
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzon Kryeministrin Rama se kërkon të fshehë me ligj shpenzimet e tij për udhëtimet. Sipas Berishës, Rama në një akt të paprecedentë dhe anti kushtetues kërkon t’i bëjë “sekret shtetëror” shpenzimet.
Berisha i referohet një vendimi të Qeverisë më 8 tetor, ku një ndryshim i një vendimi të mëparshëm për funksionet e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, parashikon që kjo drejtori të negociojë kontrata me kompani ajrore, rrjete hoteliere dhe agjenci udhëtimi për zyrtarët duke ruajtur konfidencialitetin. Qeveria argumenton se kjo bëhet për të mbrojtur të dhënat personale.
Përveç kompanive private, DSHQ firmos marrëveshjen e konfidencialitetit edhe me institucionet që i kryen shërbimin.
“Ramaduro vendos të sekretojë shpenzimet e tij. Të shndërrojë në sekret shtetëror shpenzimet, të cilat i bën me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Ky akt ka precedent në Shqipëri vetëm diktatorin Enver Hoxha. Ky akt ka paralel në botë Kim Jong-unin dhe Maduron e Venezuelës. Ky akt shpall, zyrtarizon, ligjëron vjedhjen, shpërdorimin nga një hajdut- ose hajduti më i madh i këtij kombi në 113 vite. Ky akt i sekretimit të shpenzimeve bie ndesh me Kushtetutën, me ligjet themelore të vendit. Njeriu që hap shishe Romanee Conti 33 mijë euro në drekat e tij, kërkon tani të sekretojë shpenzimet. Njeriu që ka shpenzuar në dy vite 23 milionë euro udhëtime me çarter, 141 udhëtime me çarter për pushime, për vakanca, për konferenca, tani kalon në një akt tjetër që nuk ekziston në asnjë vend tjetër përveç Koresë së Veriut dhe Venezuelës. Edi Rama u thotë shqiptarëve: do t’u vjedh dhe ju të mos merrni vesh”, tha Berisha.
Lajmi kryesor:
Pezullimi i zgjedhjeve në Tiranë/ Berisha: Dalim garant që nuk do të shkelet Kushtetuta! Begaj kukull e Ramës, pa integritet dhe karakter












