Berisha: Rama ia dha Sazanin dhëndrit të Trump për influencë politike! Shpërblim atyre që tregojnë pronat e zyrtarëve! Ulja në gjunjë ndaj Melonit? Teatralitet!

Kryetari i Partisë Demokratike tha sot (16 Janar) se kryeministri Edi Rama ia dha Sazanin dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump për qëllime dhe influencë politike.

Nën akuzë dhe i pandehur nga SPAK prej më shumë se një viti për aferën në dosjen “Partizani”, Sali Berisha doli në një komunikim (bashkëbisedim) me ndjekësit e tij në rrjetet sociale, duke u përgjigjur me konferencë live në Facebook. Ai u shpreh se për Sazanin ka pasur kërkesa dhe oferta për Sazanin nga shumë biznesmenë dhe investitorë që prej vitit 2001, por qeveria së fundmi vendosi ta jepte të Jared Kushner.

Shumica e komentuesve që pyesnin ishin me pseudonime si "Komisari Memo" apo dhe "Veshi i shurdhër". Ish-kryeministri shpalli programin e shpërblimit të të gjithë personave që japin informacione të sakta për pasuritë e zyrtarëve dhe qeveritarëve shqiptarë, teksa do ngrejë komision edhe për hetim ndërkombëtar, me qëllim kthimin te qytetarët.

“Do e shpallim korrupsionin krim të rëndë. Korrupsioni do shpallet vepër penale e rëndë. Do presë me gërshërët e ligjit dorën e pushtetarëve dhe zyrtarëve që do guxojë të fusi dorën në xhepat e qytetarëve”, tha kreu i selisë blu.

Berisha foli edhe për situatën e rënduar ekonomike, kullat e narkoeuros dhe krimit të organizuar, i cili sipas tij është i lidhur edhe me qeverinë dhe ritheksoi programin e PD në 100 ditët e para me vendosjen e minimumin jetik dhe pagës minimale 500 euro.

Gjithashtu ai komentoi uljen në gjunjë të Ramës ndaj Melonit, duke e quajtur “teatralitet i neveritshëm”, duke nënvizuar se Rama është i aftë të bëjë gjithçka për pushtet, madje edhe të përdorë partitë opozitare kundër opozitës për të sulmuar PD. I pyetur për investimin strategjik të Kushner në Sazan, me vlerë 1,4 mld dollarë ai tha:

“Nga viti 2001 e deri sot Sazani është ofruar në mënyrë peroiodike biznesmenëve të ndryshëm, por Edi Rama e bëri edhe për qëllime influence politike. Ne nuk jemi kundër ofertave që janë sipas ligjit. Por e theksojmë se Rama e ka përdorur në qëllime politike. Është në tagrin e shqiptarëve ta vlerësojnë këtë përdorim”, u shpreh ai.

Ai shtoi se Rama po përdor partitë opozitare kundër PD:

“Rama dhe të tijët kanë vënë objektiv kryesor në sulm PD-në, se mendojnë se do fitojnë besimin e qytetarëve. Problem nuk është opozita, por kleptokracia dhe narkoshteti. Pse vendosen këto forca si opozitarë të opozitës? Le ta gjykojnë vetë qytetarët, por mendoj se është rol kompromentues”, theksoi kreu i PD.

I pyetur për takimin Rama-Meloni dhe uljen në gjunjë të kryeministrit, ai e quajti teatër.

“Teatralitet i neveritshëm. Por mos u çudisni të marrë çdo vendim, të kryejë çdo gjest, të bëjë gjithçka për pushtetin e qeverisë”, tha Berisha.

Kurse për pronat e zyrtarëve dhe sekuestrimin e tyre shpjegoi se PD ka strategji për këtë pikë, duke shpërblyer edhe informatorët.

“Do jepen shpërblim për çdo informacion për pasuritë e zyrtarëve shqiptarë. Do ketë një komision për të evidentuar dhe bllokuar këto pasuri, për t’ia kthyer qytetarëve shqiptarë. E patë ju se kryetari i bashkisë doli me pronë të Sky Tower, do të ketë hetim ndërkombëtar për të gjitha këto”, shton ai ndër të tjera.

Kurse i pyetur për kullat e biznesit dhe të tjerat që ngrihen në Tiranë ai u shpreh:

“Kush përftiton nga kullat e Tiranës, monumente të drogës dhe korrupsionit. Çmimet stratosferike, shumë më të shtrenjta se në Bruksel, Vjenë dhe qytete të tjera perëndimore. Për të blerë një apartament një qytetar shqiptar duhet të punojë 104 vite. Asnjë kullë është qëllimi ynë, zero tolerancë ndaj krimit, asnjë qindarkë nga narkoeurot, që janë toksike. Do bazohemi te iniciativa e lirë dhe sistemi fiskal, biznesi me barrë të ulët fiskale, konkurrencë e ndershme”.

A.Q/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Termometri politik, sondazhi i përmuajshëm ekskluzivisht në Frontline sot në 21:00 në Report Tv

Termometri politik, sondazhi i përmuajshëm ekskluzivisht në Frontline sot në 21:00 në Report Tv