Berisha: Rama e Meta të hedhin
tek a çift për debatin me mua
 

Berisha: Rama e Meta të hedhin<br />tek a çift për debatin me mua<br /> 
KORCE- Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me gazetarët në qytetin e Korçës.

Kryeministri sulmoi Metën duke thënë se nuk mund të flasë një ditë si opozitë dhe një ditë si qeveri" por dhe arsyen "madhore" siç tha ai që e kishte nxitur të linte jashtë listës 4 kryetarë komisionesh, 11 anëtarë të Komisionit të Ligjeve, për të përfshirë në listë 3 ish-deputetët e PS-së dhe 5 aleatët e tij.

Ndërrsa akuzoi Ramën se ngërçin në Komisionin Qëndor të Zgjedhjeve po e përdor si alibi për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve, shefi i qeverisë u shpreh se është i gatshëm të mbledhë parlamentin nëse opozita kërkon të çojë anëtarët në këtë institucion.

Berisha foli me tepër zhgënjim edhe ndaj Bamir Topit kreut të FRD-së duke i kujtuar se kur ishte President kishte votuar Ramën, një gjë që, sipas tij s'duhej ta kishte bërë kurrë. Kryeministri Sali Berisha deklaron se qeveria shqiptare kërkon ndihmë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për plotësimin e kritereve me qëllim liberalizimin e vizave.


BERISHA: RAMA E META TE HEDHIN TEK A CIFT

Pyetje: Do pranonit debat politik me Ramën?

Berisha:
“Më kërkon edhe Meta në debat. Të bëjnë tek a çift. Unë e kam ftuar Ramën 2 herë në debat. Unë kryeministër e ftoja, jo më thoshte e mbante hundën në qiell. Hundën në qiell, por pastaj në tokë, rezultati. Tani del edhe aleati dhe do debat.. Të zgjidhin problemet që kanë me njëri-tjetrin. Unë kam respekt për kundërshtarin. Por zotit Meta dua t’i them një gjë. Nuk mundet që një ditë flet si qeveri, një ditë si opozitë. E keni konstatuar këtë? Ndaj i kanë ca probleme të brendshme adaptimi, por gradualisht do adaptohen".

BERISHA: PD NUK NDERHYN NE PROBLEMIN E KQZ, PER TE TJERAT TE PUTHET ME MILON


Pyetje :
A do të ketë negociata për riformatimin e KQZ-së? dhe a do jepni dorëheqjen nga posti i kreut PD nëse humbin zgjedhjet?

Berisha: “PD nuk ndërhyn në problemin e KQZ-së në mënyrë absolute  në problemin e KQZ-së. Ai u shndërrua në një problem pazaresh të turpshme të kreut të PS-së me aleatët e vet, në mënyrën më bizantine. E them këtë, sepse ajo që i ndodhi Jani Janit, pavarësisht se Jani Jani nuk është ministër, nuk është kryetar partie, por ai është një qytetar që do që të ketë integritetin e tij të plotë e të respektuar dhe të marrësh ta bësh pazar Jani Janin, për të futur në listë një njeri, këtë mund ta bëjë vetëm shoku Edvin. Askush tjetër nuk e bën. Edhe përfaqësuesit e Partisë Socialiste, zoti Biba dhe zonja Shtylla e dhanë dorëheqjen në shtrengesë të plotë e totale. Edhe në zgjedhjet e kaluara, zoti Rama i tërhoqi tre muaj anëtarët e Komisionit. Para dy javëve, zoti Rama i deklaroi një grupi diplomatësh, se me këtë situatë të KQZ-së, po i humba zgjedhjet nuk do t’i njoh. Këtu fle lepuri. Zoti Rama do të mos i sjellë anëtarët në KQZ dhe si rezultat të thotë: i humba zgjedhjet se nuk kisha anëtarë në KQZ. Këtë nuk mund t’ia shesë kurrkujt, përveç Erion Velisë apo ndonjë 99-shi tjetër.
Por çështja qëndron, ndaj t’i sjellë anëtarët dhe ne i votojmë padiskutim, pasi unë kam sensin e një kompromisi për opozitën. Ka tërhequr tre anëtarët, t’i ndajnë si të duan me njëri-tjetrin, është punë e tyre, si e përcakton ligji, sigurisht dhe ne mbledhim parlamentin që nesër, për të votuar anëtarët e opozitës në KQZ. Për tjetër, le të puthet me Milon. Më falni jo me Paskalin, por i referohem shprehjes.

SI PERGJIGJET PYETJES NESE DO TE JAPE DOREHEQJEN NGA KREU I PD

Berisha nuk iu përgjigj pyetjes nëse do të jepte dorëheqjen nga posti i kryetarit të PD-së nëse humbet zgjedhjet. Kjo ishte pyetja e dytë që iu bë nga një gazetar pas pyetjes që kishte lidhje me KQZ.

VIZAT ME SHBA, BERISHA: KERKOJME NDIHMEN E SHBA


Pyetje: Si do realizohet liberalizimi i vizave me SHBA?

Berisha: Me Shtetet e Bashkuara, ne kemi marrëdhëniet më konstante, më transparente, më intensive se me çdo shtet tjetër, kemi komunikim të vazhdueshëm e të gjithanshëm me ambasadën, qeverinë, Kongresin, në të gjitha drejtimet. As që bëhet fjalë që unë të pretendoj të na bëjnë favor tjetër, përveç asaj që na takon. E para, do të kërkojmë edhe ndihmë për të plotësuar kushtet dhe do të na ndihmoni, sepse është një marrëdhënie më e veçantë, nuk them se është speciale, por miqësore. Shtetet e Bashkuara kanë një vullnet për të na ndihmuar. Ne do të punojmë, do të marrim listën e kritereve. Zoti Rama po të dojë, le ta çojë Gramozin në hënë. Ta nisë për në hënë, mirë bën. Se kanë ata, mëkatarë me stampë në grup, kjo nuk do të thotë se janë shqiptarët me vizë të kuqe, ka tek-tuk disa prej tyre.

BERISHA: NESE KAM SHARE UNE ME FALNI, POR RAMA ESHTE I PAPERMBAJTUR

Berisha:
"Së fundi, ka një studim sociologjik të sponsorizuar nga George Soros, në të cilin është studiuar sjellja e tij dhe sjellja ime. Zoti Rama ka dalë se shan tre herë më shumë se unë. Por me sharje nuk ndërton asgjë. Me sharje ndërtohet hiçi dhe politikani nuk duhet të përdorë kurrë, sharje. Në qoftë se i kam përdorur, kam bërë gabim. Por ai është i papërmbajtur. Studimi i dytë i Soros tregon se Sali Berisha ka qenë konsekuent në konceptet e platformës së tij politike të qendrës së djathtë. Nëse studion fjalorin, thuhet në të, gjen një mijë herë taksa e ulët, liria ekonomike, iniciativa e lirë. Kurse Edvin Kristaq Rama ka qenë një rrëmujë, siç është e majta. Ju i patë zgjedhjet në Bullgari. I bënë demonstrata mikut tim, të qendrës së djathtë, Borisov. Bullgarët e rivendosën prapë dhe Stanishevin, i cili vinte këtu e bashkë me partitë e opozitës serbe bënte deklarata kundër meje, e rrëzuan e nxorën në pension, megjithëse në pension këta nuk dalin, pasi janë burra që nuk dinë të shkulen nga karrigia. "

SI BESOJ SONDAZHEVE POR FUSHATAVE

Pyetje: A ka bërë sondazhe PD-ja dhe sa deputetë mendoni të fitoni përballë të majtës së bashkua?


Berisha: "Sondazheve, unë nuk u besoj. Por e ka thënë Ismail Kadare: nga lufta vijmë, në luftë shkojmë. Edhe unë nga, fushata vij, në fushatë shkoj. Ky jam unë. Unë kam ndjenjën, kam prekjen. Dua t’ju them se takimet si townhall-et, ne i kemi përdorur në fillim të viteve ’91. Uleshin në tavolinë, na bënin pyetje dhe ne u përgjigjeshim një e nga një. E kam përdorur shumë rrallë, por në këtë formë nuk e kam përdorur asnjëherë. Kjo është një formë fushate, të cilën po e përdor si linjë kryesore për herë të parë. Ndodhi që erdhi ora ime, ta quaj kështu, mitingu dhe unë u befasova. Nuk prisja kurrë mitingje të atilla siç kam përjetuar në këtë hapje fushate dhe unë mbaj mend shumë mitingje. Kjo më bind se jemi në rrugën e drejtë. Një pjesëmarrje e jashtëzakonshme e qytetarëve, një interes shumë i madh. Kjo sepse, së pari, ka realizime të padiskutueshme dhe ne po i evidentojmë, si dhe po ballafaqojmë edhe të metat me qytetarët. Së dyti, për një qeveri nuk është e thjeshtë që të ketë frymë. Qeveria mund të ketë faktorë të tjerë, por, zakonisht, fryma vërehet tek opozita. Kësaj radhe asaj iu shua fryma. Dritëzën e fundit ia përpiu Koçoja dhe pastaj zihet me Fidelin, me Blushin e të tjerë, përse nuk u dalin qytetarët. Por qytetarët kanë arsyetimin e tyre, një arsyetim shumë të thellë. Ju jeni gazetarë dhe e dini se ka një ligj, njerëzit e thjeshtë, pavarësisht se mund të mos kenë kurrë as çerekun e informacionit që keni ju, kanë instinktin që me informacionin shumë të thjeshtë vijnë në konkluzione shpesh më drejta. Këtë e harrojnë. Kur i thoshin të bashkohen të gjithë qelbësirat për të përmbysur Sali Berishën, më falni se këtë shprehje nuk dua ta përsëris, ai e zbatonte. Por çdo të thotë kjo, ta bësh kazanin e Makbethit të Shekspirit: fton çifutin, mjekërcjapin, unë turkun, buzëarapin. E pakonceptueshme, nuk e kisha dëgjuar kurrë! Njeriu merr një standard vlerash. Mund të bashkohen dhe u bashkuan, por çfarë fituan?! Shikoni sheshet. Jo një, por katër parti komuniste."

DO T'I NENSHTROHEM VERDIKTIT TE POPULLIT ME 23 QERSHOR

Berisha:
"Absolutisht, në çdo rast që qytetarët shqiptarë do të japin verdiktin e tyre pozitiv apo negativ, reagimi im do të jetë tërësisht në nënshtrim të plotë të verdiktit. Nuk mund të ketë diskutim. Asnjëherë. As e kam vënë ndonjëherë në mëdyshje."

BERISHA:NE LISTA PERFSHIVA 3 DEPUTETE PS PER INTERES MADHOR, NUK HEZITOVA


Pyetja: Përse nuk përfshitë 4 kryetarë komisionesh në lista dhe 11 anëtarë komisionesh në vende jo fort të sigurta?

Berisha: “Askush të mos mendojë që nuk kanë qenë luajalë. Ata kanë qenë të aftë dhe janë të aftë. Cdo lloj kritike e mendimi që mund të krijohet në kokë e justifikoj, por ky është qëndrimi im ndaj tyre. Formimi i listës sa është i thjeshtë është dhe i komplikuar. Unë këtë herë kisha jo vetëm 3 deputetë të PS, por dhe 5 aleatë të mitë. Unë nuk lëviz marrëveshjen. Të gjithë pasojat e çdo marrëveshjeje i mbaj vetë. Këta zotërinj socialistë në një moment të paprecendentë për vendin, zoti Meta me të cilin kishim një marrëveshje për të qeverisur e ndërpremë dy muaj para. U ndërpre me një skenar: të rrëzojmë Sali Berishën që të shkojmë me një qeveri teknike, injorancë e gjallë kushtetuese. Ata zotërinj menduan se do realizonin ëndrrën e Ramës për t'u bërë kryeministër. Këta zotërinj pranuan që vendi të mos futej në krizë. Dalja në opozitë do i përgjysmojë në elektorat. Unë po dola në opozitë jam i vërtetë, nuk bëj makinacione. Je opozitë mbro interesat e opozitës, mos hidh Koçon në mes. Ka një bazë morale, dhe interes më madhor mbi interesat partiake. Unë nuk rri me 70 deputetë. Do i çoja në zgjedhje. Për të mos shkuar në zgjedhje të parakohshme pasi nëse do bëheshin për 45 ditë, zgjedhjet nuk do vëzhgoheshin, bëra një qëndrim, pa asnjë lloj hezitimi i vendosa në listë. Rëndësi kapitale ka vlera me të cilën bashkohesh. Aleatët i kam bashkëpunëtorë dhe nuk i mashtroj siç i bën ai ( e ka fjalën për Ramën)."

KOALICION PASZGJEDHOR  PD- FRD, BERISHA: E VENDOS SOVRANI, TOPI I DHA ZEMREN POLITIKE RAMES


Pyetur nga korrespondentja e TvA1 Report Dafina Ismaili" Zoti Kryeministër po insistoj sërish tek pyetja ime a mund të flasim për një koalicion të mundshëm me PD dhe FRD në zgjedhje?

Berisha: “Koalicionet pas zgjedhore në një vend të qytetëruar i dikton sovrani. Një gjë është e sigurtë, zoti Topi, për arsye që i di vetë u rreshtua kryekëput me Ramën saqë e votoi. Po, ia dhe votën ia ke dhënë zemrën politike. Ai s’kishte arsyer për këtë, dhe nuk mund ta bënte. Për shumë arsye nuk mund ta bënte, sepse njeriu mund të zemërohet, inatcohet, por ai ia dha zemrën politike Edi Ramës.

 Berisha u përgjigj pyetjes nga Tv A1 Report për reagimin që kishte ai ndaj deklaratës së Topit se kishte frikë nga rotacioni.
“Ata që kanë bërë rotacionet më mirë të shohin arsyen pse u rrotulluan. Kjo u shërben më shumë”

BERISHA NUK PERGJIGJET PER LISTAT E SHKODRES, FLET PER VILEN E NANOS E PALLATIN E RAMES

Pyetja:Në lidhje me listat në qytetin e Shkodrës, një listë e hartuar pothuaj nga e para. Kjo ka ardhur për të dobësuar pozitat e kryetares së kuvendit zonjës Jozefina topalli në PD apo ka patur arsye të tjera.


Berisha: "Zonja Topalli është nënkryetarja e PD me një kontribut politik të çmuar për PD por unë mendoj se si kryetare e parlamentit që nisi karrierën e saj në krye më një opozitë që rriten me trumbeta e borie, ka përballua një punë të jashtëzakonshme. Në të gjitha plus, minuset e tij, ky parlament ka bërë reforma shumë të mëdha. Kur unë u them bashkëbiseduesve të mi se ne hoqëm imunitetin, kjo është një gjë shumë e madhe. Pavarësisht se ç’themi sot, nuk ka imunitarë. Ne kemi qenë në të katër anët për luftën kundër korrupsionit. E keni dëgjuar zotin Rama që thotë se korrupsioni nuk ka të bëjë me personin? Por me kë ka të bëjë atëherë? Nuk ka diskutim që ka të bëjë me integritetin e personit. Shikoni se çfarë teze ka nxjerrë për hir të Koços dhe të tjerëve. Korrupsioni ka të bëjë me dy gjëra, reforma për parandalim dhe penalitete për të korruptuarit. Deri dje thoshte ka imunitet, ndërsa tani thotë se nuk ka të bëjë me individin. Ai e thotë këtë se është i vetmi politikan në 20 vjet që vjen me pallat në shpinë. Në të gjithë karrierën time politike jetoj në një apartament 125 metër katrorë. Jam rritur në një shtëpi krejt tjetër, në një kullë trekatëshe, kështu që pasioni im është shtëpia, por mundësitë e mia janë 125 metra, ndërsa ai ka vilë në zonën më verore. Nga mbinë ato para? Po të hysh ne fushatë me një hipotekë të tillë, pastaj nuk ke rrugë tjetër veçse të thuash se korrupsioni nuk ka të bëjë vetëm me personat, mbetet të thuash ç’më duhet mua se ç’them unë. Cili politikan është futur në fushatë me pallat dhe me vilë 57 metra të gjatë? Ti thua edhe e kam blerë 2 dollarë metrin katror, paka se sa mund ta ketë blerë. Pra këto janë konceptet që mund të na dallojnë. Ju e kuptoni betejën time me Fatos Nanon, ajo është legjendë, por ai pallat nuk kishte, edhe vilë nuk ndërtoi. Të themi atë që është edhe një vilë që pati ia dorëzoi pronarit më duket , madje e dorëzoi pa ardhur kjo kohë, sipas një ligji.

RAMA HIPI E DO MBESE SI NANO NE AUTOBUS
Pyetja: Zoti kryeministër, komenti juaj për fushatën elektorale që po zhvillon rivali juaj Edi Rama?

Berisha: "E thashë, ai është në autobus, populli ynë e ka këtë fjalë. Hipi Nano në autobus mbeti në autobus. Ju kujtohet ju, filloi Fatosi në autobus dhe mbeti në autobus. Edhe ky e nisi në autobus dhe atje do të mbetet. Ajo që duket nuk ka nevojë për komente."

ADMINISTRATA KA TE DREJTE TE BEJE FUSHATE
Pyetje: PS-ja ju ka akuzuar se po përdorni administratën për fushatën zgjedhore, gjithashtu Rama ka deklaruar se do të pushojë të gjithë drejtorët e shkollave të cilët përdorim nxënësit për fushatë. Sa qëndrojnë këto akuza?

Berisha: "Administrata ka të drejtë të padiskutueshme, përveç ushtrisë, policisë dhe SHISH, që të angazhohet në mitingje, pa shkelur orarin zyrtar. Ne kemi draftin e një ligji të hartuar me eksperiencën më të lartë evropiane, se dhe punonjësit e shërbimit civil të kenë të drejtë të ndërmarrin intensivisht fushatë me kusht që të marrin lejen. Mu duk shumë e parakohshme kjo. Ti nuk mund ti mohosh tjetrit veprimtarinë politike. Nuk mund ta quash përdorje. Gjithçka me vullnetin e tyre të lirë"

(sg/es/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Kukës/ Babai denoncon në Polici humbjen e djalit 17-vjeçar, nisin kërkimet dhe kontrollet për gjetjen

Kukës/ Babai denoncon në Polici humbjen e djalit 17-vjeçar, nisin kërkimet dhe kontrollet për gjetjen