Kryedemokrati Sali Berisha në një konferencë për shtyp të mbajtur ditën e sotme, i është drejtuar qytetarëve të Tiranës lidhur me zgjedhjet në kryeqytet. Berisha tha se Partia Demokratike nuk do të lejojë askënd që të shkelë mbi Kushtetutën.

Berisha tha se Rama kërkon të ndjekë rrugën ‘Xhaçka’, por nuk do t’i lejojnë, ndërsa sulmoi presidentin Begaj duke e quajtur kukull të Ramës.

“Pasi mori një goditje fatale nga vendimi i Kushtetuese, Rama njoftoi se do të vazhdojë në rrugën Xhaçka. Atë që beri më Xhaçkën. Por, i garantoj qytetarëve të Tiranës se duke respektuar vendimin e Gjykatën Kushtetuese dhe dënuar aktin e papërgjegjshëm të presidentit kukull të Ramës, asnjë nuk do mund të nxirret jashtë kuadrit Kushtetues”, tha Berisha.

Berisha gjithashtu ka komentuar dhe reagimin e Begajt pas vendimit të Gjykatës Kushtetutese, i cili tha se nuk ishte penduar aspak. Berisha u shpreh se kjo nuk është aspak çudi duke e cilësuar Begajn si një kukull të kryeministrit Rama.

“Duhet të kesh ndërgjegje njerëzore, duhet të kesh integritet njerëzor që të pendohesh. Në qoftë se do thonte ‘u pendova’ do më habiste. Asnjë çudi. Ky është kukulla e Edi Ramës. Problem sipas tij, ishte Cërriku, apo ishte Vlora. Shikoni çfarë ngushëllimi gjen. Për krimin Kushtetues që ka kryer, shiko si ngushëllohet. Kush është ankuar për Cërrikun apo për Beratin? Asnjë njeri. A i patë 2 ministrat dje në parlament. Secili me gjuhë rrugaçi më të theksuar se tjetri. Kur bëhej fjalë për vrasjen në sallën e gjyqit të një gjykatësi. Imagjinoni sikur këta e kishin mbrojtur gjykatësin dhe ai ishte gjallë sot. Këta janë qenie njerëzore tru shpërlarë që nuk kanë as standarde morale e as njerëzie”, tha Berisha.

Zgjedhjet në Tiranë janë pezulluar që prej ditës së djeshme me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Ky vendim hodhi poshtë dekretin e lëshuar nga presidenti Bajram Begaj, i cili shpalli zgjedhjet e parakohshme për Tiranën edhe pse Veliaj kishte ankimuar vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkim nga detyra.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:53
Berisha: Rama po fsheh shpenzimet si sekrete shtetërore

1760093610_saliberisha.jpeg

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzon Kryeministrin Rama se kërkon të fshehë me ligj shpenzimet e tij për udhëtimet. Sipas Berishës, Rama në një akt të paprecedentë dhe anti kushtetues kërkon t’i bëjë “sekret shtetëror” shpenzimet.

Berisha i referohet një vendimi të Qeverisë më 8 tetor, ku një ndryshim i një vendimi të mëparshëm për funksionet e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, parashikon që kjo drejtori të negociojë kontrata me kompani ajrore, rrjete hoteliere dhe agjenci udhëtimi për zyrtarët duke ruajtur konfidencialitetin.  Qeveria argumenton se kjo bëhet për të mbrojtur të dhënat personale.

Përveç kompanive private, DSHQ firmos marrëveshjen e konfidencialitetit edhe me institucionet që i kryen shërbimin.

“Ramaduro vendos të sekretojë shpenzimet e tij. Të shndërrojë në sekret shtetëror shpenzimet, të cilat i bën me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Ky akt ka precedent në Shqipëri vetëm diktatorin Enver Hoxha. Ky akt ka paralel në botë Kim Jong-unin dhe Maduron e Venezuelës. Ky akt shpall, zyrtarizon, ligjëron vjedhjen, shpërdorimin nga një hajdut- ose hajduti më i madh i këtij kombi në 113 vite. Ky akt i sekretimit të shpenzimeve bie ndesh me Kushtetutën, me ligjet themelore të vendit. Njeriu që hap shishe Romanee Conti 33 mijë euro në drekat e tij, kërkon tani të sekretojë shpenzimet. Njeriu që ka shpenzuar në dy vite 23 milionë euro udhëtime me çarter, 141 udhëtime me çarter për pushime, për vakanca, për konferenca, tani kalon në një akt tjetër që nuk ekziston në asnjë vend tjetër përveç Koresë së Veriut dhe Venezuelës. Edi Rama u thotë shqiptarëve: do t’u vjedh dhe ju të mos merrni vesh”, tha Berisha.