Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, Sali Berisha u përball me zhgënjimin e mbështetësve demokratë, të cilët nuk po shohin asnjë rezultat nga protestat e opozitës kundër qeverisë, të cilat sa vijnë e tkurren në pjesëmarrje. Ata  kërkuan të dinë se kur do mbërrijë kilometri i fundit, për të cilin thonë se s'ka të sosur. Në një përgjigje te sforcuar, Berisha u detyrua të kërkojë mirëkuptim duke e quajtur 1 kilometër jo të lehtë.

Liman Lama: Përshëndetje Doktor, a mund të na thoni se sa metra ka kilometri i fundit, se nuk paska të sosur?

Sali Berisha: Objektivi është largimi i Edi Ramës dhe krijimi i qeverisë teknike. A janë hedhur bazat për këtë kërkesë? Po. Janë disa rezoluta, edhe e fundit që u miratua në Zagreb që insiston për qeveri teknike. Por në mënyrë të veçantë damkosja e zgjedhjeve si një proces ku u shua linja midis institucioneve shtetërore dhe strukturave partiake fakton se me këtë regjim nuk ka zgjedhje dhe duhet një qeveri teknike, një qeveri për të bërë zgjedhje. Dhe këtë e kemi në dorë ne, kjo është në dorën tonë si opozitë, të vazhdojmë kryengritjen tonë paqësore gjer në realizimin e objektivit. Ky është kilometri i fundit. Nuk është kilometër i lehtë ky, jo, e kam thënë dhe e them, por është vendimtar.

Berisha e pranoi dështimin e protestës së 8 majit, në të cilën u regjistrua pjesëmarrja më e ulët, duke thënë se protestat në terren kanë nevojë për një organizim më të mirë.

“Unë mendoj se nuk duhet t’i shohim gjërat bardh e zi. Duhet të refuzojmë propagandën zjarrfikëse të qeverisë. Mund të organizohet më mirë protesta, por protestat kanë pasur efekt të jashtëzakonshëm. Protestat bënë që Edi Rama të jetë në rrethin e kuq, të udhëtojë i plagosur”, tha Berisha.

Një tjetër demokrat e pyet i shqetësuar kreun e PD-së Sali Berisha mbi zërat që thotë se qarkullojnë, për një bashkëpunim të mundshëm me kryeministrin Edi Rama.

"Të krahasosh Sali berishën me Edi Ramën është si të krahasosh anën e ndritur të hënës me anën e errë. Është si të krahasosh të mirën dhe të keqen", iu përgjigj Berisha. 

Kur u pyet se përse opozita nuk publikon dosjen Balluku, kryedemokrati dha këtë përgjigje.

"Për dosjen Balluku, të garantoj se çdo gjë substanciale ka dalë. Për këtë të garantoj 100 përqind. Por, pse nuk publikohet dosja? Anëtarët e Komisionit të Mandateve kanë firmosur para prokurorëve një deklaratë në të cilën janë zotuar se do mbajnë sekretin. Pse e respektojnë? Sigurisht, duhet respektuar. Aty ka dëshmitarë të penduar dhe ne nuk mund të nxjerrim dëshmitarët e penduar kurrë. Nxjerrja e dëshmitarit të penduar është një tradhëti ndaj Kushtetutës, ndaj ligjit, ndaj funksionimit të shtetit ligjor", tha Berisha. 

Sali Berisha foli edhe një herë për garën brenda PD ku ai është kandidat i vetëm, duke e quajtur një proces modern dhe demokratik, ndërsa tha se PD nuk pranon persona që janë të lidhur sipas tij me krimin dhe bandat.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:55
Berisha bëhet garant i sekretit hetimor për dosjen Balluku: Nuk mund të nxjerrim dëshmitarët e penduar

Sali Berisha, i cili prej vitesh lexon në konferenca çdo denoncim të ‘qytetarit digjital’ dhe e quan SPAK-un organizatë kriminale sa herë hetimet prekin njerëzit e tij, befas është kthyer në mbrojtës të sekretit hetimor.

I pyetur nga ndjekësit se përse nuk e publikon dosjen Balluku, Berisha thotë se “çdo gjë substanciale ka dalë”, por nuk publikohet sepse aty ka dëshmitarë të penduar dhe “sekreti duhet respektuar”.

"Për dosjen Balluku, të garantoj se çdo gjë substanciale ka dalë. Për këtë të garantoj 100 përqind. Por, pse nuk publikohet dosja? Anëtarët e Komisionit të Mandateve kanë firmosur para prokurorëve një deklaratë në të cilën janë zotuar se do mbajnë sekretin. Pse e respektojnë? Sigurisht, duhet respektuar. Aty ka dëshmitarë të penduar dhe ne nuk mund të nxjerrim dëshmitarët e penduar kurrë. Nxjerrja e dëshmitarit të penduar është një tradhti ndaj Kushtetutës, ndaj ligjit, ndaj funksionimit të shtetit ligjor", tha Berisha.

Ora 14:37
I vetëm në garë për kreun e PD/ Berisha: Është proces modern dhe demokratik, nuk pranohen bashkëpunëtorë të krimit dhe qeverisë

Sali Berisha do të jetë i vetëm në garën e 23 majit për kreun e PD, por sipas tij kjo do të jetë një garë moderne dhe e hapur. Kreu i PD thotë se formula një votë e barabartë me 1 kandidat, mbështet një proces demokratik ndërsa vijon të thotë se në këtë parti nuk do të pranohen asnjëherë bashkëpunëtorë të krimit dhe të qeverisë, referuar këtu Ervin Salianjit, Evi Kokalarit e Alesia Balliut.

“Kjo garë ka qenë, është dhe do mbetet e hapur. Kurrë kjo parti nuk do mund të pranojë bashkëpunëtorë krimi, bandash dhe të qeverisë. Çdo demokrat e demokrate është i mirëpritur në garë. Por jo bashkëpunëtorët e qeverisë dhe të krimit. Nuk ka forcë politike në botë që pranon një gjë të tillë.

Së dyti, ju jeni anëtar i Partisë Demokratike dhe mund të lexoni. Çdo parti politike në botë, për kandidaturat, për kryetar bashkie, për kryetar partie dege, për kryetar partie në qendër, pra edhe çka zgjidhet me votë, ka kritere. Jashtë kritereve, nuk ekziston. Pra, ka një, pa kritere nuk mund të zgjidhet një njeri, nuk mund të zgjidhet.  Këto kritere nuk janë caktuar në këtë garë. Këto kritere kanë ekzistuar. Çfarë janë këto kritere? Disa vite të eksperiencës drejtuese në pozicion vendor dhe qendror. Asnjë njeri që ka plotësuar kriteret, ose asnjë njeri që ka plotësuar këto kritere nuk është përjashtuar dhe nuk mund të përjashtohet nga gara.

Legjitimiteti i kësaj gare përcaktohet nga vota e lirë e anëtarësisë. Kjo është gara më e plotë, më eprore se çdo garë tjetër. Është referendum për kryetarin e partisë. Tani, në këto kushte, do t'ju kërkoja të refuzoni me përçmim propagandën. Shikoni çfarë ndodh. Ka një muaj që mafia mediatike e fjalës së lirë përqendrohet te gara, në të cilën kryetari i Partisë Demokratike do votohet sipas parimit një anëtar, një votë. Në një kohë kur kryetari i Partisë së Krimit është votuar për herë të fundit në vitin 2009. Dhe nuk është votuar asnjëherë gjerë sot. Shikoni çfarë skllevërish janë këta. Në vend se t'u bien borive, sirenave të alarmit për një njeri që nuk votohet, po që grabit votën, përpiqen të përballin një, një, një proces, i cili është në, në llojin e vet më i gjeri, më demokratiku, ku voton e gjithë anëtarësia.

Tani të them një gjë. Këtu unë jam Sali Berisha. Kurrë nuk kam lejuar, nuk i lejoj vetes të operoj me falsitete. Pra, të krijoj kandidatura, t'i lutem dikujt që kandido. Jo, absolutisht. Sa herë kanë ardhur, i kam mirëpritur, i kam respektuar. Kur nuk ka ardhur, nuk ka ardhur. Po në asnjë herë në jetën time s'e kam bërë dhe s'do ta bëj atë. Ndaj dhe kjo garë është garë, garë më moderne që zhvillohet në 75% të rasteve, sigurisht po të kishte kandidaturë tjetër edhe më mirë do ishte.  Por, vota një anëtar, një votë është forma më supreme e zgjedhjes”, tha Berisha.

SI.E./E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • George: 16/05/2026 17:56

    Kilometri i fundit per bajraktaret komuniste eshte vetem vdekja nga Zoti, prandaj lutjuni Zotit!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 14 Maj, 10:01

    PS e PD miratojnë rezolutë, besoni se do anëtarësohemi në BE deri në 2030?