Ish-kryeministri Sali Berisha akuzon SPAK-un se ka njoftuar Arben Ahmetajn për arrestimin e tij, dhe se kryeministri Rama ka garantuar që ta dërgojë  jashtë vendit për të marrë azil.

Berisha e ka cilësuar kabinetin qeveritar me një organizatë kriminale që në bashkëpunim me njëri-tjetrin mundësuan arratinë e tij.

“Për herë të parë në historinë e vendit superministri apo zv.kryeministri i qeverive të Ramës, de facto organizatës kriminale të kryesuar prej tij, arratiset.

Sipas dokumenteve zyrtare, Arben Ahmetaj u arratis disa orë përpara se prokuroria e partisë do të kërkonte në parlament lejen për arrestimin e tij.

Mesa duket prokuroria, ose kontrollorët e saj, njoftuan Ahmetajn para se sa të njoftonin parlamentin për vendimin e arrestimit të tij.
Shtoj këtu se për të mos e emocionuar gjatë arratisë, kërkesa e Prokurorisë Speciale ishte fshehur për tre ditë nga Parlamenti i vendit.

Dje Arben Ahmetaj tregoi se cila është shkalla e ulët morale, standardi më i ulët i anëtarëve të organizatës kriminale të Edi Ramës, zëvendësit, ministrave të tij, të cilët pasi pasurojnë veten dhe rrethin e tyre duke vjedhur paratë e taksave dhe pasuritë publike të qytetarëve, sapo të thirren për të dhënë shpjegime për krimet e tyre, arratisen pa u hyrë ferra në këmbë. Dërgimi i tij në azil nga Rama shënon kulmin e degradimit të organizatës kriminale.”- thotë Berisha.

Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj është larguar nga Shqipëria para se Kuvendi të shqyrtojë kërkesën e SPAK për arrestimin e tij. Largimin e tij e ka konfirmuar avokati Henrik Ligori në mbledhjen e Këshillit të Mandateve që u mbajt një ditë më parë, 11 korrik 2023. Sipas Zërit të Amerikës, nga verifikimet e sinjalit të celularit të Ahmetajt, rezulton se momenti i fundit i vendndodhjes të ketë qenë Kanadaja. Dyshohet se Ahmetaj është larguar nga kufiri tokësor i vendit, drejt Greqisë pak orë përpara se sa Prokuroria t’i dërgonte parlamentit shkresën për arrestimin. Zëri i Amerikës shkruan se më pas Ahmetaj kishte prerë online një biletë avioni për në Itali, por që nuk e ka përdorur. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:37
I përmendën SPAK-un, Berisha humb toruan: Je prokuror ti, a gazetar?!

 

Sali Berisha ka humbur toruan  në një konferencë shtypi kur një reporter e pyeti nëse është thirrur nga SPAK.

“Je prokuror ti apo gazetar” ? foli Berisha me zë të lartë.

E më pas tha se nuk është thirrur në SPAK javën e fundit, duke shtuar se është i gatshëm të pyetet për çdo vendim që ka marrë në 32 vjet në politikë.

“Nuk jam thirrur asnjëherë, jam i gatshëm të përgjigjem për çdo vendim nga viti 90 deri më sot pa asnjë lloj hezitimi.

Sa herë më kanë thirrur kam shkuar dhe shkoj, nuk e mohoj asnjëherë të drejtën e hetimit, por ata bëjnë politikë”, tha Berisha.