Me sheshe gjithnjë e më bosh dhe protesta që po humbasin forcën, Sali Berisha ka gjetur një tjetër fajtor: mediat. Në daljet e tij të fundit, ai i ka quajtur mediat “mafia e zezë e fjalës së lirë”, duke pretenduar se opozita censurohet dhe nuk ka hapësirë në ekranet e kontrolluara nga Rama. Një refren që po përsëritet thuajse në çdo protestë. Por ndërsa akuzon për censurë, realiteti që tregojnë shifrat është krejt tjetër.
Monitorimi për marsin i Autoritetit të Mediave Audiovizive konfirmon se Partia Demokratike e Shqipërisë është ulur këmbëkryq në ekranet e shqiptarëve. Për muajin mars, PD zë 60.12% të kohës televizive, ndërsa Partia Socialiste e Shqipërisë renditet e dyta me thuajse gjysmën e kohës në 37.21%.

Partitë e tjera të vogla kanë një prezencë thuajse simbolike në ekranet kombëtare. Partia Republikane zë 1.66%, ndjekur nga Lëvizja Shqipëria Bëhet me 0.68%, Partia e Lirisë me 0.15% dhe Partia “Mundësia” me 0.11% Shifra këto që tregojnë se hapësira mediatike shqiptare dominohet nga dy forcat kryesore politike PD dhe PS, ndonëse dukshëm me një avantazh të theksuar për demokratët.
Edhe në nivel personal, kontradikta e Berishës bëhet edhe më e fortë sepse ndërsa 81 vjeçari flet për mungesë hapësire, ai vazhdon të renditet si aktori politik më i pranishme në ekranet shqiptare duke zënë 30.16% të kohës televizive.

Megjithatë, pavarësisht kësaj pranie dominuese në ekranet shqiptare, Sali Berisha nuk po arrin të përkthejë ekspozimin mediatik në mbështetje reale në terren. Të tetë protestat e tij kundër Edi Ramës janë karakterizuar nga pjesëmarrje e ulët, ndërsa retorika është bërë gjithnjë e më e ashpër, me molotovë, sulme ndaj policisë, sulme direkte ndaj mediave dhe kundërshtarëve të tij politikë brenda partisë.
Shpresat e demokratit tani duket se janë zhvendosur te protesta e paralajmëruar për 8 majin, të cilën Berisha e cilëson si “betejë vendimtare”, njëjtë siç ka bërë edhe 8 herët e tjera.
Komente










