Nga Shkodra, ku mori pjesë në një ceremoni të zhvilluar nga Bashkia e këtij qyteti për 32-vjetorin e masakrës së 2 prilli, ish-Kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje demokratëve që askush të mos votojë PD-në zyrtare. Ai tha se çdo votë për ‘binomin Basha-Alibasha është votë për Edi Ramën.

“Partia Demokratike është e sigurt se do të dalë fitimtare. I garantoj shqiptarët për vendosmërinë tonë për t’i rikthyer shqiptarëve demokracinë.  Binomi Basha Alibasha përbën shëmtirën më të madhe të historisë politike të Shqipërisë, pengje të Edi Ramës dhe çdo votë e imagjinuar për ata është votë për Edi Ramën. Ata s’kanë merituar asnjë besim pasi në radhë të parë shkelmojnë veten e tyre, sillen si pengje pa asnjë lloj vlere”, tha Berisha i shoqëruar nga kandidati i koalicionit të Ilir Metës në Shkodër, Bardh Spahia

Duke folur në ceremoninë për 2 prillin Berisha tha se përulet me respekt ndaj të vrarëve.

“Së pari, unë dua të shpreh nderimin tim më të thellë për familjarët e të rënëve që janë sot midis nesh në këtë 32 vjetor të martirizimit të bijve të tyre. Sot në zemrat tona, në mendjen tonë, bijtë tuaj dhe të Shkodrës, në zemrat e mbarë qytetarëve të Shkodrës dhe njerëzve liridashës kudo, ata janë dhe mbeten më të gjallë se kurrë. Ne përulemi sot me nderimin më të madh para sakrificës së tyre. Para sakrificës së Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Nazmi Kryeziut, Besnik Cekës. Të rinj të cilët, 32 vite më parë mbushën këtë shesh për të protestuar paqësisht për votën e lirë. Për të protestuar kundër një diktature, e cila në një akt barbar zgjodhi kremtojë votën e rrëmbyer, zgjedhjet e rrëmbyera, me një masakër që Shkodra nuk e kishte parë në histori. Në breshëritë e falangave terroriste, të partisë terroriste, ranë për t’u bërë të pavdekshëm martirët e 2 prillit”, tha Berisha. 

Berisha i konsideroi njësoj si zgjedhjet e 22 marsit 1992, zgjedhjet e 14 majit. 

"Ne nderojmë martirët e 2 prillit në prag të zgjedhjeve të 14 majit. Njësoj si zgjedhjet e 22 marsit, zgjedhjet e 14 majit janë zgjedhjet e jetës sonë. Janë zgjedhje në të cilat përballen monizmi i egër i bazuar në krimin, vjedhjen dhe drogën, me idealet e lirisë së shqiptarëve, me vullnetin e tyre të hekurt për të rivendosur pluralizmin, për të rikthyer në Shqipëri demokracinë. Shkodra mbeti gjithnjë besnike e idealeve të veta të lirisë. Mbeti bastion i pamposhtur i demokracisë dhe vlerave të saj. Kam bindjen më të madhe se 14 maj do të jetë përsëri triumfi i idealeve të lirisë të qytetarëve shkodranë. Kam bindjen dhe ftoj shqiptarët kudo që janë të frymëzohen nga sakrifica sublime e martirëve të 2 prillit, nga qëndresa e qytetarëve të Shkodrës, nga besnikëria e tyre e palëkundur në asnjë rrethanë. Ndaj vlerave dhe idealeve të lirisë të qytetarëve",  tha ish-Kryeministri. 

Si sot 32 vite më parë, më 2 prill 1991, një ngjarje shumë e rëndë tronditi jo vetëm qytetin e Shkodrës por të gjithë vendit. Kjo ditë njihet si masakra e fundit e komunizmit në Shqipëri pasi pas një proteste kundër regjimit u ekzekutuan 4 persona të pafajshëm.