Ish-kryeministri Sali Berisha, nën akuzë dhe i pandehur për aferën në dosjen “Partizani” prej SPAK, duket se ka nisur të fantazojë jo vetëm rikthimin e tretë në pushtet, duke qenë ‘non grata’ nga dy superfuqitë botërore si SHBA dhe Britania e Madhe, por edhe me premtimet si me dyfishime apo trefishime rrogash, pensionesh dhe shpëtimin e shqiptarëve nga varfëria.
Premtimin e radhës e ka bërë sot, me rastin e 15-vjetorit të heqjes së vizave për shqiptarët në BE. Edhe pse vetë është non grata në SHBA, thotë se 'do heqi vizat me Amerikën për shqiptarët'!.
“Rikthimi i tretë do të mundësojë projektin, ‘Pa Viza në Amerikë’ dhe anëtarësim të plotë në BE!”, shkruan kreu i PD në postimin e tij në rrjetin social Facebook, krah një video.
Teksa më tej vijon:
“15 vjet më parë, arritja e jetës e ish-njerëzve më të izoluar! Ishte koha kur qeveriste Partia Demokratike. Në rikthimin e tretë, Sali Berisha do të mundësojë projektin “Pa Viza në Amerikë“ dhe anëtarësim të plotë në BE. 11 Maj, ndryshimi që na duhet. Është radha jonë!”, shkruan kreu i selisë blu.
Kurse në video përshkruhen ‘arritjet’ e qeverisjes demokrate në promocionin me goditjen e krimit, gjendjen ekonomike, situata e rendit, goditja e korrupsionit apo dhe arritjet politike.