Partia Demokratike nuk do të ketë garë, por referendum më 23 maj. Selia blu ka vendosur të mos pranojë asnjë kandidat përballë Sali Berishës dhe të legjitimojë këtë të fundit në zgjedhjet për kryetar. Ndërkohë PD ka nisur punën sot edhe për ndryshimet në statut.

***

"Kam shumë respekt për Doktorin sepse e kam koleg, profesor!"

Shpresa e mjekes Mereme Sela për të rivalizuar doktorin që drejton PD-në, zgjati vetëm 24 orë. PD i hapi pragun për të dorëzuar dosjen e aplikimit, por nxitoi t’i mbyllte derën e garës, duke legjitimuar vetëm Sali Berishën kandidat për kreun e PD-së në zgjedhjet e 23 majit.

Bashkë me Mereme Selën, që pasi i bëri skanerin, PD thotë se nuk ka një profil të lartë publik e politik ndaj nuk mund të jetë kandidate, u skualifikua edhe një tjetër emër i cili u mësua publikisht vetëm këtë të premten, Vladimir Mulaj, tërësisht i panjohur dhe siç thotë selia blu, pa eksperiencë në drejtimin e strukturave demokrate.

Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve elektorale në PD nuk ka marrë fare në shqyrtim dokumentet që mbërritën në disa mënyra qoftë fizikisht, por edhe përmes postës elektronike të Evi Kokalarit, Alesia Balliut dhe Ervin Salianjit. Justifikimi për të tre, është “vetëpërjashtimi”.

“Kërkesat e mbërritura, për shkak se nuk plotësojnë kushtin e paraqitjes nga një anëtar i Partisë Demokratike, nuk mund të shqyrtohen”-thuhet në vendim.

Por teksa fituesi i garës për kryetar tashmë u paracaktua, PD po punon seriozisht mbi ndryshimet në statut.

Grupi i punës u mblodh për të caktuar kalendarin e punës duke i lënë afat 14 majin çdo kujt që dëshiron të bëjë propozime. Brenda 25 majit drafti do t’i paraqitet kryesisë për miratim për t’i lënë më pas vendin miratimit final në Kuvendin e thirrur më 30 maj.

Report Tv ka mësuar se heqja e nenit “Basha” ku kryetari ikën nga partia pasi humb zgjedhjet parlamentare, nuk është opsion, por diskutime po bëhen mbi primaret, të vendosura me bujë nga Sali Berisha, por që tashmë po shihet me skepticizëm pas dështimit për të qenë vota e demokratëve ajo që i vendos vulën vendimmarrjeve në parti.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:51
Mblidhet Grupi i Punës për ndryshimet në Statutin e PD, miratohet kalendari i punës

Grupi i Punës në Partinë Demokratike është mbledhur sot në selinë blu ku është miratuar dhe kalendari për vijim e praktikës që do të ndiqet për ndryshimin e statutit të partisë.

Kalendari i Punës për ndryshimet në statut

1. 1 Maj - 10 Maj 2026 - Secili anëtar i Partisë, Kryesisë, Këshillit Kombëtar, Grupit Parlamentar, Kuvendit Kombëtar mund të paraqesë propozime për ndryshime/përmirësime në Statut. Edhe sescili anëtar i Grupit të Punës duhet të paraqesë mendime/propozime me shkrim për ndryshime apo shtesa në Statut.

2. 11 Maj - 14 Maj 2026 - Shqyrtimi i të gjitha propozimeve të paraqitura brenda afatit më sipër.

3. 15 Maj - 20 Maj 2026 - Hartimi i ndryshimeve dhe propozimi final i grupit të punës mbi ndryshimet e mundshme në Statutin e PD. Dorëzimi i ndryshimeve Kryetarit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë për ndjekjen e procedurave të mëtejshme statutore.

4. Brenda 25 Maj 2026 - shqyrtimi dhe miratimi nga Kryesi/Këshill Kombëtar dhe propozimi për miratim në Kuvendin Kombëtar të PD.

5. 30 Maj 2026 - Shqyrtimi dhe miratimi nga Kuvendi Kombëtar i PD.

SHËNIM: Deri në momentin e shqyrtimit dhe miratimit të propozimit nga Kryesia/Këshilli Kombëtar i PD, propozimet, puna dhe produkti i Grupit të Punës për ndryshimet në Statut është konfidenciale dhe mbledhjet e tij janë të mbyllura.