Kryetari i PD-së Sali Berisha ka kërkuar që qeveria të rikthejë naftën pa taksa për fermerët.

“Ky parlament nuk mund të ketë, në qoftë se mban parasysh interesin e qytetarëve shqiptarë, në axhendë tjetër veçse vjedhjet e binomit Rama-Balluku. Çështja e dytë që ky parlament duhet të debatojë dhe t’i japë zgjidhje është çështja e naftës. Kreu i juaj u deklaroi socialistëve në Lushnjë se Europa nuk subvencionon më naftën. Një mashtrim të turpshëm, të paskrupullt dhe ju që qeshni, ju bëni skllavin këtu.

Sepse sfidoj çdo njeri dhe çdo shqiptar, të gjejë një vend të vetëm anëtar të BE që të mos subvencionojë naftën për fermerët. Përkundrazi, Gjermania e rriti këtë vit subvencionin dhe mundet edhe vendet e tjera. Të shkosh dhe të deklarosh vetëm pse janë socialistë dhe mund t’u thuash çdo gjë, se Europa nuk subvencionon më naftën, bën një akt cinik, një mashtrim ndaj rreth 40 përqind të shqiptarëve, që ç’është e vërteta është pjesa që djersin më shumë, që sakrifikon më shumë qoftë për kafshatën, qoftë për prosperitetin e vet dhe të vendit.

Ndaj dhe ju që jeni këtu, ose gjeni një vend në BE që nuk jep subvencione nafte, ose damkoseni drejtuesin tuaj si një mashtrues ordiner, që në çdo fjalë nxjerr një mashtrim dhe vendosim këtu të rikthejmë me ligj subvencionin e naftës duke hequr ndaj saj çdo taksë jo vetëm për fermerët, por edhe për transportin publik. Ju e morët vesh se u pakësuan me 40 përqind linjat e autobusëve, ndaj dhe të bëjmë këtu një ndërhyrje urgjente që të subvencionojmë fermerët. Vijnë miliarderët e naftës dhe e marrin me 600 lekë naftën, dhe ata kanë rëndësi në ekonomi se hapin shishe shampanje me Ramën. Po ky është turp mo, a përfaqësoni ju apo ata fermerë apo jo? Duhet ta hedhësh në votim këtë çështje”, tha Berisha.

Berishës iu përgjigj ministri i Bujqësisë Andis Salla, i cili tha qeveria ka hartuar një skemë të re për mbështetjen e fermerëve me 52 mln euro nga buxheti i shtetit. Salla tha se qeveria ka akorduar mbi 100 mln për fermerët që do të jenë këtë vit për subvencionet dhe pagesa direket për të ndihmuar fermerët dhe për të çuar sektorin në një hap tjetër.

“Për fermerët shqiptarë, është një skemë e cila e kemi përafruar me Bashkimin Europian. Është një skemë e cila është nga buxheti i shtetit 52 milion euro, në rritje nga viti i kaluar. Dhe përveç kësaj, kemi një minimum 15 milion euro të vendosur për 10%-shin e kompensimit të çdo fature, të cilën ai që punon tokën do të marri kompensimin në çdo produkt bujqësor dhe kjo shkon midis 45 deri në 50 milion euro si llogarive tona.

Prandaj qeveria shqiptare ka akorduar mbi 100 milion euro për fermerët shqiptarë, të cilët do të jenë këtë vit vetëm për subvencionet dhe të pagesat direkte, për të ndihmuar fermerët dhe për ta çuar sektorin në një hap tjetër. Vetëm me skemën e re që kemi përafruar, nga 1 metër tokë deri në 300 e 400 hektar, që ne kemi shifër më të madhe, çdo fermer në Shqipëri merr subvencion nga qeveria shqiptare.

Prandaj ne duhet që me sektorin bujqësor të jemi paralel dhe po ecim me një shifër shumë të mirë midis fermerëve, përpunuesve dhe agropërpunuesve, të cilët e kemi në funksion të plotë dhe po ndërtojmë bashkë me bashkitë SHBB të përbashkëta, në mënyrë që sektori i bujqësisë të eci me një ritëm tjetër.

Dhe dua që nga këtu sot ne të flasim për skemën kombëtare. Ne do ta bëjmë publike për pak ditë. Do të jemi në të gjithë qarqet e Shqipërisë për të sqaruar fermerët dhe për t’i orientuar ata që të bëhen pjesë e paketës tonë kombëtare”, tha Salla.


Lajmi kryesor:

LIVE TV - Kuvend/ Shtyhen tre interpelancat e kërkuara nga opozita me Nufin, Kumbaron e Koçiun për Rrjollin