Turi i nisur nga qeveria për të informuar qytetarët mbi procesin e integrimit, për Partinë Demokratike nuk mjafton. Nga selia blu, kryedemokrati Sali Berisha i bën thirrje Komisionit Europian të ndërhyjë për të detyruar qeverinë të bëjë transparencë mbi çdo hap të negociatave.

“Unë u bëj thirrje vendeve anëtare të BE, i bëj thirrje Komisionit Europian dhe Presidencës, të marrin çdo masë që procesi i integrimit të jetë transparent për shqiptarët. Shqiptarët meritojnë transparencë dhe vetëm transparencë. Për hir të të vërtetës, që ta dinë shqiptarët, qeveritë përreth publikojnë fill mbrapa të gjitha zhvillimet që ndodhin në Bruksel për vendet e tyre, nuk i fshehin”, tha Berisha.

Madje unionit, i kërkon të shtojnë kushtet për Shqipërinë, duke vendosur mes tyre detyrimin që prokuroria europiane të hetojë çështjet e abuzimit me fondet e BE-së brenda vendit, edhe pse të pa anëtarësuar zyrtarisht.

“Unë i bëj thirrje Komisionit Europian të vendosë si kusht bashkëpunimin e Shqipërisë me Prokurorinë Publike Europiane. Si një kusht i domosdoshëm për transparencën e përdorimit të parave të BE në Shqipëri. Heton njeri në Shqipëri skandalin Mogerini? Jo, katër herë më i madh se i Bryzhit, mikesha e Edi Ramës, lobistja e Edi Ramës”, tha Berisha.

Berisha u ndal edhe te protesta e opozitës më 17 prill, duke e quajtur brutal sulmin e policisë ndaj deputetëve të PD. Ndaj protesta e radhës tha Berisha, do të jetë përgjigje edhe ndaj policisë.