gjykatën, as me institucionet e tjera. Ne nuk bëjmë veprime në paragjykim. PD e ka vendimin e gjykatës. Gjykimi është për të pranuar palë Alibashën. Nuk ka gjykatë, pse e bëri Blerina Muçi nën ndikimin e Edi Ramës dhe Yuri Kim, të tjerë nuk mund ta bëjnë një akt të tillë sepse përmbyset sistemi i drejtësisë nëse shpall palë atë që nuk ka qenë palë, ti hap rrugën e rrëzimit të çdo vendimi gjyqësor me urdhra politikë.

Edi Rama është armik i egër që po bën gjithçka për të shpëtuar lëkurën e tij pasi ka kryer vepra të tmerrshme, akte pabesie ekstreme ndaj SHBA, NATO-s dhe sigurisë së tyre”, tha Berisha.

Ora 13:44
Berisha: Autoritetet italiane të ndërmarrin hetim për Lallën! Rama i hedh njerëzit në rrugë se nuk i zbatojnë urdhrat

 

Sali Berisha ka përshëndetur faktin që prokurori Adriatik Llalla ka fituar statusin azilant politik ndërsa kërkon nga autoritetet italiane që të nisin hetim për rastin e tij.

“Së fundmi dua të përshëndes autoritetet italiane, të cilat i dhanë azil politik, Adriatik Llallës, Prokurorit të Përgjithshëm. Unë nuk them se Llalla ishte një prokuror i fortë apo pa të meta, por shqiptarët duhet ta dinë se Adriatik Llalla u sanksionua sepse guxoi të denoncojë kompanitë e Sorosit dhe Rex Tillersonit. Kjo është e vërteta. Kjo është me dokumente. Kompani të cilat nuk respektonin ligjet e vendit.
Dhe, sapo njoftoi Kongresin e SHBA për këto veprime, ai në mënyrë hakmarrëse, u shpall non-grata. Kjo është e vërteta.

Beteja e Donald Lusë, publike ndaj prokurorit, unë nuk them se ishte pa të meta, por te prokurorët dhe gjykatësit, shteti duhet të ketë një sens se ata për shkak të detyrës, dënojnë njerëzit më të rrezikshëm të shoqërisë.  Në këtë sens, nuk hidhen në rrugë, siç i hedh Edi Rama ata që nuk zbatojnë urdhrat. Pse u dënua Llalla? I vunë nja dhjetë padi dhe përfunduan te rritja e vlerës së pronës.
Ndaj dhe në këtë kontekst, u bëj thirrje autoriteteve italiane të ndërmarrin një hetim për rastin e Llallës. Të ndërmarrin një hetim të plotë se nuk është punë diskriminimi siç shkruan vendimi, janë më të thella. Mund të shërbejë si kazus për të nxjerrë mësime shumë të vyera për Shqipërinë, për Italinë, për Europën dhe SHBA”, tha Berisha.

Ora 13:39
Ish-zyrtari në kërkim ndërkombëtar për mashtrim 2.4 mld euro me ‘call center’, Berisha: Edi Rama takoi në Dubai Amant Josifin

 

Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se kryeministri Edi Rama gjatë takimit vizitës së tij në Dubai ka takuar Amant Josifin. Ky i fundit është një ish-zyrtar i shpallu në kërkim pasi ka qenë pjesë e një skeme me Call Center përmes së cilën mashtruan qytetarë me një vlerë prej 2.4 mld euro

“Pasi u kthyer nga Dubai, ku krahas princit të kurorës takoi edhe Amant Josifin për të mos thënë edhe disa të tjerë, tanoi ka vënë që të hyjë në parlament. Kjo përbën një akt të shëmtuar të tij dhe të pseudomazhoracës së tij. Parlamenti është kthyer në kohën e diktaturës staliniste. Vetëm në diktaturë një deputet bëhej përgjegjës për atë që fliste jashtë parlamentit”, tha Berisha.

Ora 13:37
Berisha: Ortaku i McGonigal s’mund të jetë me kryeministri i Shqipërisë, ngritja e komisionit hetimor është jetike

 

Sali Berisha thotë se është jetike ngritja e komisionit hetimor për takimet e kryeministrit Edi Rama me agjentin e FBI-së, Charles McGonigal. Berisha thotë se Rama duhet të ikë pasi ortaku i agjentit të FBI nuk mund të udhëheqë Shqipërinë.

“Ne s’kemi bërë gjë tjetër veçse kemi mbrojtur interesat e zgjedhësve tanë në parlament. Parlamenti është bërë i padurueshëm për qytetarët. Ne do të qëndrojmë në parlament dhe do të qëndrojmë me vendosmërinë më të madhe.  Ortaku i McGonigal s’mund të ketë vend si kryeministri i Shqipërisë. Ai duhet të ikë. Ngritja e komisionit hetimor parlamentar nga opozita dhe parlamenti i Shqipërisë është jetik sepse veprimtaria e grupit McGonigal në Shqipëria ka qenë intensive, shumë planëshe, e ndërhyrë me qeveritarë me zyrtarë me gjykatës prokurorë dhe gjithçka në funksion të pushtetit të Ramës. Ndaj dhe natyrisht kundër sigurisë së SHBA se çdo akt i korruptimit të tij ka kërcënuar sigurinë e SHBA. Vendi është në terrorin e narko shtetit siç e shini”, tha Berisha.